Analiza, Meta: Do ketë një riorganizim nga e para në LSI-në e Pogradecit

472
TIRANË – LSI në Pogradec do të riorganizohet, kështu ka deklaruar kreu i Kuvendit Ilir Meta në mbledhjen e kryesisë së LSI-së. Ky vendim vjen pas rezultatit zhgënjyes të kësaj force në këtë Bashki, ku kandidatja Diana Mile humbi përballë kandidatit të PD.
Ilir Meta mblodhi sot kryesinë e partisë për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Meta vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të kësaj force politike në këtë proces, ndërsa e quajti të papranueshëm rezultatin në Pogradec, për të cilin paralajmëroi dhe ristrukturimin e degës në këtë qytet.
Në fillim të fjalës së tij kreu i LSI-së vuri në dukje qëndrimin e opozitës, e cila, tha ai, u përpoq të cënonte proçesin zgjedhor, për të cilën kjo forcë politike kishte paralajmëruar më herët dhe ndërkombëtarët.
“LSI, si forcë e përgjegjshme dhe serioze, shqetësohet për mbarëvajtjen e demokracisë dhe të standardeve zgjedhore në Shqipëri, për cënimin e të cilave kishim paralajmëruar ndërkombëtarët se do të bëhej gjithçka për t’i cënuar nga opozita, që për fat të keq është akoma e çoroditur dhe në drejtim të paditur”, tha Meta.
Megjithatë, shtoi ai, qytetarët shqiptarë qëndruan larg kësaj retorike helmuese dhe provokative dhe votuan me kulturë e qytetari.
Duke falenderuar 260 mijë qytetarët shqiptarë që votuan për LSI-në, por dhe gati 1 milion votuesit që përkrahën koalicionin e ASHE-së, Meta tha se tashmë është e rëndësishme që gjithë shqiptarët të ndihen të fituar dhe të gjithë të prekin frytet e reformës së re territoriale
Rezultati ynë, vijoi ai, tregon një progres të jashtëzakonshëm të LSI-së anembanë vendit dhe në nivel kombëtar. LSI ka mundur të dyfishojë votat në raport me vitin 2011, nga 140 në 260 mijë vota, ndërsa krahasuar me vitin 2013 rezultati i saj është rritur me 80 mijë vota, tha Meta.
Deklarat e plotë e z.Meta
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mblodhi Kryesinë e LSI-së për të analizuar rezultatet e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së parë të kryesisë pas zgjedhjeve, z. Meta tha zgjedhjet e 21 qershorit ishin historike sepse qytetarët me votën e tyre zgjodhën 61 kryetarët e rinj të bashkive, duke u dhënë mundësinë për të treguar tashmë frytet që do të ofrojë reforma administrative-territoriale në shërbim të qytetarëve tanë dhe në interes të këtyre komuniteteve. 
“Zgjedhjet e 21 qershorit ishin mjaft të rëndësishme dhe historike për faktin, sepse qytetarët tanë me votën e tyre zgjodhën 61 kryetaret dhe kryetarët e rinj të bashkive, por edhe 61 parlamentet e reja vendore, duke u dhënë mundësinë për të treguar tashmë frytet që do të ofrojë reforma administrative-territoriale në shërbim të qytetarëve tanë dhe në interes të këtyre komuniteteve. Natyrisht LSI-ja si një forcë e përgjegjshme dhe mjaft serioze ka qenë dhe mbetet e preokupuar për mbarëvajtjen e demokracisë dhe të standardeve zgjedhore në Shqipëri, për cenimin e të cilave kishim informuar edhe opinionin publik edhe partnerët ndërkombëtarë, se do të bëhej çmos për t’i paragjykuar dhe cenuar nga opozita, për fat të keq ende e çoroditur dhe në drejtim të paditur. Megjithatë qytetarët shqiptarë qëndruan larg një retorike helmuese dhe provokative dhe demonstruan një kulturë të jashtëzakonshme qytetarie dhe civilizimi, që ka merituar përgëzimin e të gjithëve dhe që natyrisht meriton edhe përgëzimet tona më të sinqerta”, tha Lideri i LSI-së. 
