Arben Isaraj: Militanti në krye të sistemit të drejtësisë

544
Para disa ditësh presidenti Nishani në një intervistë televizive, deklaroi se reformën në drejtësi nuk mund ta realizojnë militantët ekstremistët të politikës. Dje, zëvendësministri iDrejtësisë, Arben Isaraj, replikon me këtë deklaratë të Presidentit, duke i kujtuar presidentit Nishani karrierën e tij politike, në PD. Zëvendësministri Isaraj i kujton presidentit se “Më mirë të udhëheqësh një orë me drejtësi, se të bësh adhurim dhe vetmohim si militant politik, për tre vjet”. Dhe se “Tre vjet në krye të një sistemi drejtësie që lëngon nga korrupsioni dhe pandëshkueshmëria dhe nuk është rregjistruar asnjë një akt presidencial apo nismë, qoftë edhe personale në përmirësimin e situatës alarmante”. 
Sigal

Deklarata e Presidentit Nishani për reformën në drejtësi

Presidenti Nishani: Reforma në sistemin e drejtësisë,së pari duhet të përfshijë specialistët dhe profesionistët e pavarur të fushës së jurisprudencës në Shqipëri. Nuk mund të realizohet dhe nuk do të ketë besueshmëri dhe as cilësi ndërmarrja e hapave dhe propozimeve që vijnë nga ndërgjegje prej njerëzve militantë politikë. Nuk mund ta realizojnë dot në mënyrë të vërtetë reformën në drejtësi militantët ekstremistë të politikës.

Reagimi i zëvendësministrit të Drejtësisë Arben Isaraj

Pas një analize të plotë të situatës dhe problemeve shqetësuese që ka sistemi i drejtësisë, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë kanë sugjeruar një reformë rrënjësore kushtetuese dhe ligjore. Që nis me edukimin ligjor të qytetarëve dhe përfundon me riedukimin ligjor të pushtetarëve (asnjë nga tre pushtetet nuk bën përjashtim, qoftë ky dhe i përzier në tenxheren e politikës).
Dje, Presidenti tha : “Nuk mund ta realizojnë dot në mënyrë të vërtetë reformën në drejtësi, militantët ekstremistë të politikës”. Është dhe ky një tjetër hap presidencial, nga “madhështorja” kushtetuese tek “qesharakja” politike. Shkruhet zyrtarisht se karriera politike e zotit President, ka kaluar nëpër këto etapa: 
• në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; 
• në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; 
• në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; 
• në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qëndrore të kësaj partie:
• në korrik të vitit 2005, zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë, si përfaqësues i Partisë Demokratike;
• nga marsi 2007 – shtator 2009, mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm (PD); 
• nga shtatori 2009 – prill 2011, kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë (PD);
• për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm (PD), detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012; 
• në 11qershor të vitit 2012, Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të PD- së e zgjodhi me 73 vota (në 140 deputetë) në detyrën e Kreut të Shtetit.

Cili prej ekspertëve të reformës në drejtësi, të ofruar dhe mbikqyrur nga Kuvendi i Shqipërisë dhe partnerët ndërkombëtarë, gëzon një përqind të këtij militantizmi politik?
Asnjëri prej tyre.

Opinioni publik është një termometër, me të cilin një President vazhdimisht duhet konsultuar. Opinioni publik vendas dhe ndërkombëtar, njëzëri dhe pamëdyshje, kërkon drejtëpërdrejtë vetëm: “Reformë e thellë në drejtësi”! “Pastroni drejtësinë”! “Ata që abuzojnë dhe shkelin ligjin duhet të përballen me drejtësinë”! “Të ketë vijë ndarëse midis prokuroreve dhe gjyqtarëve të ndershëm me ata të korruptuar”! Tre vjet në krye të një sistemi drejtësie që lëngon nga korrupsioni dhe pandëshkueshmëria dhe nuk është rregjistruar asnjë një akt presidencial apo nismë, qoftë edhe personale në përmirësimin e situatës alarmante. Më mirë të udhëheqësh një orë me drejtësi, se të bësh adhurim dhe vetmohim si militant politik, për tre vjet. Kjo është shumë e çuditshme. Krenohesh dhe ankohesh për atë që duhet të turpërohesh. Sot në Shqipërinë demokratike sipas Kushtetutës, askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për bindjet politike, akademike a filozofike, gjendjen arsimore e sociale si dhe përkatësinë prindërore. Sigurisht jetojmë në Shqipëri. Por është koha, që pushtetarët të kenë besnikëri ndaj Shtetit gjithmonë dhe besnikëri ndaj Partisë vetëm kur ajo e meriton.