Anastas Arbëri: “Njollat e zeza” të Abaz Ermenjit dhe përmendoret e turpit

631
Sigal

Profili i antifashistit që u bë kryeballist dhe mori rrugën e tradhtisë

Sipas të dhënave historike, del se Abaz Ermenji, nga 1939 deri në fillim të 1942, paska dhënë kontributin e tij si patriot, kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Për këto ndjenja patriotike si nacionalist, shokët drejtues të LANÇ të Qarkut të Beratit, Kahreman Ylli dhe Gjin Marku, i propozuan të përfaqësonte popullin antifashist të këtij qarku në Konferencën Historike të Pezës më 16 shtator 1942. Abaz Ermenji, porsa mbërriti në Tiranë nuk shkoi në Pezë, por në librarinë “Lumo Skëndo” të Mit’hat Frashërit. Atje mbasi bisedoi me të, morri rrugën jo për në Pezë, por në Skrapar. Nga kjo periudhë Abaz Ermenji nga antifashist kthehet në kryeballist, ku krijoi çetën e “Ballit Kombëtar”, e cila përcaktoi përfundimisht rrugën e tradhëtisë dhe të turpit që ndoqi ai si bashkëpunëtor me pushtuesit e huaj nazifashistë, duke iu kundërvënë popullit të vet, i cili ishte ngritur i tëri në këmbë i bashkuar në Frontin NÇ. Abaz Ermenji, njëri nga krerët kryesorë të “Ballit Kombëtar”, nuk la gurë dhe mjet pa lëvizur me propogandën e tij të shfrenuar kundër LANÇ, u mundua që të kufizonte atë vetëm në një pjesë të Shqipërisë, në jug të saj. Atë e kishte mbytur fantazma e “komunizmit”. Është e vërtet historike dhe e pamohueshme se qysh nga viti 1941 e deri më 29 nëntor 1944 komunistët lozën një rol të rëndësishëm si atdhetarë, njerëz të sakrificave, luftëtarë në ballë të betejave, propagandistë dhe organizatorë të zot që u dalluan në zjarrin e luftës për lirinë e Shqipërisë. Ata ngritën në këmbë masat e gjëra të popullit në luftë të armatosur kundër pushtuesve të huaj nazifashist dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogist. LANÇ kishte marrë përpjestime të gjera nga jugu në veri, në Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë, Berat, Durrës, në krahinat malore të Shëngjergjit, Labinotit, Kurveleshit, të Skraparit, Mallakastrës, Mesaplikut, Gorë-Opar, në krahinën e Bëbë Myslymit që ngriti i pari flamurin e luftës së armatosur kundër pushtuesve Italian. Nuk mbeti pas Dibra e Heroit të Popullit Haxhi Lleshi, ajo e Babë Fajë Martaneshit e shumë të tjera. Kështu, që propaganda e Abaz Ermenjit për ta kufizuar luftën e vetëm në një pjesë të Shqipërisë bie poshtë dhe qëllimi i tij kryesor ishte për të shuar zjarrin e fuqishëm që kishte shpërthyer në të gjithë vendin tonë.

