Ankesa në Kolegj: PD dhe PR të çregjistrohen nga zgjedhjet

521
Pas afateve të vendosura në marrëveshjen Rama-Basha, vendimet e KQZ-së përfundojnë në Gjykatën e Apelit. Sot hidhet shorti për trupin gjykues
“Forca Rinia” ka dorëzuar dje një kërkesë ankimore në Gjykatën e Apelit, drejtuar Kolegjit Zgjedhor, lidhur me regjistrimin e Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane. “Ne e konsiderojmë anti-ligjor regjistrimin e këtyre dy partive në zgjedhjet e qershorit 2017. Ne e konsiderojmë se regjistrimi i tyre është bërë jashtë afatit të parashikuar nga Kodi Zgjedhor neni 64/1. Kështu që, si pasojë e kësaj shkeljeje flagrante Partia Demokratike dhe Partia Republikane duhet të çregjistrohen nga zgjedhjet”, thuhet në një deklaratë të kësaj partie. Neni 64 i Kodit Zgjedhor thotë, se çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve. “Procedurat për mënyrën dhe kohën e thirrjes së zgjedhjeve të përgjithshme, si një nga mekanizmat bazë për garantimin e ushtrimit të sovranitetit popullor, nëpërmjet demokracisë përfaqësuese, përcaktohen saktësisht në ligj, me qëllim që të garantojnë sigurinë juridike për subjektet zgjedhore që konkurrojnë, për të mos lejuar avantazhe apo disavantazhe nëpërmjet tyre, për të garantuar ushtrimin e funksioneve normale të organeve që administrojnë zgjedhjet, e për më tepër, për të parandaluar ushtrimin e pushtetit arbitrar për të ndikuar në mënyrën dhe formën e organizimit të zgjedhjeve”, theksohet në deklaratë. Shorti për përzgjedhjen e anëtarëve të trupës gjykuese dhe relatorit të Kolegjit Zgjedhor, do të zhvillohet sot në orën 14:30.

Afati ligjor për regjistrimin e partive për zgjedhjet e 18 qershorit ishte data 9 prill, ndërsa zgjedhjet u spostuan me një javë, duke e çuar teorikisht afatin më 16 prill. Ndërkohë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve u mor më 21 maj, pas marrëveshjes Rama-Basha. Pikërisht në këtë marrëveshje u caktua 26 maji si afat për regjistrimin e partive dhe kandidatëve. Partia Demokratike dhe Partia Republikane janë regjistruar si subjekte zgjedhore dhe më 26 maj opozita ka dorëzuar edhe listën e kandidatëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar regjistrimin e PD-së dhe PR-së si parti për të marrë pjesë në votimet e 25 qershorit, ndërsa sot pritet të vendosë për listën e kandidatëve. 

Edhe më parë, regjistrimi i kandidatëve të partive të shumicës u bë çështje e Kolegjit Zgjedhor, pasi opozita pretendoi se dorëzimi i tyre ishte bërë jashtë afatit ligjor. Megjithatë dy ankesat për këtë çështje u tërhoqën gjatë shqyrtimit nga trupat gjykuese. 
Shtyhet afati, KQZ vendos sot për listën e PD-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë sërish afatin që Partia Demokratike të dorëzojë listat e plota të kandidatëve për deputetë. Opozita ka dorëzuar tre ditë më parë listën e saj me mbi 90 kandidatë, por në bazë të ligjit ajo duhet të plotësojë 140 emra për të garuar në zgjedhjet e 25 qershorit. Komisioni u mblodh sërish pasditen e djeshme pasi i kishte lënë afat 24 orë PD-së që të dorëzonte të plota listat. Por përsëri PD nuk i dorëzoi as dje listat. Kështu që KQZ vendosi me unanimitet që afati i fundit për dorëzim të jetë sot në orën 9:00. “Duke kërkuar një mirëkuptim nga përfaqësuesit e partive politike, por edhe nga kolegët në tavolinë do të propozoja t’i japim edhe një afat deri nesër (e martë) në orën 09:00 subjektit në fjalë dhe në 09: 30 të thërrasim mbledhjen e komisionit”, u shpreh kryetari Klement Zguri. Këtë herë mbledhja e KQZ-së ka qenë e qetë dhe pa debate, ndërsa është votuar me 7 vota pro shtyrjes së afatit. PD-ja ka pasur parregullsi me listat, pasi nuk ishin të plota me emrat e kandidatëve dhe nuk ishin shoqëruar me formularin e dekriminalizimit. Për këtë arsye, KQZ vendosi ta shtyjë për dje miratimin e kandidatëve, ndërsa dje u bë një tjetër shtyrje. Paraditen e sotme demokratët duhet të plotësojnë dosjen e kandidimit dhe më pas t’i japin mundësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të hedhë shortin për renditjen e partive në fletën e votimit. Ky proces do t’i hapë rrugë edhe procesit të shtypjes së fletëve të votimit. Ndërkohë, kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, takoi dje kreun e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukrich. Qëllimi i takimit ishte bashkërendimi i projekteve që KQZ po zhvillon me mbështetjen e Këshillit të Evropës në plotësim të nevojave të KQZ-së për zgjedhjet e datës 25 qershor 2015. Duke e falënderuar për bashkëpunimin permanent, kryetari i KQZ-së Klement Zguri e vlerësoi si shumë të rëndësishëm mbështetjen e organizmave ndërkombëtarë, si Këshilli i Evropës, për të arritur organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve me standarde ndërkombëtarë dhe të besueshme jo vetëm nga faktori politik, por edhe nga qytetarët shqiptarë.
Sigal