Njëkohësisht z. Ilir Meta falënderoi 260 mijë qytetarët shqiptarë që votuan për LSI-në si edhe gati 1 milionë votues që përkrahën Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe kandidatët e saj në të gjithë vendin. Sipas kryetarit të LSI-së, tani është e rëndësishme që të gjithë shqiptarët të ndihen të fituar të prekin frytet e reformës së re administrative-territoriale. 
“Tani kur pothuajse gjithçka ka përfunduar më duhet të falënderoj 260 mijë qytetarët shqiptarë që votuan për LSI-në, por edhe gati 1 milionë votues që përkrahën Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe njëkohësisht kandidatët e saj në të gjithë vendin. Ata që fituan në masën më dërrmuese të gjithë njësive vendore, por edhe të gjithë të tjerët që konkurruan me dinjitet dhe që bënë më të mirën për të pasur një garë sa më të fortë dhe demokratike kudo anembanë vendit. Tani është e rëndësishme që të gjithë shqiptarët të ndihen të fituar, është e rëndësishme që ata të gjithë të prekin frytet e reformës së re administrative-territoriale. Për këtë është shumë e rëndësishëm edhe bashkëpunimi i qeverisë vendore me 61 kryetaret dhe kryetarët e rinj të bashkive, por njëkohësisht edhe bashkëpunimi midis këshillave të reja bashkiake dhe drejtuesve të rinj në mënyrë që interesi i qytetarëve të dominojë çdo vendimmarrje”, – deklaroi më tej z. Ilir Meta, duke theksuar se zgjedhjet e 21 qershorit nuk ishin zgjedhje politike, ndërsa nënvizoi faktin se ky rezultat tregon një progres të jashtëzakonshëm të LSI-së anembanë vendit dhe në nivel kombëtar. Duke iu referuar shifrave rezulton se LSI-ja ka arritur më shumë se dyfishimin e votave në raport me zgjedhjet vendore të viti 2011. 
“Ne e kishim thënë edhe më parë se zgjedhjet e 21 qershorit nuk i shikonim si zgjedhje politike, por përsëri i qëndrojmë kësaj. Të tjerët i vlerësuan si referendum dhe natyrisht u gëzuan për fitoren që arritën, për të cilën ne u urojmë suksese. Përveç falënderimit për 260 mijë qytetarë shqiptarë nga Saranda në Tropojë, që votuan për LSI-në dua të theksoj se ky rezultat tregon një progres të jashtëzakonshëm të LSI-së anembanë vendit dhe në nivel kombëtar. LSI-ja ka arritur më shumë se dyfishimin e votave në raport me zgjedhjet vendore të viti 2011, pra nga 120 mijë vota, në 260 mijë vota, 140 mijë vota më shumë dhe njëkohësisht 80 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet politike të vitit 2013”, – vijoi z. Meta. 
Më tej, Lideri i LSI-së vlerësoi rezultatet e arritura në ato zona të arritura ku LSI-ja ka dalë forcë e parë apo forcë e dytë dhe theksoi se merita i takon politikës së LSI-së dhe drejtuesve të degëve vendore apo kandidatëve. 
