Analiza e OSBE për ligjin për mediat: Gjobat mbeten të larta, t’i hiqen kompetencat AMA-s

509
Sigal

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, i dërgoi Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, një analizë ligjore të ndryshimeve në Ligjet për Mediat Audiovizive dhe Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë, si dhe në dispozita të tjera të lidhura me rregullimin e materialeve me përmbajtje të ndryshme që shpërndahen nëpërmjet internetit, sipas një njoftimi zyrtar të OSBE..

 Kjo analizë ligjore u paraqit në kuadrin e një procesi të gjatë konsultimesh ndërmjet Zyrës së Përfaqësuesit dhe qeverisë në fazën e hartimit të legjislacionit. “E vlerësoj bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet, edhe pse nevojiten disa përmirësime të tjera në projektligje. Shpresoj që rekomandimet tona të merren parasysh dhe se gjatë shqyrtimit të projektligjeve në Kuvend do të bëhen modifikime të mëtejshme për të siguruar përputhshmëri më të mirë të legjislacionit të ardhshëm me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias”, tha Përfaqësuesi.

 Analiza e kryer nga Dr. Joan Barata Mir, ekspert i pavarur për lirinë e medias, është një variant i zgjeruar dhe i përditësuar i analizës ligjore që Zyra e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias botoi më 11 korrik. (https://www.osce.org/representative-on-freedom-of-media/425453)

 “Vërej se ka pasur përmirësime të ndjeshme në krahasim me projektligjet e përgatitura më parë gjatë vitit. Varianti i fundit i projektligjit për mediat audiovizive përmban dispozita të reja që përcaktojnë më mirë dhe më saktësisht objektin dhe fushëveprimin e ligjit dhe përmend nevojën që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) të respektojë standardet ndërkombëtare dhe rajonale gjatë miratimit të vendimeve të veta. Është pozitiv fakti që dispozitat problematike në lidhje me regjistrimin e emrave të domain-it dhe bllokimin e përmbajtjes në internet janë hequr dhe se propozimi përfshin një përshtatje specifike të së drejtës për t’u përgjigjur në mjedisin e ri të botimeve elektronike”, tha Désir. 

 Përfaqësuesi e njeh faktin që projektligji nuk i jep kompetencë Këshillit të Ankesave të AMA-s në lidhje me respektimin e normave morale, etike apo profesionale për ofruesit e shërbimeve të botimit elektronik. Veç kësaj, projektligji në fjalë nuk përmban dispozitën e përgjithshme që gjendej në variantet e mëparshme, dispozitë e cila duket se i jepte AMA-s kompetenca të gjera dhe të pakufizuara bllokuese në rastet e “shkeljeve të dispozitave të këtij ligji”, duke i kufizuar ato vetëm në rastet e veprave penale të pornografisë me të mitur, nxitjes së akteve terroriste apo cenimit të sigurisë kombëtare.

 Në letrën e tij drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Désir theksoi disa çështje të mbetura që ende duhen marrë në konsideratë, duke rekomanduar ndryshimin e tyre gjatë shqyrtimit të projektligjeve në Kuvend. Analiza ligjore propozon, në veçanti, modifikimin e Nenit 132/1 që i jep AMA-s kompetencën për t’i detyruar ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike të botojnë një falje, heqin përmbajtjen apo shtojnë një njoftim pop-up në rastet e shkeljeve të dispozitave, në veçanti sipas Nenit të ri 33/1. Në këtë nen, refererimi ndaj “respektimit të privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve”, i cili është i gjerë, i zgjeron rishtazi fuqitë e AMA-s sa që mund të ndikojnë në lirinë e shprehjes.

 “AMA ose çdo organ tjetër administrativ ose rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten kompetencë e gjykatave”, tha Désir.

 Analiza, po ashtu, sugjeron një formulim të ri për paragrafin 3 të Nenit 132, që përcakton mundësinë “e bllokimit të qasjes në internet”, në rastet kur shërbimet e medias elektronike “mund të favorizojnë” veprat penale të pornografisë me të mitur, nxitjes së akteve terroriste apo cenimit të sigurisë kombëtare. Formulimi i propozuar gjithashtu synon sqarimin e kompetencave të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), AMA-s dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në këtë fushë.

Analiza ligjore shpreh shqetësime rreth kompetencave që i jepen AKEP-it në projektligjin për ndryshime në Ligjin për Komunikimet Elektronike, lidhur me marrjen e masave për mbrojtjen e një game të gjerë interesash, ku përfshihen interesat e vendit, siguria publike, të drejtat themelore dhe çdo dispozitë të përfshirë në sistemin ligjor shqiptar. Këto nocione përkufizohen shumë gjerësisht dhe mund të bien në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, si dhe nuk përfshijnë rregulla specifike për të garantuar mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

Për më tepër, Neni 133 i këtij projektligji vazhdon të parashikojë gjoba me vlerë të lartë monetare që vendosen në raste shkeljesh.

“Shpresoj se analiza ligjore që përfshin një numër rekomandimesh do të jetë e dobishme në diskutimet e mëtejshme. Zyra ime do të vazhdojë të angazhohet fuqimisht në këtë proces, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës për çdo palë të interesuar deri në përfundim të tij”, tha Désir në mbyllje.