APP, udhëzon bizneset për tenderët e 2019-ës

631
Sigal

Agjencia e Prokurimit Publik, në një njoftim të fundit, drejtuar të gjithë autoriteteve kontraktore, u ka bërë me dije procedurat e prokurimit për vitin e ardhshëm. Agjencia e Prokurimit Publik, njofton se, në ushtrim të detyrave të saj sipas parashikimeve të nenit 13, pika 2/d të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” të ndryshuar (në vijim “LPP”), nenit 70, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 914, datë 29.12.2014 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, të ndryshuar, si dhe VKM Nr. 807, datë 16.11.2016 “Për disiplinimin e angazhimeve buxhetore”, të ndryshuar, me qëllim mirëfunksionimin e sistemit të prokurimit publik dhe minimizimin e numrit të procedurave të prokurimit “negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, rekomandon si më poshtë vijon: Të gjitha autoritetet kontraktore të fillojnë procedurat e prokurimit për objektet (malli,punë,shërbim) të parashikuara për vitin 2019, për sa kohë që fondet i kanë të parashikuara dhe në çdo rast brenda kufirit buxhetor për vitin 2019. Për këtë qëllim, APP njofton se autoritetet kontraktore duhet të vijojnë menjëherë punën për krijimin në Sistemin e Prokurimit Elektronik të elementit përkatës të procedurës së prokurimit që do të zhvillojnë, për mbulimin e nevojave të vitit 2019, në regjistrin e parashikimeve të procedurave të prokurimit për vitin 2018. “Zërat përkatës të krijuar në regjistër, për procedurat e prokurimit të vitit 2019, do të kontrollohen nga APP në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nëse fondet përkatëse janë ose jo brenda tavanit buxhetor të miratuar për autoritetin përkatës kontraktor. “- thuhet në njoftim. Por, më tej, APP njofton bizneset që të bëjnë kujdes! Legjislacioni i prokurimit publik, konkretisht, rregullat e prokurimit publik i njohin të drejtën autoriteteve kontraktore që të nisin procedurat e prokurimit dhe t’i zhvillojnë ato deri momentin e shpalljes së njoftimit të fituesit, ndërsa lidhja e kontratës do të bëhet vetëm pasi fondi të jetë në dispozicion (në llogarinë përkatëse) të autoritetit kontraktor. Referuar sa më sipër, me qëllim rritjen e performancës së menaxhimit të fondeve nga autoritetet kontraktore, mirëfunksionimin në tërësi të sistemit të prokurimit publik, rekomandojmë shpalljen e menjëhershme të procedurave të prokurimit për vitin 2019.