Anëtarësimi në Dhoma, AmCham: Çdo biznes duhet të ketë lirinë e garantuar në Kushtetutë

390
Sigal

Gazeta Telegraf/


Dhoma Amerikane
e Tregtisë shprehu shqetësimin e saj dhe të gjithë anëtarëve në lidhje me
ndryshimin e ligjit për anëtarësimin në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të
miratuar në Kuvend. Qëndrimi i Dhomës Amerikane është që çdo biznes duhet të
ketë lirinë e garantuar në Kushtetutë që të jetë pjesë e organizatave që
dëshiron ta përfaqësojnë, duke përfshirë këtu edhe të drejtën për të mos qenë
pjesë e asnjërës prej tyre. Duke siguruar lirinë e biznesit të zgjedhë, të
gjitha dhomat dhe shoqatat do të ishin më të vëmendshme për të rritur nivelin e
shërbimeve, për të përfaqësuar me dinjitet zërin e anëtarëve të tyre, dhe për
të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Fuqizimi i
organizatave të biznesit është tregues i rëndësishëm i nivelit të zhvillimit të
biznesit dhe i demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kuadër duhet
të veprojnë edhe dhomat e tregtisë dhe industrisë. Çdo favorizim i këtyre
dhomave përbën një diskriminim të shoqatave të tjera të biznesit. Dhoma
Amerikane do të vazhdojë të këmbëngulë në punën e saj për të rritur lirinë
ekonomike në vend dhe për të respektuar të drejtat e anëtarëve të saj dhe të
biznesit në përgjithësi. “Dhoma Amerikane e Tregtisë e ka ndjekur procesin e
diskutimit të këtij ligji që nga muaji dhjetor 2015, kur projektligji u dërgua
në Kuvend. Në kundërshtim me angazhimin e shprehur qartë nga qeveria për
diskutim dhe dialog me biznesin mbi aktet ligjore dhe nënligjore të cilat
prekin biznesin, si edhe në kundërshtim me detyrimin ligjor të përcaktuar në
ligjin nr. 57/2014 “Për Këshillin Ekonomik Kombëtar” dhe nr. 146/2014 “Për
njoftimin dhe konsultimin publik”, këto ndryshime nuk kaluan asnjë fazë
diskutimi publik përpara se t’i dërgoheshin Kuvendit të Shqipërisë. Diskutimet
e mëpasshme në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese krijuan përshtypjen se do
të merreshin parasysh nevojat e biznesit dhe rezultuan në disa ndryshime të
rëndësishme që synojnë të rritin transparencën dhe përgjegjshmërinë e Dhomave
të Tregtisë dhe Industrisë. Pavarësisht nga këto ndryshime, ligji i miratuar
cënon lirinë e biznesit duke mos e lejuar atë të largohet nga një institucion
në rast se qëndrimet dhe veprimtaria e institucionit bien ndesh me nevojat dhe
kërkesat e biznesit.  Rezultatet e
Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane për vitin 2015-2016 treguan se
shqetësimi kryesor për klimën e biznesit në vend është niveli i taksave. Edhe
në Raportin Global të Konkurrueshmërisë, i cili u botua këto ditë, niveli i
taksave zë vendin e dytë në listën e faktorëve më problematikë për biznesin.
Pikërisht në këtë kohë, ky ndryshim i ligjit shton një pagesë më tepër, e cila
rrit barrën fiskale mbi biznesin dhe vepron për të frenuar rritjen ekonomike,
në vend që të inkurajojë sipërmarrjen”, thuhet në njoftimin për shtyp.