“Po ky rezultat lexohet në këndvështrime të ndryshme në bashki të ndryshme, kështu që përgëzimet e para u takojnë atyre që dalin të parët, dhe i takojnë LSI-së në Malësinë e Madhe, në Pukë Fushë-Arrëz, në Mirditë, në Klos, në Skrapar, në Përmet, në Këlcyrë, Memaliaj, në Dropull dhe në Delvinë. Pra, për herë të parë LSI-ja në 11 bashki del forcë e parë, ndërkohë që rezultoi forcë e dytë në 21 bashki të tjera të vendit dhe pikërisht në Shkodër, në Kukës, në Kurbin, në Krujë, në Vorë, në Kamëz, në Rrogozhinë, në Peqin, në Belsh, në Cërrik, në Gramsh, në Librazhd, në Fier në Patos, në Devoll, në Mallakastër, në Urë Vajgurore, në Kuçovë, në Poliçan, në Pogradec dhe në Tepelenë. Pra ,LSI-ja në 32 bashki u konfirmua si forcë e parë ose si forcë e dytë politike, që do të thotë se merita i takon, përveç politikës së LSI-së, natyrisht edhe degëve vendore të saj, dhe kandidatëve tanë që kanë bërë një punë shumë të mirë”, nënvizoi z. Meta.
Gjithashtu, Lideri i LSI-së shprehu kënaqësinë e tij për rezultatet e arritura nga kjo forcë politike në disa prej qarqeve më të mëdha të vendit, ku rritja ka qenë e konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e tjera. 
“Nuk mund të mos ndaj me ju edhe disa rezultate të tjera, sikurse është fakti se LSI-ja për herë të parë doli forcë e dytë, jo vetëm në Bashkinë e re të madhe të Fierit, por forcë e dytë në të gjithë qarkun e Fierit, që është qarku i dytë më i rëndësishëm i vendit. LSI-ja për herë të parë doli forcë e dytë në qarkun e Elbasanit, që është qarku i tretë më i madh i vendit. LSI doli forcë e dytë në qarkun e Beratit, që nuk është ndonjë surprizë dhe natyrisht që doli forcë e dytë në Qarkun e Shkodrës dhe në Bashkinë e re të Shkodrës, ashtu sikurse duhet të vlerësoj si rezultatin më spektakolar atë të LSI-së në Bashkinë e Durrësit dhe në Qarkun e Durrësit, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe si një rezultat jashtëzakonisht pozitiv atë të Bashkisë së Tiranës dhe të Qarkut të Tiranës, ku LSI-ja ka arritur rezultate me më shumë se dyfishin e votave të viti 2013 dhe ku një meritë të veçantë e kanë drejtuesit lokalë të LSI-së dhe LRI-së dhe drejtuesit e listës sonë të këshillave bashkiake”, – tha z. Ilir Meta, teksa sipas tij këto rezultate kanë dinamikën e tyre dhe se i gëzohet faktit që në qendrat më të mëdha urbane dhe ku vota është më politike, LSI ka arritur kudo të dyfishohet ose të trefishohet, ndërkohë që vota është fragmentuar. 
“Por sigurisht që këto rezultate kanë dinamikën e tyre dhe ajo që ne gëzohemi më së shumti është, që atje ku kemi të bëjmë me qendrat më të mëdha urbane dhe ku vota është më politike, LSI ka arritur kudo të dyfishohet ose të trefishohet, ndërkohë që vota është fragmentuar. Një fenomen që ka ndodhur edhe në qytetet të tjera të mëdha, në bashki më të vogla, ku natyrisht janë efektet e zgjedhjeve lokale dhe të kandidatëve të pavarur që shpresojnë të përfaqësohen, por njëkohësisht që është edhe një punë jo shumë e mirë e strukturave përkatëse, sepse natyrisht që kemi edhe bashki modeste ku vota ka qenë mjaft politike, siç është Bashkia e Skraparit po në mënyrë të veçantë do të theksoja Bashkinë e Dropullit, ku gjithashtu LSI pothuajse ka siguruar e vetme shumicën e këshillit bashkiak. Dhe natyrisht që këtu kanë vlerën e tyre edhe drejtuesit vendorë, por ka vlerën e saj gjithçka që nga mënyra e drejtimit dhe raporti me komunitetin te përzgjedhja e listës së këshilltarëve dhe shumë cilësi të tjera”, – u shpreh Kryetari i LSI-së. 
