Anëtarët e Gjykatës së Lartë, PS-LSI- letër Nishanit: Të rihapet procesi i kandidimit!

491
Sigal

Ja letra e Ruçit dhe Vasilit drejtuar Presidentit Nishani, rreth emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë

Menjëherë pas takimit të zhvilluar pak ditë më parë mes Presidentit të Republikës z.Bujar Nishani dhe krerëve të grupeve parlamentare të pozitës dhe opozitës, në lidhje me plotësimin e tre vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, dy grupet parlamentare të maxhorancës, PS dhe LSI, i kanë dërguar një letër Kreut të Shtetit, ku edhe njëherë ata i apelojnë Presidentit t’i përmbahet sipas tyre detyrimit ligjor për këtë proces. Edhe pse konsultimet e krerëve të grupeve parlamentare me Presidentin e Republikës Bujar Nishani janë konsumuar, sipas maxhorancës nuk i kanë shërbyer krijimit të një raporti bashkëpunimi luajal dhe institucional kushtetues, nëpërmjet Presidentit dhe Kuvendit. “Ne sugjerojmë të rihapet procesi i kandidimit duke mos e mbajtur më peng të listave të mëparshme, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin e njohur publikisht se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar së fundmi si antikushtetuese dy dispozita të ligjit për Gjykatën e Lartë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me disa nga kriteret objektive dhe kritere shtesë”, thuhet në letrën drejtuar Nishanit. Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili, në këtë letër i kanë parashtruar Presidentit një sërë argumentesh ligjorë, që sipas tyre, duhet të mbahen parasysh nga Bujar Nishani në këtë proces. Mes të tjerash në letrën drejtuar Presidentit, Ruçi dhe Vasili i kanë quajtur takimet konsultative si një shmangie e kompetencës që ka kuvendi i Shqipërisë për dhënien e pëlqimeve për anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Na lejoni të themi që qasja juaj institucionale në këto takime konsultative ka sjellë një shmangie të kompetencave vendimtare që ka Kuvendi i Shqipërisë për dhënien e pëlqimit për dekretet e emërimet për gjyqtar të Gjykatës së Lartë. Ne kemi kërkuar në vazhdimësi nga ju, një proces përzgjedhjeje të bazuar në kushtet e kriteret konkrete të përcaktuar në ligj dhe jo në perceptimet personale dhe as në parapëlqimet politike. Në asnjë nga këto takime nuk u mundësia konsultimi për përcaktimin e kritereve shtesë, bazuar mbi listën e kandidatëve siç detyrojnë ndryshimet e reja ligjore të miratuar konsensualisht”, shkruhet më tej në letër. Ata janë të bindur, se kandidaturat për Gjykatën e Lartë, duhet të përmbushin nivelin më të lartë cilësor, se korrupsioni i kudogjendur në strukturat shtetërore e veçanërisht në sistemin e drejtësisë, kërkon angazhimin e gjyqtarëve me integritet moral dhe profesional. “Identifikimi i kandidaturave me integritet të lartë profesional dhe moral që do të përzgjidhen për të kryer funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, është piksëpari çështje e presidentit, por është një përgjegjësi po aq e madhe kushtetuese, ligjore, morale dhe politike e Kuvendit”.