Apeli i Gjermanisë: Pranoni vendimin e Presidentit të Republikës

503
Sigal

Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU-CSU, Dr. Johann David Wadephul: Pas këtij vendimi të Presidentit, të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit. Këtu përfshihen zgjedhje lokale e demokratike, të marrin pjesë në garën politike me disa kandidatë të mundshëm. Nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë këtë rrugë drejt Evropës, sigurisht që do të marrë çdo mbështetje nga Gjermania

Ilir Meta Presidenti i Republikës anulon zgjedhjet e 30 qershorit. Paralajmërimi i juristit: Ja kur Parlamenti shpërndahet

Apeli i Gjermanisë: Partitë të pranojnë vendimin e Presidentit të Shqipërisë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ditën e shtunë, ka deklaruar se do shfuqizojë dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019, duke bërë me dije edhe disa arsye të këtij dekreti. Madje, më vonë, Presidenca bëri me dije se Presidenti i Republikës Ilir Meta do të japë një konferencë të Jashtëzakonshme për të sqaruar të gjitha argumentet, pse shfuqizoi datën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Dekreti i Presidentit Meta u bë në një kohë kur Opozita e Bashkuar kishte filluar protestën e tetë të madhe kombëtare përpara kryeministrisë dhe, njëkohësisht, kryeministri Rama ndodhen në një (anti)miting elektoral në Berat. Protestuesit e vlerësuan dekretin e Presidentit për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve si një kurorëzim të protestave të opozitës, ndërkohë që Kryeministri Rama, paksa i habitur dhe i nervozuar, deklaroi se e shpërfill dekretin e Presidentit të Republikës dhe, në 30 qershor ,do të organizohen zgjedhjet vendore. Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul u bëri apel palëve politike në Shqipëri që të pranojnë vendimin e Presidentit. Av. Altin Goxhaj në një prononcim për gazetën “Telegraf” u shpreh se, nëse palët politike nuk bien dakord për datën e zgjedhjeve, atëherë Presidenti i Republikës ka të drejtën që të shpërndajë parlamentin dhe të bëhen zgjedhje të reja parlamentare.

Deklarata e Presidentit Ilir Meta

  1. Me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë;
  2. Duke pasur parasysh domosdoshmërinë e shtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend;
  3. Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar;
  4. Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020;
  5. Duke ftuar të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë;

Kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019. Në komunikimin e parë ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentet shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi. U bëj thirrje udhëheqësve të opozitës që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune. Njëkohësisht u tërheq vëmendjen të gjitha palëve që të shmangin çdo provokim që mund të shfaqet gjatë protestës. Shqipëria e para! Shqipëria, si gjithë Evropa!

Sot në orën 08.00 Presidenti i Republikës Ilir Meta do të japë konferencë të Jashtëzakonshme shtypi

Burime zyrtare nga Presidenca konfirmojnë se në orën 08:00, Kreu i Shtetit Ilir Meta do të dalë në një konferencë ku pritet të sqarojë bazën ligjore dhe të japë argumentet shteruese për sa i takon dekretit për anulimin e zgjedhjeve në datën 30 qershor. Gjithashtu mësohet se Kreu i Shtetit do t’i japë përgjigje çdo qëndrimi dhe deklarate të Qeverisë apo mazhorancës lidhur me anulimin e zgjedhjeve.

Reagimet e palëve politike dhe të ndërkombëtarëve

Wadephul: Partitë të pranojnë vendimin e presidentit

Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial në parlamentin gjerman (Bundestag) Johann David Wadephul, reagoi të dielën në një deklaratë për redaksinë e Deutsche Welles ndaj vendimit të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore, më 30 qershor. “Pas këtij vendimi të presidentit, ekziston një situatë e re politike. Të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit. Këtu përfshihen zgjedhje lokale demokratike me disa kandidatë të mundshëm. Kjo presupozon që të gjithë ta pranojnë vendimin e presidentit dhe pastaj të marrin pjesë në garën politike. Çdo gjë tjetër do të ishte jo evropiane dhe do t’i forconte në mënyrë të panevojshme dyshimet mbi dobinë e një procesit të aderimit. Kështu do të krijohej një bazë e re për një bashkëjetesë paqësore mes konkurrentëve politikë. Në Evropë, çdo qeveri duhet të pranojë një opozitë kritike, dhe çdo opozitë duhet të pranojë një qeveri efektive. Kjo është një bazë qenësore për një shtet të qëndrueshëm dhe demokratik. Nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë këtë rrugë drejt Evropës, sigurisht që do të marrë çdo mbështetje nga Gjermania”. Pak para marrjes së vendimit për shtyrjen e zgjedhjeve, Presidenti Meta kishte qenë për një vizitë në Berlin, ku zhvilloi takime me shumë deputetë gjermanë, ndër ta edhe me nënkryetarin e partisë qeverisëse, Johann David Wadephul.