AP kundër Idrizit: Me emrin e Çamërisë ndaheshin poste

Aleanca Popullore dhe kryetari i saj, Artur Dojaka, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos i dhënë mandatin e deputetit, kryetarit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Aleanca Popullore deklaron se përtej vlerësimit dhe diskutimit ligjor mbetja jashtë Kuvendit e Shpëtim Idrizit, vetëm për pak dhjetëra vota, është mesazhi më i qartë që dhanë votuesit në përgjithësi dhe komuniteti çam në veçanti. “Aleanca Popullore u angazhua në zgjedhjet e 25 qershorit në një fushatë intensive për t’i ftuar votuesit të votojnë kundër dhe mbi 30 mijë shqiptarë iu përgjigjën kësaj thirrjeje. Këto vota, veçanërisht në Tiranë, kanë pasur efekt të ndjeshëm në përcaktimin e mandateve të deputetëve. Aleanca Popullore shpreh keqardhjen që PDIU, e shpallur si një parti që mbron të drejtat e komunitetit çam, do të përfaqësohet në Kuvendin e ardhshëm me deputetë nga qarqet e Elbasanit e Dibrës, ku nuk ka një përqendrim të ndjeshëm të këtij komuniteti“, thuhet në deklaratën e AP, që sakaq thekson se çështja çame nuk mund të përdoret për pazare politike. Aleanca Popullore beson se “kontributi për zgjidhjen e çështjes çame nuk mund të jetë një çështje numrash në Kuvend, as një mjet presioni për kryeministrin e radhës. Ne besojmë se pazaret me shkëmbim votash e interesash, jo vetëm politikë, janë shërbimi më i keq që mund t’i bëhet lëvizjes çame. Skemat e shtimit të pushtetit për të shtuar votat dhe shtimit të votave për të shtuar pushtetin nuk kanë asnjë lidhje me lëvizjen çame dhe një komunitet të martirizuar ndër vite”. Gjithashtu, AP nënvizon vullnetin për ta vendosur zgjidhjen e çështjes çame dhe angazhimin e partive e institucioneve shqiptare në shina krejt të tjera. “Dhënia fund e maskaradës së katër viteve të fundit, ku me emrin e Çamërisë ndaheshin poste e portofola, është vetëm rinisja e një rruge të sigurt për lëvizjen e vërtetë çame“, theksohet në deklaratë.