Analiza/ Lubonja: Të gjithë jemi kuksianë, përgjigje dhunës fashistoide të regjimit

391
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, pasi u ka marrë votën, duke premtuar ulje të taksave dhe përmirësim jetese, pa përfillur, as fjalën e dhënë, as gjendjen e tyre në zgrip të mbijetesës, as ekspertë dhe as ligje, e ngre traun e taksave e gjobave, sa herë i teket, duke u marrë edhe kacidhet e fundit për ta ndarë me një grusht oligarkësh, të cilëve u jep pastaj të drejtën të ndërtojnë kulla qejfi e pushteti në sheshet publike, ku deri dje luanin fëmijët shqiptarë? Çfarë duhet të bëjnë njerëzit, kur shohin një kryeministër, që së bashku me oligarkët e tij, u vjedh përditë trashëgimtarëve të ligjshëm dhe shqiptarëve në përgjithësi copa të bregdetit për të ndërtuar atje sarajet e verës së këtyre oligarkëve? Përgjigja e parë (demokratike) është që të flasim e denoncojmë këtë përdorim skandaloz të shtetit për interesa private, këtë regjim që, me Edi Ramën po shkon dita ditës drejt atij që quhet fashizëm ekonomik, dmth një regjim ku qeveria “e oligarkëve”, “nga oligarkët” dhe “për oligarkët” po arrin deri në përdorimin e dhunës për të mbrojtur interesat e veta. Përgjigja e dytë (demokratike) është denoncimi në institucionet e drejtësisë të të gjitha shkeljeve ligjore. Por, çfarë u mbetet njerëzve të bëjnë kur edhe pasi bëhen këto denoncime policia dhe drejtësia nuk veprojnë, sepse kontrollohen nga kryeministri dhe oligarkët e tij ose sepse kryeministri ka sajuar ndërkaq VKM pas VKM-je për të ligjëruar vjedhjet që ka bërë së bashku me oligarkët e tij,? Dhe ja ku erdhi ngjarja e Kukësit si reagim i njeriut të grabitur, fyer e poshtëruar që nuk sheh rrugë tjetër daljeje nga gjendje e tij e dëshpëruar përveç asaj fjalës popullore: “Kur mbaron fjala, gjykon palla.” Dihet se pasojat e dhunës janë gjithmonë të rrezikshme, sepse dhuna pjell dhunë, por për gjithë sa thashë më lart përgjegjës për dhunën e kuksianëve është dhuna kryeministrore dhe ajo e oligarkëve bashkëpunëtorë të tij, dhuna strukturore e një regjimi fashistoid që ka kohë që po u merr frymën njerëzve. Në gjykimin e kësaj ngjarjeje duhet të ndjehemi të gjithë kuksiane, sepse të gjithë në Jug dhe në Veri po e përjetojmë në forma të ndryshme këtë dhunë. Përgjigja e kuksianëve si e shqiptarëve më të goditur nga taksa grabitqare e Rrugës së Kombit është edhe përgjigja jonë e munguar për grabitjet që po na bëhen përditë. Ajo është edhe shpresëdhënëse, sepse kuraja e tyre na tregoi se përveç ikjes, nënshtrimit, dhe shitjes së votës për pesë lekë ka edhe rrugë të tjera për ta ndalur dhunën fashistoide të këtij regjimi, por edhe pse mund të shërbejë si një mësim dhe paralajmërim për çdo qeveritar dhe biznesmen që sillet si këta që na kanë sjellë në këtë gjendje.
Sigal