Sakaq, z. Ilir Meta falënderoi të gjithë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, që fituan, por edhe ata të cilët nuk fituan e që dhuruan një fushatë shumë të mirë dhe mjaft premtuese.
“Njëkohësisht dua të falënderoj të gjithë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, të gjithë ata që fituan kudo, por dua të falënderoj edhe ata të cilët nuk fituan, por na dhuruan një fushatë shumë të mirë dhe mjaft premtuese, ku në mënyrë të veçantë do të falënderoja kandidaten e ASHE-së për Bashkinë e Shkodrës, znj. Keti Bazhdari, por edhe të gjithë të tjerët. Sigurisht që kënaqësi ndoshta më e madhe do të ishte nëse do t’i kishim fituar të 61 bashkitë në të gjithë vendin, por mendoj se jemi në demokraci dhe qytetarët shqiptarë e treguan këtë në mënyrën më të drejtë që ata e gjykuan dhe ne do t’i bindemi vullnetit të tyre. Tani është koha për bashkëpunim ashtu sikurse për ne është koha edhe për analiza dhe për reflektim. Dhe në këtë drejtim unë prandaj edhe e kam thirrur këtë mbledhje të parë të Kryesisë së LSI-së në mënyrë që të fillojmë analizën e rezultatit të zgjedhjeve, kudo ku kemi arritur rezultatet që kemi pritur dhe për të cilat kemi punuar, por edhe atje ku kemi patur zhgënjime në mënyrë, që gjithë kjo rritje që ka pësuar LSI-ja në qarqet më të mëdha të vendit të jetë një burim frymëzimi edhe në ato zona ku LSI nuk është rritur në këtë mënyrë, por jo vetëm kaq”, – u shpreh z. Meta.
Kryetari i LSI-së bëri thirrje që të lexohet drejt çdo votë dhe që të nisë puna për sfidat e ardhshme dhe njëkohësisht për të përfaqësuar të gjithë këto prurje të reja në të gjitha strukturat e LSI-së. 
“Duhet të lexojmë drejt çdo votë, votën e besimit, por edhe votën e mosbesimit dhe njëkohësisht të bëhemi gati për sfidat e ardhshme. Duhet njëkohësisht t’i përfaqësojmë të gjithë këto prurje drejt LSI-së që janë shprehur në të gjitha qendrat e votimit anembanë vendit, që do të thotë se LSI-ja ka nevojë të hapet dhe ky elektorat i ri ka nevojë për një përfaqësim më të gjerë dhe më merituar në të gjitha strukturat e LSI-së. Kudo ku në ato raste ku rezultati i LSI është në kontrast me trendin e përgjithshëm mjaft pozitiv në të gjithë vendin, do të diagnostikojmë të gjitha ato probleme, të cilat e kanë penguar LSI-në të arrijë performancën e duhur atje në nivel lokal duke patur në konsideratë performancën që arriti në nivel kombëtar”, – tha z. Meta. 
Duke iu referuar analizave, Kryetari i LSI-së thekson se do të ketë edhe riorganizim të strukturave të LSI-së në ato zona ku rezultati ka qenë zhgënjyes, si në rastin e Pogradecit. 
“Natyrisht do të fillojmë analizat përkatëse ku kuptohet ne analizat do t’i fillojmë nga vetja, sepse prandaj bëhemi gjithnjë e më të fortë, sepse nuk kemi frikë të shohim mangësitë tona dhe të ballafaqohemi me to në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por natyrisht që për Pogradecin, siç e ka thënë z. Luan Rama, nuk do të fillojmë analizë, do të fillojmë me një riorganizim nga e para të gjithë LSI-së të Pogradecit. Është një rezultat që ne nuk mund ta pranojmë. Është rezultat ku përgjegjësia është e shumë faktorëve, por ne në radhë të parë përgjegjësinë do e kërkojmë nga vetja jonë, nga strukturat tona të cilat na sollën një zhgënjim të madh. Nuk është një zhgënjim në raport me ne, por është një zhgënjim në raport me qytetarët e Pogradecit. Kështu që në fillim të javës së ardhshme do të fillojmë këtë proces analizash kudo në të gjithë vendin duke filluar me një koncept të ri organizator për LSI-në e Pogradecit. Dua njëkohësisht të falënderoj të gjithë partnerët tanë në koalicion PS-në, PDIU-në, FRD-në, PDS-në dhe gjithë ata të cilët bashkëpunuan kudo”, – shtoi z. Ilir Meta.