Krerët e “Ballit Komëbtar” pritën me pushtuesit me krahë hapur

Udhëheqësit e Ballit Kombëtar, ditën e agresorit fashist e pritën me krahë hapur dhe u vunë menjëherë në shërbim të tij, si Bektash Cakrani, njëri nga krerët kryesor të ballit, Ali Bej Këlcyra, autori i protokollit “Dalmaco-Këlcyra”, Kol Tromara, anëtar i këshillit të shtetit kuislingë, Hasan Dosti Ministër i Drejtësisë, Faik Qafoku Prefekt i Qarkut të Gjirokastrës, Fuat Dibra Ministër i Ekonomisë etj. Të gjithë këta ishin Anëtar të Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar dhe me në krye Abaz Ermenjin, u vunë në shërbim të pushtuesve të huaj nazifashist, duke ju shërbyer me vullnet dhe zell të madh të huajve, duke tradhëtuar interesat e kombit shqiptar të cilët i sollën shumë dëme të rënda vëndit. Balli Kombëtar, me në krye Abaz Ermenjin, në bashkëpunim me pushtuesit e huaj nazifashist, e dogjën dhe e shkatërruan Shqipërinë, ata vranë e gjymtuan 7.3% të popullatës, dogjën 21% të fshatrave dhe qyteteve, asgjësuan një të tretën e gjësë së gjallë etj. Abaz Ermenji është njëri prej 200 kriminelëve më të mëdhenj të popullit shqiptar, krimet e të cilit gjatë LANÇ janë jo vetëm të dokumentuara por edhe të fiksuara në kujtesën e popullit tonë. Abaz Ermenji ishte njëri prej themeluesve të organizatës tradhëtare të Ballit Kombëtar, komandant i operacionit terrorist gjermano-ballist në jug të Shqipërisë, bashkëpunëtor i zellshëm dhe tepër aktiv me komandat e ushtrisë gjermane në veprat kriminale ndaj popullit. Ai ka qënë përgjegjës i drejtëpërdrejtë si komandant i “Ballit Kombëtar” për vrasjen e pafajshme të 114 fshatarëve në Vlush, Kapinov, Çepan e Krushovë  të rrethit të Skraparit gjatë operacionit të dimrit 1943-1944, ai është bashkëpërgjegjës për masakrën e 4 shkurtit 1944 në Tiranë, për vrasjen barbarisht të 84 vetave. Bëmat e Abaz Ermenjit nuk kanë të mbaruar për veprat e tij kriminale, për masakrën e 140 patriotëve dhe të rinjve antifashistë të internuar në kampin e Prishtinës, për qindra e mijëra të rinj e të reja të internuar në kampet e nazi-fashistëve. Ai është përgjegjës për pushkatimin e Margarita e Kristaq Tutulanit, të Kristaq Capos dhe Andrea Vrushos, për masakrën e 26 majit 1944 në vrasjen e 72 punëtorëve të pafajshëm tek Çezma e Thatë në Berat, si dhe për qindra e mijëra të rinj e të reja që dhanë jetën e tyre për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Flakët e LANÇ kishin marrë përpjestime të mëdha në të gjithë Shqipërinë, njësitet partizane ishin rritur në numër nga çeta në batalione, brigadë e më gjerë, të cilat e goditën armikun pa pushim.

