Sigal

Apeli i protestuesve studentë: Vetting edhe në Arsim! E vetmja negociatë plotësimi i kërkesave

Jakup B. GJOÇA

Demokracia në Shqipëri merr frymë, jeton tek 3 ditët e protestës së fuqishme të të gjithë studentëve në mbarë Shqipërisë. Protesta e studentëve po gremis themelet e tranzicionit 28-vjeçar të politikës, duke u treguar shqiptarëve se shpresa është vetëm tek reagimi mbarë popullor. Protesta e mijëra studentëve grisi edhe arrogancën pushtetore të kryeministrit, i cili ditën e parë të kësaj proteste të studentëve, u mundua t’i injoronte, t’i poshtëronte, duke i cilësuar “mbetës” që qeveria nuk mund të shpërdorojë taksat e shqiptarëve për t’u dhënë provimet përsëritëse pa faturë. Studentët edhe sot do të protestojnë para Ministrisë së Arsimit, ndërkohë i kanë dhënë afat kryeministrit që të plotësojë pa kushte  të gjitha kërkesat e tyre deri të martën, në të kundërt, ata do të protestojnë duke rrethuar kryeministrinë. Studentët nuk kanë pranuar që të marrin pjesë forca politike, madje, nuk e lejuan as ish-zëvendësministrin Taulant Muka që të fliste në protestë.

Studentët nga e gjithë Shqipëri derdhen në rrugën e protestës

Dita e tretë e protestës. Studentët nga të gjitha universitetet e Shqipërisë janë që në mëngjes në rrugë. Solidarizohen me shokët e shoqet e tyre studentë të Universitetit të Tiranës. Kauza është e përbashkët, protestojnë për plotësimin e kërkesave të tyre që janë përgjysmim i tarifave të arsimit, pjesëmarrje në bordet drejtuese të universiteteve si dhe përmirësimin e kushteve në konvikte dhe auditore. Mijëra studentë rrethuan Ministrinë e Arsimit dhe hodhën shumë parulla, duke  shprehur kërkesat e tyre.

Studentët e Elbasanit nisen drejt Tiranës: Sot është dita jonë!

Studentët e Universitetit të Elbasanit u nisën për në  Tiranë, duke u bashkuar protestës, ndërsa mësohet se pjesa tjetër e studentëve do të protestojnë para Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Protesta studentore po zhvillohen edhe në Vlorë, Korçë dhe Shkodër.

“Na keni pirë gjakun”, studentët nuk tërhiqen, këndojnë himnin njëzëri

“Arsim publik falas”, “Na keni pirë gjakun”. Këto janë disa nga thirrjet e studentëve, të cilët kanë treguar se nuk do të tërhiqen nga protesta e tyre. Ata kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre dhe nuk duan të negociojnë me  Ministrinë e Arsimit. Studentët kanë kërkuar njëzëri himnin kombëtar,  duke treguar kështu se ata nuk dorëzohen, por do vazhdojnë të protestojnë.

Studentët: Nëse ne jemi ngelës

“Nëse ne quhemi ngelës, atëherë sistemi juaj është ‘What the fu*k’”. Ky është një nga ata mesazhet e shumtë që vjen nga protesta e studentëve, e cila ka hyrë në ditën e tretë të saj. Mes ironisë studentët thumbojnë qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për protestën e studentëve. Mes parullave të shumta, spikat dhe ajo ku shkruhet; “Ne jemi ngelësit”.