Ndërkaq, Kryetari i LSI-së falënderoi bashkëpunimin e të deleguarve të PS-së, të LSI-së, PDIU-së, sidomos në qarkun e Elbasanit, ku u arrit një fitore spektakolare, duke fituar jo vetëm të gjitha njësitë, por dhe ku diferenca është e jashtëzakonshme dhe ku LSI rezulton forcë e dytë duke fituar edhe dy bashkitë, atë të Cërrikut dhe të Prrenjasit. Njëkohësisht sipas z. Meta edhe i gjithë koalicioni tregoi se fryma e bashkëpunimit padyshim që çon në rezultate optimale, ashtu sikurse edhe në qarkun e Durrësit dhe në shumë qarqe të tjera. 
“Një falënderim të veçantë nuk mund të mos e bëja në këtë mbledhje të parë për dy kryetarë bashkish, për kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Bime dhe për kryetarin e Bashkisë së Beratit, z. Fadil Nasufi, sepse ata kanë demonstruar një përgjegjshmëri dhe pjekuri shumë të lartë politike. Ata nuk janë sjellë si qejfmbetur, përkundrazi, kanë qenë në krye të fushatës së kandidatëve tanë të përbashkët dhe kanë punuar edhe më shumë se sa do të punonin po të kishin qenë vetë përsëri kandidatë. Sjellje të tilla meritojnë respekt dhe mirënjohje dhe janë një shembull frymëzimi për të gjithë ata që duhet të kuptojnë se në politikë duhet dalë përtej interesit të momentit, dhe se vlerësimi vjen kur interesi i përgjithshëm dominon mbi atë vetjak”, – u shpreh z. Meta, duke u zotuar se analizat do të nisin menjëher dhe se duhet reflektuar për verdiktet e qytetarëve në këto zgjedhje. 
“Por natyrisht nuk dua të zgjatej më tej sepse nuk kam ndërmend të bëj analizën vetëm pa dëgjuar dhe mendimet tuaja dhe mendimet e të gjithë kolegëve të Komitetit Drejtues edhe në të gjithë njësitë e vendit. Sigurisht që ne do të riorganizohemi tani, duke patur në konsideratë edhe 61 bashkitë e reja. Analiza jonë do të fillojë në nivel qarku për të zbritur në nivel bashkish, në nivel njësish administrative dhe deri tek qendrat e votimit. Është detyra jonë që këtë analizë ta fillojmë menjëherë që nga dita e sotme dhe përgjatë gjithë ditëve që vijnë pasi duhet të lexojmë me shumë vëmendje, me shumë përqendrim votën e çdo qytetari shqiptar në mënyrë që të tregojmë respekt maksimal ndaj kësaj vote. Njëkohësisht që të reflektojmë jo thjesht për të marrë më shumë vota për të ardhmen, por për të merituar edhe më shumë besimin e tyre, atë investim që ata kanë bërë duke votuar për kandidatët tanë dhe të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, por njëkohësisht edhe duke votuar për Lëvizjen Socialiste për Integrim si asnjëherë tjetër. Falënderim të veçantë Lëvizjes Rinore për Integrim, është e jashtëzakonshme, është e kudogjendur, është një shembull frymëzimi për të gjithë ne, natyrisht edhe Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe të gjithë strukturave të tjera të Lëvizjes Socialiste për Integrim”, – tha ndër të tjerash Kryetari i lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta.