Operacioni fashisto-ballist

Pushtuesit e huaj, në bashkëpunim me mercenarët e ballistë, të drejtuar nga Abaz Ermenji, bënë çmos për të shuar zjarrin e luftës, për të cilën ndërmorën një operacion të madh me rreth 3000 trupa prej të cilave, 1500 ishin mercenarë të kriminelit Halil Aliaj e Selim Kaloshit, nën komandën e kryeballistit Abaz Ermeni, në drejtim të qarkut të Vlorës dhe të qarkut të Beratit.  Ky operacion fashisto-ballist, kishte për qëllim asgjësimin e LANÇ, por armiku dhe mercenarët  në këtë operacion dështuan me turp. Abaz Ermenji, si gjithë bashkëpunëtorët e tjerë të “Ballit Kombëtar”, për krimet që kishte bërë u arratis bashkë me karron e blinduar të nazistëve, me të vetmin qëllim për t’i shpëtuar gjyqit të popullit për krimet që kishte bërë ndaj kombit të vet. Ai edhe në arrati nuk pushoi së vepruari kundër Shqipërisë, duke organizuar dhe dërguar banda diversantësh, të cilët me të gjitha format dhe mjetet mbollën terror në popull. Po ky ishte kryekomandant dhe kryetar i “Ballit Kombëtar”, mbasi brodhi dekada të tëra nëpër Evropë, një ditë të bukur pas lindjes së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, na kthehet plot krenari, tani me funksionin e Kryetarit të “Ballit Kombëtar”, ku u prit me të gjitha nderimet nga qeveria e Partisë Demokratike, ju la fushë e lirë veprimi në ringjalljen e partisë së ballit kombëtar. Tani me një krenari jo të ligjshme brodhi në disa rrethe të Shqipërisë dhe në takimet me njërëzit, u tregonte trimërit duke iu thurur lavdi ballit kombëtar që kishin “luftuar për mëmëdhenë” dhe trimëritë e ballistëve kundër Frontit NÇ. Të gjitha këto ishin përallat e Abaz Ermenjit, për ta kthyer historinë me kokë poshtë, duke mos i thënë të vërtetën popullit për bëmat e Abazit dhe të organizatës tradhtare të ballit që ai drejtoi. Por Abazit, nuk i hyri as një gjëmb në këmbë, deri sa ndërroi jetë në vend të huaj. Direktivat e Sali Berisha, për rishikimin e historisë po bëhen realitet dhe mbështetje për të gjithë kriminelët e luftës, për pinjollët e “Ballit Kombëtar”, që kërkojnë të mohojnë luftën legjendare dhe heroike që bëri populli ynë kundër pushtuesve të huaj nazifashist dhe po i thurnin lavdi kufomave të vdekura, kriminelëve të ballit që e mbyllën me turp veprën e tyre. Veteranët e LANÇ, Organizata e Dëshmorëve të LANÇ dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut si dhe Shoqata e Invalidëve të LANÇ të rrethit të Beratit e kanë pritur me indinjatë të thellë ngritjen e simpoleve dhe dekorimin e disa prej krerëve të “Ballit Kombëtar” që janë njohur në të gjithë Shqipërinë si bashkëpunëtor të zellshëm të fashizmit Italian e të nazizmit gjerman si dhe për krimet që kanë bërë në historinë e vendit tonë. Para ca kohësh, në qendër të kryeqytetit është ngritur busti i Osmën Kazazit, si pishtar i demokracisë. Kazazi ka qënë Sekretar i Rinisë së “Ballit Kombëtar” dhe pjesëmarrës në masakrën e 4 shkurtit, ku u vranë barbarisht 84 njerëz të pafajshëm. Kështu, që busti i tij krijon urrejtje dhe neveri për bëmat që ka bërë, ashtu siç krijon neveri edhe ngritja e bustit të Halil Alisë në qendër të qytetit të Peshkopisë. Ky është një turp i madh që i bëhet popullit të Dibrës që është shquar për patriotizmin e zjarrtë. Ky është turp për organet e pushtetit vendor, që merren me ngritjen e simboleve të kriminelëve, në një kohë që treva e Dibrës ka burra të shquar që njihen nga historia dhe që meritojnë përmendoret në vendin e tyre. Kohët e fundit ish Presidenti Topi, i ndikuar edhe nga politika destrukktive që ndoqi qeveria e Berishës, për të ringjallur figura të shëmtuara kriminale, vuri firmën për dekorimin e krerëve të “Ballit Kombëtar”, bashkëpunëtor të zellshëm me pushtuesit e huaj. Ali Bej Këlcyra, eksponent kryesor i “Ballit”, i njohur për marrëveshjen “Dalmaco-Këlcyra” me Italinë fashiste, bashkëpunëtor i zellshëm i nazifshizmit dhe kriminel i rregjur, tradhëtar i kombit të vet, duke marr arratinë nëpër Evropë për bëmat që kishte bërë dekorohet. Reliket e tij, veglat e rrojës dhe xhaketën i vendosin në Muzeun Historik Kombëtar. Po kështu,  dekorohet edhe Mit’hat Frashëri, kryetar i “Ballit Kombëtar”, bashkëpunëtor i nazifashizmit, përgjegjës kryesor për të gjitha krimet që organizata e tij bëri  gjatë LANÇ, ashtu si dhe Lef Nosi, si një nga krerët e Regjencës që ka qënë përgjegjës për të gjitha veprat kriminale ndaj populli shqiptar. Të gjitha këto veprime e kanë burimin tek politika destruktive që ndoqi qeveria e Berishës, për të mohuar historinë e vërtetë të popullit tonë. Nuk duhet vënë kurrë shenja e barazimit, që fitimtarët të konsiderohen të humbur dhe të humburit fitimtar. Jo zotërinj të presidencës dhe të qeverisë, kjo s’ka ndodhur dhe nuk do të ndodh sepse historinë e ka bërë populli shqiptar me grykën e pushkës dhe me gjakun e 28.000 dëshmorëve të Atdheut.

Veteran i LANÇ