Apeli – Meta letër partive: Brenda orës 16:00 dorëzoni emrat për komisionet e vettingut

66
Kre i Kuvendit Ilir Meta u është drejtuar me një letër krerëve të grupeve parlamentare, përmes së cilës kërkon të dorëzohen propozimet për emrat e komisioneve të Vettingut.

Afati për dorëzimin e tyre është ora 16 00 e ditës së sotme, dy ore para nisjes së seancës së jashtëzakonshme parlamentare.

Parlamenti mblidhet në orën 18 00 për të votuar dy projektvendime.

I pari :”Për procedurat parlamentare për funksionimin e komisioneve ad hoc dhe realizimin e procesit të votimit sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”

I dyti: Projektvendimin “Për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc për verifikimin e kandidatëve për institucionet e rivlerësimit sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” Të dyja vendimet kërkojnë shumicë të thjeshtë.

Hysi: Per te votuar komisionet e vettingut duhet shumice e thjeshte

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi u shpreh të dielën se nuk e parashikon dot fatin e seancës së sotme, nëse opozita i qëndron bojkotit. Sipas Hysit, për të votuar komisionet e vetting-ut, kërkohet shumicë e thjeshtë, citon ATA.

Nëse procesi nis të hënën pasdite në Parlament, brenda pak ditësh, sqaron Hysi, komisioni i parë, ai i verifikimit, i përbërë nga 3 deputetë të pozitës dhe 3 të opozitës, do të realizojë një seancë dëgjimore me 100 kandidatët e mbetur në garë, nga të cilët Parlamenti do të miratojë me votim 27 anëtarët e organeve të vetting-ut, për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të reformës në drejtësi, pas propozimit të komisionit të dytë “ad hoc”, atij të përzgjedhjes.

Ndërkohë deputetët e Partisë Demokratike kanë paralajmëruar se nuk do të shkojnë në seancë, duke i qëndruar kërkesë së tyre për qeveri teknike.