Anëtarë e Gjykatës së Lartë, Presidenti Nishani letër Ruçit dhe Vasilit

493
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i është përgjigjur dje shkresës së Kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste, zotit Gramoz Ruçi dhe zotit Petrit Vasili të Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Në letrën e tij Presidenti Nishani shkruan se: “duke marrë shkas nga letra e dërguar nga dy kryetarët e grupeve parlamentare, të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me dekretet e Presidentit për emërimin e gjyqtarëve në vendet vakante të krijuara në Gjykatën e Lartë, detyrohem të sqaroj dhe të paraqes qëndrimin tim si President i Republikës, në funksion të veprimtarisë kushtetuese, si organ i pavarur dhe asnjanës, në raport me pushtetet e tjera, e kryesisht me atë ligjvënës”. “Që në fillim dëshiroj të them se, me marrjen e statusit Vend Kandidat për në Bashkimin Europian kërkohet një qasje e re në veprimtarinë parlamentare në raport me detyrimet ndaj institucioneve të tjera kushtetuese dhe të pavarura. Në këtë konkluzion, arrij pas një analize të punës së deritanishme të bërë midis dy institucioneve tona dhe atyre të pavarura, që jo rrallë herë me keqardhje konstatoj se lënë për të dëshiruar”,- thekson Nishani. Sipas Presidentit të Republikës, “Praktika të tilla, bllokuese dhe të paargumentuara ligjërisht, siç janë vendimmarrjet parlamentare për mosdhënien e pëlqimit në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nuk janë në nderin e Parlamentit dhe as në interesin e demokracisë në vend”. “Në gjykimin tim si dhe në gjykimin tonë të përbashkët, Parlamenti duhet të përmbushë detyrimet e veta në zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, pavarësisht ndarjes partiake, apo interesit afatshkurtër apo afatgjatë politik”, thekson Presidenti Nishani. “Duke u kthyer në analizën e konstatimeve të parashtruara në letrën që më keni dërguar, më duhet të them se ato janë të pavërteta dhe të pambështetura në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë, i cili rregullon në mënyrë të qartë procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ligj i miratuar me konsensus gjithëpërfshirës në Kuvend, si dhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, tashmë të konsoliduar për ne dhe të aplikueshme për herë të parë gjatë këtij mandati presidencial”,- shkruan Nishani. Sipas Presidentit të Republikës, “E gjithë praktika e deritanishme e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nga Institucioni i Presidentit të Republikës, është konsideruar që në fillim dhe në mënyrë të padiskutueshme si një proçes bashkëpunimi midis Gjykatës së Lartë (me bërjen e njoftimit për vakancë), Presidentit të Republikës (me shpalljen e konkurrimit, verifikimin e dokumentacionit të konkurrentëve, publikimin e listës së kandidatëve, konsultimet me grupet parlamentare deri në dekretet e emërimit) dhe Kuvendit (nëpërmjet konsultimit dhe dhënies së pëlqimit), një tërësi procedurash të vërtetuara dhe të njohura nga çdo deputet dhe të bëra publike për mbarë opinionin qytetar”. Nisur nga kjo logjikë e ligjës, vijon Nishani, “është absurde që ju të pretendoni se Kuvendit i është hequr kompetenca për vendimmarrjen mbi dhënien e pëlqimit”.