Anëtarët e KQZ-së, “mercenarët” e partive politike

696
Jakup B. GJOÇA

Komisioni Parlamentar për Çështjet e dhe Administratën Publike, ka miratuar një projektrezolutë për vlerësimin e punës të KQZ-së për vitin 2017. Por edhe KQZ-ja ( çuditërisht, përkon në të njëjtën kohë) ka përfunduar auditimin e saj për shpenzimet financiare të partive politike për vitin 2017. KQZ-ja si institucion kushtetues për monitorimin e zgjedhjeve, për financimin e zgjedhjeve dhe të partive politike, në auditimin e saj për financimin e partive politike gjatë 2017-s nuk ka gjetur asnjë paligjshmëri nga partitë politike, edhe pse në 25 qershor 2017 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe partitë politike shpenzuan miliona euro në fushatë zgjedhore, natyrisht, të paregjistruara, të padeklaruara, edhe pse raportet e institucioneve ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve kanë shkruar në raportet e tyre se vota në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri në 25 qershor 2017 u shitble. Vetëm KQZ-ja nuk pa, nuk dëgjoi, dhe nuk ka prova për shitblerjen e votave…..Dhe, si shpërblim të këtij auditivi, edhe Komisioni Parlamentar i Çështjeve Ligjore, në projektrezolutë, do të japë notën maksimale për vlerësim të veprimtarisë së KQZ-së për 2017. Këto dy fakte, projektrezoluta për vlerësimin e KQZ-së dhe auditivi i KQZ për financimin e Partive politike janë 2 anët e së njëjtës monedhë, KQZ-ja është Kupola e Administratës Zgjedhore, tërësisht e politizuar. Anëtarët e KQZ-së zgjidhen në raportin politik të partive politike në parlament dhe mbrojnë e shprehin vetëm interesat politike të partisë, që ata përfaqësojnë dhe aspak nuk mbrojnë të drejtat kushtetuese në zgjedhjet parlamentare dhe vendore. Partitë politike që dominojnë në parlament, KQZ-së e kanë përdorur sa herë instrument për të sunduar interesat e tyre në Administratën Zgjedhore, në dëm të partive të tjera, të papërfaqësuara në parlament, në dëm të vullnetit të elektoratit. Partitë Politike, duke shkelur ligjin e KQZ-së, duke shkelur Kushtetutën, sa herë kanë dashur, edhe brenda natës, kanë ndryshuar përbërjen e KQZ-së, strukturën e saj, duke hedhur e shtuar këdo anëtar që duan, heqin dhe zëvendësojnë kryetarin e KQZ-së si duan partitë politike, mandatet e anëtarëve të KQZ-së edhe pse janë kushtetuese, u ndërpritet sa herë dhe në çdo kohë që dëshirojnë partitë e mëdha parlamentare. Vetë partitë parlamentare kanë hartuar dhe miratuar ligjin “Për KQZ-në” në mënyrë të atillë, që partitë politike të kenë dorën e lirë nga ligji, nga moskontrolli i KQZ-së për shpenzimet financiare të tyre. Partitë parlamentare i kanë “krasitur” KQZ-së të drejtën që të monitorojë drejtpërdrejt partitë politike për shpenzimet e financimet e tyre vjetore dhe elektorale. Pastaj, si mundet që një anëtar dhe kryetari i KQZ-së të auditojë, të hetojë partinë politike, e cila e ka (për)zgjedhur atë vetë për shpenzimet elektorale? Si mundet të ketë vullnet ligjor anëtari dhe kryetari i KQZ-së të denoncojnë partinë politike që e ka (për)zgjedhur në KQZ për shpenzimet financiare, kur partia politike e shkarkon në çdo çast këdo anëtar dhe kryetarin e KQZ-së, pa respektuar aspak as Kushtetutën e Republikës, e cila u garanton anëtarëve të KQZ-së mandat kushtetues në KQZ. Paskëtaj, të shumta janë edhe rastet, kur anëtari i KQZ-së dhe kryetari i KQZ-së janë shpërblyer nga partia politike për përkushtimin partiak që dëftoi në KQZ, duke e “graduar” edhe si deputet, pasi i ka mbaruar mandati në KQZ. Prandaj, edhe raportet vjetore që përgatitin KQZ-ja për financimet vjetore të partive politike janë kaq formale, jo vetëm asnjëherë KQZ-ja nuk ka çuar në prokurori parti politike për shpenzime elektorale të pajustifikuara, pa hetuar aspak as burimet financiare të partive politike, (që mund të vijnë edhe nga financimi nga bota e krimit, nga korrupsioni), por edhe në raste formale, kur KQZ-ja ka konstatuar shkelje të vockëla joligjore te financimit të partive politike, ligji parashikon dënime kaq qesharake për partitë politike. Prandaj, edhe projektrezolutat e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, janë formale me vlerësime absolute për veprimtarinë vjetore të KQZ-së, sa do t’ia kishin zili edhe vlerësimet që u bëhen kandidatëve për çmimin “Nobel”. 
Sigal