Arben Çuko: “Njerëzit besojnë te PS-ja për ndryshimet që do bëjmë bashkërisht”

508
Sigal

Kandidati për deputet i PS-së, në Qarkun e Fierit, Arben Çuko, në intervistën për “Telegraf”, duke na njohur me klimën elektorale, na përcjell terrorizmin psikologjik që ushtrojnë njerëzit e pushtetit mbi këdo të punësuar, duke u thënë, se nga vota që do japin, do varet edhe buka e familjes së tyre.

– Zoti Çuko, tensionimi i klimës politike, a është përcjellë edhe në zonën tuaj elektorale? D.m.th, aty, si është ecuria e fushatës elektorale?

-Kemi vene re Saliun që ka marrë malet (bashkë me anti -plumbin) dhe po përpiqet që të gënjejë përsëri shqiptarët në lidhje me bollëkun dhe mrekullinë e tij ekonomike. Në fakt, ai ka të drejtë bollëk ka, por vetëm për familjen e tij, ndërsa për dhjetëra mijëra familje të thjeshta shqiptare, ka vetëm varfëri dhe skamje. Dhe këto familje nuk mund të ushqehen e të vishen me gënjeshtrat e Saliut. Për këtë arsye, tensionimi i situatës elektorale i intereson vetëm Saliut. Shumë të punësuar na thonë që njerëzit e pushtetit u  kërkojnë atyre listat  e personave, të cilët janë të sigurt se do të votojnë  për ata, ndryshe, do t’i pijë e zeza, nëse nuk votojnë ata. Njerëzit por terrorizohen përditë, mbahen në një presion psikologjik, se nga vota u varet buka e familjes. Ndaj, e kemi për detyrë që të çlirojmë njerëzit nga terrorizmi i pushtetit. Njerëzit duhet të binden, që ndryshimi i tyre vjen me votë dhe jo me kërcënimin për bukën e familjes.

– Në zonën tuaj elektorale, mendoni se procesi zgjedhor do të rrjedhë normalisht? Keni ndeshur parregullsi procedurale?

– Siç e dini, në Qarkun e Fierit është planifikuar të zbatohet për herë të parë edhe numërimi elektronik. Mirëpo shikojmë se procedurat për përgatitjen e zbatimit të këtij projekti nuk po zbatohen dhe ka mungesë transparente. Dyshojmë se duan që ta dështojnë. Që të kenë më shumë probabilitet të manipulojnë me metodën klasike. Të gjithë punojmë që të ballafaqojmë edhe listat nga dublimet dhe adresat zgjedhore, që njerëzit të informohen se në cilën qendër votimi duhet të shkojnë në 23 Qershor, si do të votojnë.

Cilat janë problemet e njerëzve që ju keni evidentuar në takimet e përditshme me elektoratin tuaj?

-Zoti Jakup, po ju bëj edhe unë juve një pyetje: Çfarë keni më tepër në xhepat tuaj?  Lekë, apo fatura? Dhe përgjigja e kësaj pyetje lexohet në shumicën absolute të familjeve shqiptare, në listat pa mbarim të dyqaneve ushqimore të fshatit dhe qytetit, në grupet e të rinjve, që vërdallisen rrugëve të papunë, sepse nuk kanë pasur mundësi të paguajnë drejtorët e Saliut, apo nuk kanë teserën e PD-së në xhep, ne turmën e trembur dhe të dhunuar të mësuesve, infermierëve,  zyrtarë të administratës publike, në shpatullat e lodhura dhe fytyrat e dëshpëruara të bujqve, që, pasi rropaten gjithë ditën, duke punuar në ara apo sera. nuk arrijnë dot të shesin prodhimet e tyre.
– Duke u mbështetur edhe në programin tuaj, çfarë zgjidhje ofroni, për të mos qenë thjesht premtime elektorale?

-Nuk mjafton vetëm programi, të cilin PS-ja ka dy vjet që e ka hartuar, në bashkëpunim me specialistë më të mirë vendas dhe të huaj, e ka konsultuar me publikun e gjerë. Programi ngelet thjesht premtime, apo një copë letër pa vullnetin politik për ta zbatuar atë. Kryeministri i ardhshëm. Edi Rama dhe ekipi i tij, e kanë vullnetin e plotë për ta vënë në zbatim.
– Cili është reagimi i elektoratit të Majtë në zonën tuaj, për bashkimin LSI-PS dhe a shikoni një konkurrencë midis PS-së dhe LSI-së, për të fituar mirëbesimin e elektoratit të Majtë në zonën?

– Përkundrazi, elektorati i djathtë është dëshpëruar nga ky bashkim, sepse e dinë që do të pësojnë një humbje të thellë. Konkurrenca është normale, secili mundohet të mbushë vagonin e tij në trenin tonë europian, por lokomotiva është PS-ja dhe Edi Rama.
– Tani që PS-LSI janë në një koalicion elektoral, a është zgjidhë edhe konflikti politik se cili është kryetari i Qarkut të Fierit?

– Kryetar i Qarkut  të Fierit do të përgjigjet për këtë. Është vetëm një: Vangjel Ndreka i PS-së, të tjerët janë thjesht uzurpator.  I këshilloj, që si fillim, të kthejnë mbrapsht rrogën e pamerituar.
– Sondazhet e bëra tregojnë që PS-PD janë të barabartë në përqindje. Në elektoratin tuaj, cila është kjo tendencë e njerëzve?

– Sondazhet e Saliut ? Ai po e bën si veshgjati, që ndërsa e hante ujku, ai shpresonte të ishte në ëndërr. Thellë, shumë thellë do mbytet. Unë besoj në 80 metra.

– Meqë procesi zgjedhor ka humbur shumë në mirëbesimin nga konflikti në KQZ, si do ta mbrojë PS-ja dhe e Majta votat e saj?

– Në bashkëbisedimet e përditshme shikojmë dhe prekim interesimin e madh të njerëzve për të ndryshuar gjerat në të mirën e tyre, kësaj here. Janë zhgënjyer shumë nga premtimet qeveritare. Dhe qytetarët na thonë, se që të ndryshojmë rrjedhën e jetës së tyre, duhet të votojmë të gjithë programin e Rilindjes së PS-së. Duke votuar të gjithë, mbrojmë edhe votën tonë. Të gjithë janë të vendosur, që të mbrojnë votën e tyre.
– Ku e bazoni optimizmin tuaj që PS-ja do të fitojë bindshëm?

Përditë jemi duke bashkëbiseduar me qytetarë. Marrim prej tyre atë dëshirë që bashkërisht, do të ndërtojmë një realitet tjetër, nga kjo mizerje e varfëri që jetojnë. Njerëzit tregojnë me gisht  qeverisjen  8 vjeçare  si fajtorin e mjerimit të tyre.

– Faleminderit!

 

 

 

Arvizu: Zgjedhjet, test për demokracinë, shpresojmë se Shqipëria do ta kalojë

 “Këto zgjedhje do të jenë një test për demokracinë në Shqipëri, test që shpresojmë se Shqipëria do t’i kalojë” është ky mesazhi i shkurtër që kreu i prezencës së SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka postuar në rrjetin social Twittter. Teksa pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, përfaqësuesit e selive diplomatike në vendin tonë kanë ritheksuar apelet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe transparencën e tyre.

Pak ditë më parë, Ambasada Amerikane në Shqipëri u bëri thirrje shqiptarëve t’i drejtohen në masë qendrave të votimit më 23 Qershor për të zgjedhur Parlamentin e ri. Ndërkohë, që në një takim me studentët Ambasadori Arvizu kërkoi shmangien e ndikimit të votës.