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LSI-së, z. Ilir Meta doli edhe në një konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur edhe interesimit të medias lidhur me zgjedhjet e 21 qershorit. 
Konferenca e plotë për shtyp e Kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta pas mbledhjes së Kryesisë së LSI-së 
“Është kënaqësi të ritakohemi pas përfundimit të mbledhjes së parë të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila çel siparin e gjithë takimeve të forumeve drejtuese të LSI-së në nivel kombëtar dhe vendor, duke nisur me procesin e vlerësimit dhe të analizave brenda këtyre forumeve të zgjedhjeve të 21 qershorit për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për kandidatët e koalicionit tonë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, analizë që do të vazhdojë javën e ardhshme me mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar dhe më pas me fillimin e analizës në të 12 qarqet për të zbritur më pas në të 61 bashkitë, në të gjitha njësitë administrative deri tek çdo qendër votimi.
Është një analizë që do të zhvillohet në respekt të votës së qytetarëve shqiptarë, për Lëvizjen Socialiste për Integrim ,por edhe për kandidatët e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe njëkohësisht është një analizë që do të na bëjë jo vetëm të vlerësojmë kudo ku arritëm rezultate të jashtëzakonshme. E theksoj edhe njëherë tjetër se në të gjithë qarqet kryesore të vendit, Lëvizja Socialiste për Integrim është dyfishuar në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, dhe njëkohësisht të shpreh kënaqësinë që në 32 bashki, nga 61, LSI është forcë e parë në 11 bashki dhe është forcë e dytë në 21 bashki.
Ashtu sikurse është forcë e parë në një qark si ai i Gjirokastrës dhe është forcë e dytë në disa qarqe shumë të rëndësishme dhe të mëdha te vendit, si ai i Fierit, i Elbasanit, i Shkodrës dhe i Beratit përveç rezultatit mjaft pozitiv të arritur në qytetin e Tiranës, në Bashkinë e Tiranës dhe në të gjithë qarkun e Tiranës.
Qëllimi i kësaj analize është njëkohësish edhe reflektimi në gjithë riorganizimin e LSI, të kësaj prurje të jashtëzakonshme të re elektorale dhe përfaqësimi i saj në të gjitha strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. 
Pyetje nga gazetarët 
Pas analizës që ju thoni se do të bëni për rezultatin e 21 qershorit, a do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar të ministrave të qeverisë?
Ndryshime në strukturat e LSI-së do të ketë sepse do të reflektohen edhe rezultatet, meritat edhe kontributet. Përsa i takon qeverisë, kjo është një pyetje që i takon në radhë të parë Kryeministrit, z. Edi Rama, por për ne është e rëndësishme që qeveria të jetë e fokusuar në realizimin e objektivave të saj dhe përveç tyre, të ndjekë me vëmendje edhe krizën financiare në Greqi dhe pasojat e mundshme të saj ndaj qytetarëve tanë që jetojnë atje, por dhe ndaj ekonomisë sonë këtu. Natyrisht, besoj se është një çështje e cila nuk ka asnjë arsye për t’u nxituar. 
Në analizën tuaj, cila do të ishte çështja më urgjente që do të vetëkorrigjonit dhe së dyti, një koment tuajin për Vorën? KQZ ka hedhur poshtë kërkesën tuaj dje.
