Apeli i fortë i Kryemadhit: Bojkotoni produktet e oligarkëve, bleni në dyqanet e lagjeve

144

Me sa duket Monika Kryemadhi ka vendosur ta kthejë fort nga e majta timonin e LSI. Kryetarja Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një nga qëndrimet më të forta që ka mbajtur në dy vitet që mban këtë post, nuk e ka lënë betejën kundër oligarkëve të Edi Ramës vetëm me retorikë. Ajo i ka propozuar militantëve të saj dhe qytetarëve shqiptarë masën ekstreme të bojkotimit të produkteve të oligarkëve.

“Mos bleni ushqime në qëndrat e tyre tregtare, mos bleni veshje ne dyqanet e tyre firmato, mos përdorni taksitë e kompanive të mëdha, por zgjidhni dyqanet e lagjeve, të fqinjëve tuaj dhe shoferët e që punojnë për të mbajur me bukë familjen” ka qenë mesazhi i Kryemadhit në tubimin për 15-vjetorin e krijimit e LSI.

Nënteksi i kësaj deklarate është shumë i qartë. Pasi ka folur kundër koncesioneve, pasi ka denoncuar kryeministrin që ndan paratë publike me një grup prej dhjetë vetësh Kryemadhi ka menduar se koha është për nisma konkrete.

Dhe ajo ka hedhur një hap që partnerët e saj të PD, sado që të bëjnë retorikë,  nuk guxojnë ta ndërrmarrin as në ëndrrat e tyre më të guximshme.

Nëse Rama nuk tërhiqet nga shpërndarja e pasurisë së përbashkët në pak duar, nëse ata që përfitojnë ia kthejnë atij në forma të ndryshme mbështetjen financiare dhe mediatike, pra nëse Kryeministri është solidar me oligarkët, i takon shqiptarëve të jenë solidarë me njëri tjetrin. Dhe këtu nuk është punë mbështetje politike apo vote, por thjesht solidaritet njerëzor për të përballuar varfërinë.

Kryetarja e LSI-së i shoqëroi këto qëndrime të forta edhe me kritikat që i bëri shefit të rilindjes, se ai e ka shkëputur PS-në nga e majta: “Rilindja nuk ka më asnjë pikë takimi me asnjë ideologji, e aq më pak me të majtën. Rilindja e Ramës do mbahet mend si tradhtarja më e madhe e së majtës shqiptare” tha ajo duke përmendur lidhjen e Ramës me oligarkët.

Ndonëse në programin e LSI ka ende shumë paqartësi ideologjike, pasi kërkohet ulje e taksave dhe për më të pasurit dhe kthimi tek taksimi i sheshte 10%, duket se partia e dalë nga gjiri i socialistëve, po tenton të shfrytëzojë boshllënun e tmerrshëm që ka mbetur në të majtë të spektrit politik shqiptar.

Apeli i saj për të bojkotuar produket e oligarkëve dhe për ti’u kthyer solidaritetit të të varfërve me njëri tjetrin, jo vetëm që është një përpjekje për distancim nga ideja se të gjitha partitë shqiptare punojnë për një kastë të pasurish, jo vetëm do të ritheksojë një ndarje të re klasore në vend, mes atyre që rrëmbejnë gjithçka dhe atyre që humbasin për ditë e më shumë, por mbi të gjitha përbën thelbin e konfliktit të sotëm politik, pasi është thjeshtë teatër të luftosh me Edi Ramën, të dalësh nga parlamenti dhe të anatemosh sistemin, duke qen miqësor me aleatët e tij të vetëm, ata që pasurohen bashkë me të.

Prandaj, thirrja më e fortë që Kryemadhi ka bërë si kryetare e forcës që drejton, ajo për bojkotin e produkteve të oligarkëve, është një lëvizje sa ideologjike aq dhe pragmatike. Nëse i mbahet asaj, kjo do të thotë se ajo po e fut LSI-në në rrugën e vërtetë të një opozite reale që ka kapur problemin thelbësor të shoqërisë: thellimin e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve në periudhën e Rilindjes.