 

Rama kërkon dialog me studentët: Kam shumë për t’ju thënë, dua të më dëgjoni

Kryeministri Edi Rama reagoi  për protestën e studentëve, duke artikuluar kërkesën për dialog. Kryeministri  Rama:  Ky vend e ka fituar prej 5 vitesh lirinë e plotë të protestës pa asnjë rrezik prej plumbave dhe hakmarrjes politike. Kemi qenë, s’kemi qenë dakord për një protestë apo tjetër, protesta në vetvete e ka pasur të garantuar si kurrë më parë pacenueshmërinë e statusit të qytetarisë së saj. Unë ndihem shumë mirë për këtë dhe po të mund të zgjidhja dot sot, do të doja të isha edhe një herë student, protestues jo kryeministër në zyrë. Po si kryeministër dhe edhe si një protestues i dikurshëm kam bindjen se duke dëgjuar njëri-tjetrin, me respekt, qoftë kur jemi, qoftë kur nuk jemi dakord dhe këtë rast, duke u bërë bashkë për të shtyrë me forcë modernizmin e arsimit të lartë në çdo aspekt, ne mund ta përshpejtojmë dhe ta bëjmë shumë më mirë punën kolosale që mbetet ende për të bërë në dobi të universitetit. Shkurt  fjala, se sa rrinë në rrugë dhe se çfarë kërkojnë në rrugë studentët protestues kjo është e drejta e tyre legjitime dhe e pacenueshme. Ama detyra ime është t’i dëgjoj dhe t’i mbështes në adresimin e shqetësimit të tyre, në çdo rast që ata do të donin të bisedonin, kur edhe po të dëshirojnë të njëjtën gjë, bujrëm, kjo zyrë është e imja, por pushteti i kësaj zyrë është i kujtdo që kërkon ta përdorë për idenë e duhur, në shërbim të vendit, shoqërisë dhe të së ardhmes që fëmijët e sotëm meritojnë.

Studentët i përgjigjen kryeministrit: Je me dy fytyra! E vetmja negociatë, plotësimi i kërkesave

Studentët janë të vendosur ta çojnë deri në fund protestën e tyre, deri në realizimin e të gjitha kërkesave. Studentët kanë paralajmëruar një tjetër protestë ditën e sotme para Ministrisë së Arsimit. Studentët janë shprehur se, nëse deri të martën nuk do të plotësohen kërkesat e tyre do të përshkallëzohet protesta.  “Ajo që pamë ne sot ishte një përpjekje për të mashtruar studentët. Nëse tregojmë që kemi unitet këta nuk na manipulojnë dot. Ne jemi të vendosur që të gjitha protestat tona të plotësohen. Nëse nuk plotësohen do të përshkallëzohen. Deri të martën do të vendosim, se deri në çfarë pike do ta përshkallëzojmë protestën”, tha një nga studentët në protestë. Sa i përket apelit të kryeministrit për negociata, studentët janë shprehur sërish qartë se e vetmja negociatë është plotësimi i kërkesave të tyre. “Jemi të informuar me deklaratën e kryeministrit. Është një kërkesë dyfytyrëshe e kryeministrit. Para dy muajsh largoi me forcë një studente nga salla, sot kërkon një negociatë, pasi e ndjen që nuk na mposht dot. Ne jemi kundër negociatës dhe grupeve të punës, ne kërkojmë plotësimin e të gjitha kushteve”, tha një tjetër student.

 

Tri kërkesat e studentëve të Shkodrës, protesta pa afat deri në plotësimin e tyre

Studentët e Shkodrës kanë dalë me kërkesa të qarta, ata shprehin mbështetjen për studentët në Tiranës. Janë tri kërkesa ne total, ku e para është ulja e notës mesatare nga 9 në 7 për studimet në master dhe doktoraturë si dhe te mundësohet liria e zgjedhjes mes provimit dhe temës së diplomës. Kërkesa e dytë ka të bëjë me rimbursimet për ekspeditat që bëjnë studentët, duke kërkuar që të hiqen dhe të jenë pjesë e buxhetit të universitetit. Kërkesa e tretë është vënia në funksion e godinës së re të universitetit te Shkodrës brenda janarit të vitit të ardhshëm.

Skandal: Rektori i Universitetit të Vlorës u bën presion pedagogëve dhe studentëve

Rektori i Universitetit të Vlorës mësohet se u ka dhënë urdhër shefave të departamenteve për të kontrolluar në çdo klasë pedagogët. Mësohet se po iu bëhet presion atyre pedagogë që kanë dalë së bashku me studentët për të kërkuar të drejtat e tyre, në protestën që vijon në ditën e tretë të saj. Burime bëjnë me dije, se po bëhet presion në klasa për studentët që janë larguar nga mësimi.