Ne i respektojmë vendimet e institucioneve, edhe kur ato nuk na pëlqejnë, siç është rasti më i fundit i ankimimit tonë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tashmë është një fakt i njohur kudo, jo vetëm në Vorë, ku ky fenomen është përsëritur çdo katër vjet, pra fenomeni i importimit të votuesve fiktivë me qëllim garantimin e një fitoreje të ndyrë në Bashkinë e Vorës në kurriz të vullnetit të qytetarëve që jetojnë atje dhe natyrisht që ky fenomen nuk kishte si të mos ndodhte edhe në këto zgjedhje. Tashmë është e qartë se mbi 600 votues fiktivë janë importuar në mënyrë të paligjshme duke abuzuar natyrisht me likuiditetin e Kodit Zgjedhor dhe ku del shumë qartë që diferenca midis dy kandidatëve është shumë më e vogël se sa numri i votuesve që nuk jeton në Vorë dhe të cilët kanë shkuara atje për të zgjedhur njeriun që do të drejtojë komunitetin e Vorës për katër vite, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Ky fenomen ka ndodhur edhe para 4 vitesh dhe para 8 vitesh. Sigurisht që moralisht kjo është e papranueshme, edhe politikisht, dhe sigurisht që edhe ligjërisht Lëvizja Socialiste për Integrim mund ta ndjekë këtë çështje në Kolegjin Zgjedhor. Por ne do ta vlerësojmë këtë çështje për arsye sepse në radhë të parë kemi të bëjmë me një mangësi të madhe të vetë Kodit Zgjedhor, i cili duhet ta evitonte në mënyrë të qartë këtë skandal sepse në rast se do të bëheshin lëvizje të tilla , atëherë kudo mund të deformohej vullneti i komunitetit. Këto janë zgjedhje vendore, i atyre që jetojnë në një komunitet për të zgjedhur atë që do t’i drejtojë dhe do t’i shërbejë në një komunitet për katër vite. Ajo që ka ndodhur është pikërisht që të vendosin për fatin e atyre banorë në një komunitet, të tjerë që importohen vetëm për një ditë për të vendosur për shumicën dërrmuese të këtij komuniteti. 
Prandaj dua të nënvizoj se ne nuk duhet t’u ikim detyrimeve që kemi ndaj qytetarëve të Vorës, dhe ndaj elektoratit tonë atje. Ne kemi arritur një sukses të jashtëzakonshëm, jo vetëm jemi moralisht fitues me kandidatin tonë për kryetar bashkie, z. Luan Sallaku, por njëkohësisht kemi arritur si Lëvizje Socialiste për Integrim të trefishojmë përkrahjen për këtë forcë politike, edhe pse prioritet nuk ka qenë kjo, por ka qenë fitorja për kandidatin. Jam i bindur se shumë shpejt do të jemi forcë e parë politike në Bashkinë e Vorës dhe këtë do ta realizojmë duke i qëndruar akoma më pranë këtij komuniteti, të gjithë atyre që na votuan, të gjithë atyre që na besuan dhe duke garantuar transparencë të plotë për qeverisjen vendore në Vorë për t’i dhënë fund regjimit korruptim dhe abuzues i cili për fat të keq deformoi vullnetin e qytetarëve të Vorës, me ata që z. Manjani shumë qartë i quajti “jabanxhinj elektoralë” përveç historive të miellit e të zarfeve e kështu me radhë. 
Ne do të reflektojmë në strukturat tona përfaqësimin e këtij elektorati të ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe sigurisht që do të vazhdojmë të jemi një forcë politike që fuqinë e saj e ka tek normaliteti, tek realizmi, tek dëgjimi i qytetarit, jo thjesht muajin e zgjedhjeve, por përgjatë katër viteve dhe përgjatë çdo dite, tek telefoni hapur për çdo shqetësim dhe për çdo preokupim të qytetarëve shqiptarëve. Do të punojmë për të zbatuar me sukses këtë reformë madhore administrative dhe territoriale, sepse kjo është tepër e rëndësishme për të ofruar shërbime më të mira, më cilësore për qytetarët tanë, por njëkohësit për të zhvilluar të 61 bashkitë e vendit dhe për t’u ofruar më shumë mundësi punësimi të gjithëve, e sidomos të rinjve e të rejave që duhet ta shohin të ardhmen në vendin tonë dhe duhet ta shohin të ardhmen në bashkitë ku ata jetojnë. 
Sigal