Anna Preka:Idhujt për mua s`kanë vend!

524
Sigal

INTERVISTA/ Flet kandidatja për deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Anna Preka, e cila kryeson listën e Qarkut të Tiranës të Partisë Aleanca Demokristiane

… Anna Preka nuk është rastësisht një grua e suksesshme, profesionin e ekonomistes e ka trashëguar nga i ati, ndërkaq që nga e ëma mësuese Historie, ka kuptuar se që të ecësh përpara duhet të dish mirë se nga vjen. Dhe Anna vjen nga Shkodra, ka lindur dhe është rritur në lagjen “Vasil Shanto”, në Qendër të Qytetit. Prej 20 vitesh emigrantët e Greqisë e njohën ditë pas dite si gruan e fortë të biznesit, njohësen më të mirë të problemeve të tyre dhe mbështetësen më të devotshme. Miqtë e njohën si femrën me guxim që nuk ngurroi t`i kërkonte jetës asgjë nga ato që meritonte, por gjithmonë duke bërë baraspeshën e saktë mes asaj që duhet të japë e të marrë. Parimi më i rëndësishëm në jetën e Annës është: “Në jetë fitoi ai që është i ndershëm dhe punëtor”. E diplomuar për Ekonomi & Drejtësi dhe me disa mastera ndërkombëtarë, së fundmi vendos të angazhohet edhe në politikë . Një biznesmene e suksesshme, por edhe nënë e përkushtuar, Anna është e drejtpërdrejtë dhe modeste gjë që i ndihmon të tjerët në marrëdhënien me të. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, Anna rrëfen me detaje fëmijërinë e saj, sfidat, ambiciet profesionale, lidhjen e ngushtë me familjen, si dhe angazhimin e saj si një politikane …

 Përshëndetje Anna , dukeni më në formë se kurrë . Më thoni ju lutem , cili është sekreti juaj i formave të bukura fizike ?
Sekreti kryesor për të pasur dhe ruajtur format e bukura fizike krahas faktorit gjenetik është padyshim frekuentimi i palestrës, ushtrimeve të ndryshme për linjat & sigurisht një dietë e rregullt ushqimore e pasur me shumë perime dhe fruta.

Fillimet tuaja, sa të vështira kanë qenë ?
Nuk besoj shumë në fat në këtë pjesë. Unë mendoj se fati është si ta bësh. Unë dhe e kam ndjekur dhe më ka ndjekur, kanë qenë shumë gjëra së bashku që më kanë çuar drejt sukseseve të mia. Çdo gjë ka qenë dhe është e vështirë, por, falë talentit dhe vullnetit tim, ia kam dal mbanë! Do t’ia dal gjithnjë sa herë të kem oferta dhe angazhime të ndryshme .

 Në këto momente çfarë mund të themi, po shijon famën, apo suksesin?
Të shijosh frytet e punës tënde është diçka shumë e bukur dhe domosdoshmërisht që biznesi ka edhe famën brenda, kështu them t’i shijoj të dyja. Është herët të flas për suksese të mëdha apo të vogla, dua që shkallët e mia të ngjiten ngadalë. Jam drejt një rruge të tillë dhe shpresoj të jetë një rrugë shumë e gjatë.

Si vishesh në jetën e përditshme? Po veshjet e femrave shqiptare si të duken?
Veshja ime është gjithmonë në varësi të programit ditor që kam. Nëse është një ditë pune, normalisht e veshur sport & praktike. Nëse programi ditor kërkon diçka më klasike apo moderne , sigurisht që i përshtatem eventit. Nëse flasim për femra që janë imazhe mediatike, them se i kapin tendencat, pasi vajzat e ekranit janë të mirinformuara. Nëse flasim për vajzat e vogla, e teprojnë pak më veshjen e paradites ose në shkollë. Mendoj së është bukur t’i shikosh pa grim. Vitet e fundit tendenca po ndryshon, ama mendoj se duhet shumë kujdes në kombinimin e veshjes me stilin qe të përket, dhe ditës që kemi përpara.

Anna & thashethemet, a të prekin ato?
Thashethemet në momentin e parë prekin këdo. Kur pastaj i analizon dhe i mendon me gjakftohtësi, kupton që bëhet fjalë vetëm për fjalë boshe dhe pa bazë i anashkalon. Njerëz të boshatisur e thashethemexhinj ka gjithandej. Nëse nuk kanë gjë më të mirë për të bërë në jetën e tyre se të merren dhe të fantazojnë për dikë tjetër, sigurisht që, nuk do të mundem unë t’ua ndryshoj mendimin ose rutinën e përditshme.

Çfarë e bën një biznes-vvoman të jetë e suksesshme ?
Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të bëhesh biznesmeme apo politikane sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Unë personalisht kam tre parime në jetë, të synoj më të mirën, të punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas të shijoj atë çka kam arritur. Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

 E re në moshë dhe me sukses mbi supe, ky quhet guxim?
Edhe guxim, edhe punë, edhe ëndërr, edhe një horizont drejt të ardhmes time. Përqindja e guximit është e madhe, por 100 % është puna ime, pasi ëndrrat tashmë janë kthyer në realitet. Më pëlqen të qëndroj tek e para, pasi po nuk guxove nuk arrin të mësosh as suksesin, as dështimin. Njeriu mundohet t’i ketë të dyja këto gjëra dhe mes tyre të bëjë një balancë të ndershme .

 Jeni për martesë apo bashkëjetesë ?
Martesa edhe pse bazuar në skema shumë primitive është institucioni më i mirë dhe i pazëvendësueshëm. Është qeliza bazë e një shoqërie të ekuilibruar, nga familja edukohen fëmijët etj., etj.. Ndërsa bashkëjetesa për mua e prish në mënyrë të tërthortë martesën. Zakonisht arsyet pse i shtyjnë njerëzit të bashkëjetojnë janë që ta njohin më mirë njëri- tjetrin, por për mua një njeri mund ta njohësh edhe pa bashkëjetuar. Dy njerëz të dashuruar rrinë dhe harxhojnë kohë të mjaftueshme me njëri -tjetrin aq sa për t’u njohur, nuk kanë pse të shkojnë si me kusht për të bashkëjetuar.

 Kush është idhulli juaj në fushën e biznesit & politikës ?

Nuk kam ndonjë idhull dhe nuk do të doja të kopjoja dikë. Përpiqem të jem sa më origjinale dhe nuk dua të adhuroj askënd. Adhurimi im i përket fesë sime. Jam tepër e kujdesshëm në këto gjëra, idhujt për mua s’kanë vend.

Ndërkaq, le të kalojmë tek martesat Gay, jeni Pro apo kundër ?
Totalisht Pro. Është viti 2013! Tashmë në jetë, në demokraci nuk ka pse të ketë tabu. Jeta shfaqet me të gjitha ngjyrat e ylberit.

Intervistoi: Hermes Nikaj