Bizneset në Tiranë ulin qepenat: Jemi në protestë për studentët

Disa prej bizneseve në Tiranë kanë ulur qepenat dhe u janë bashkuar studentëve në ditën e tretë të protestës. Siç shihet edhe në këtë foto, një prej bizneseve shkruan: “Jemi në protestë për studentët.” Bizneset e vogla janë kategoria me e goditur nga rritja e taksave, kryesisht në Tiranë, por edhe në të gjithë vendin. Këto biznese shpesh herë janë familjare, të vetëpunësuari e kanë mënyrën e vetme për të siguruar disa të ardhura.

Qytetarët shpërndajnë ujë dhe ushqim, solidarizohen me studentët

Figura publike, por edhe qytetarë të shumtë janë solidarizuar me protestën e studentëve. E tillë është edhe kjo zonjë, e cila në mënyrë simbolike shpërndau ushqim për studentët, duke i inkurajuar të vazhdojnë rezistencën. “Jam nënë, jam gjyshe, jam bashkë me to, i ndjek. E ndjeva dhe erdha, të vazhdojnë se kanë të drejtën e vet. Atë që s’e bëmë ne ta bëjnë këta. Vazhdoni, bravo!”. Studentë e përshëndetën në kor gjestin e saj me thirrjet: “Bravo! Bravo!” Më pas një tjetër zotëri erdhi me shishe me ujë duke i shpërndarë për studentët. “Për të drejtat e fëmijëve tanë do të luftojmë deri në fund”.

 

Kërkesa e plotë  e studentëve drejtuar kryeministrit

Drejtuar: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit Ministres së Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla. Kërkesa drejtohet nga Këshilla studentor.

Përgjysmim i tarifës së studimi

Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.

Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.

Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.

Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë.

Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.

Kërkesa e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës

Studentët e UBT-së kanë shtuar dhe disa kërkesa të tjera, që vijojnë si më poshtë: Kërkesat e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës:

1- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;

2- Rritja e buxhetit për arsimin me 8% të GDP-së, buxheti për vitin 2019;

3- Reduktimi tarifës me 30% për vitin akademik 2018 – 2019;

4- Reduktimi tarifës me 50 % për vitin akademik 2019 – 2020;

5- Arsim publik falas për vitin akademik 2020 – 2021;

6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;

7- Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;

8- Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;

9- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;

10- Rritja nga 10% në 40% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

Përgjigja e  ministres së Arsimit Lindita Nikolla

Ministrja e Arsimit dje ishte në Qytetin e Studentëve dhe inspektoi konviktet, ndërkohë, që me video  u përgjigj kërkesave të studentëve.

Lidhur me pikën 1,6 dhe 7 të kërkesës për vlerësimin e tarifave të studimit, vlerësimin e kushteve të rezidencave studentore dhe buxhetit për arsimin e lartë dhe sipas kërkesës suaj të datës 06.12.2018 do të ngrihen grupet e posaçme të punës me përfaqësues të Këshillave studentorë, MASR dhe institucioneve publike të larta.

Lidhur me pikën 2 dhe 3 të kërkesës konsiderojmë se është e nevojshme të vlerësohen ndryshimet ligjore, të cilat do të jenë pjesë e diskutimeve të grupeve të posaçme të punës që do të ngrihen.

Lidhur me pikën 4 dhe 5 të kërkesës sqarojmë se mbështetja studentore për kërkimin shkencor të studentëve të ciklit të tretë të studimit përfshirë dhe gradën shkencor tashmë është garantuar ligjërisht.

Lidhur me pikën 8 të kërkesës suaj sqarojmë se tashmë nga ana e MASR janë marrë masat e nevojshme dhe brenda vitit akademik 2018-2019 do të jenë të pajisur me kartën e studentit.

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit është e hapur dhe e gatshme për të diskutuar në institucione, sipas çdo formati të propozuar nga ju të gjitha çështjet e ngritura.