Analiz/ Prof. Dr. Zamira Çavo: Ja 10 arsyet pse të rinjtë duan të largohen nga Shqipëria. Varfëria, luksi i fëmijëve të politikanëve, lotaritë, mungesa e shpresës, drejtësia e munguar, krimi, “fabrika” e diplomave etj

936
Sigal

Të rinjtë e kanë në natyrën e tyre aventurën dhe dëshirën për të parë vende të tjera e për të njohur kultura të tjera. Aq më tepër, kur kjo dëshirë ushqehet çdo ditë nga pamjet e “mrekullueshme”, që vijnë nga ekranet nga vendet e tjera. Pra të rinjtë gjithandej, kërkojnë të lëvizin. Por të rinjtë tanë, veç këtij hobi moshor, kanë edhe arsye të tjera, që e bëjnë largimin obsesion dhe jo opsion.

  • Së pari, arsyeja kryesore është dëshira për një jetë më të mirë. Është një arsye mjaft serioze. Pagat që marrin edhe në se gjejnë një punë, ose i futen një biznesi, sërish janë aq të ulëta, sa nuk ju mundësojnë komoditetin e duhur për të realizuar ëndrrën e çdo të riu për të udhëtuar , parë e njohur vende të tjera! Nga statistikat mbi 60% e pagës në Shqipëri shkon për ushqime. Kaq mjafton për të kërkuar mundësi të tjera.
  • E gjithë shoqëria jonë është zhytur në një pesimizëm ekstrem, që ushqehet çdo ditë nga secili prej nesh me një slogan kaq të vjetër, sa vetë ekzistenca e shtetit shqiptar “Shqipëria nuk bëhet!”. Ky pesimizëm shpërthen pastaj në mijëra copëza kotësie, urrejtje, vreri e mllefi, që derdhet çdo orë në shoqëri, në kafene, në media, në rrjetet sociale.
  • Media vizive, në çdo minutë në ekrane shfaq vetëm krime, lot, varfëri, urrejtje, korrupsion dhe po në të njëjtën kohë bën lartësim të antivlerës, të kotësisë, të vesit e degradimit moral. Media është një faktorë kyç që po i shtyn të rinjtë drejt rrugëve të botës.
  • Lufta politike tek ne është “lufta” më e pashpresë, që viktimat i ka vetëm në radhët e të rinjve. Elita politike shqiptare në këto 28 vjet ka dëshmuar se e ka përdorur rininë si mjetin e saj për të siguruar përfitime kolosale. Ndërsa politikanët janë pasuruar me biznesin më fitimprurës në Shqipëri “politikën”, të rinjtë kuptuan se e vetmja mënyrë për t’u pasuruar shpejt ishte krimi dhe korrupsioni dhe jo puna. Ndaj ata që psikologjikisht mund t’i hynin këtyre punëve, i hynë, duke i dhënë modelin më të shëmtuar të tjerëve.
  • Fëmijët e politikanëve, biznesmenëve dhe bankierëve, që në foto e tyre pozojnë pamje nga jeta luksoze, që u kanë krijuar prindërit e tyre, janë një faktorë tjetër nxitës për largimin e të rinjve. Ata që studiojnë e që me shumë mund arrijnë të gjejnë një vend pune ndihen të poshtëruar përballë luksit të shfaqur nga këta pinjollë të luksit korruptiv shqiptar.
  • Shteti shqiptar në të gjithë elementët e tij në këta 28 vjet e ka shtyrë shoqërinë shqiptare drejt thellimit të plagëve, që kemi trashëguar nga historia. Drejtësia me institucionet e saj thelloi vesin e shqiptarëve për t’i zgjidhur punët sa më shpejt e me para. Korrupsioni në këtë shtyllë të shtetit kapi majat. Drejtësia u shndërrua në padrejtësi. Policia, si një instrument tjetër i rëndësishëm i shtetit, në vend që të parandalonte krimin dhe ta ndëshkonte atë, u bë vetë pjesë e krimit. Parlamenti u bë streha e kriminelëve dhe biznesmenëve të pandershëm. Qeverisja ra në dorën e batakçinjve. Ndaj shteti shqiptar në 28 vjet vetëm ka prodhuar fatkeqësi për popullin dhe mungesë shprese për të rinjtë.
  • Mos harroni se ndryshimi i gjendjes mendore dhe fizike të të rinjve do disa dekada. Ata që kanë lindur në demokraci njohin vetëm këto anë të liga të shfaqjes politike. Askush, pra as shkolla e as universiteti, nuk u jep atyre dritën e të menduarit pozitivisht, nuk u tregon se gjërat ndryshohen fillimisht me mëndje e pastaj në “fushëbetejë”. Kjo ndodh, sepse intelektualët shqiptarë më shumë dëshirojnë të duken si të tillë, por jo të veprojnë, si të tillë. Ka mësues, që u thonë të rinjve: Ikni shikoni botën e shijoni jetën. Ka pedagogë, që u thonë: “ Unë po mendoj vetë si të iki”.
  • Së fundi janë këto sondazhet që “të huajt” bëjnë me ne e që në mënyra indirekte nxisin të rinjtë të largohen nga sytë këmbët. Janë politikat e “huaja”, që nxiten nëpërmjet “Lotarisë amerikane”, apo “Gjermania kërkon kaq infermierë, mjekë, elektricistë, hidraulikë etj., etj.”. Dhe dihet që këto vende shfrytëzojnë maksimalisht qytetarët e vendeve të tjera, pra dhe të rinjtë shqiptarë. Por, duke u krahasuar me pagën shqiptare, me jetën shqiptare, me agresivitetin shqiptar, është e pranueshme kjo lloj skllavërie moderne.
  • Shqiptarët në histori kanë emigruar, do vazhdojnë ta bëjnë edhe sot, por ama Shqipëria ka mbetur këtu, falë familjes, që ka ushqyer fëmijët me dashurinë për vendin dhe për njerëzit e gjuhën. Sot, edhe familjen e kemi vënë në pikëpyetje.
  • – Jetojmë epokën e neoliberalizmit, ku e gjithë propaganda në botë bëhet kundër solidaritetit, kundër bashkimit, duke e shtyrë njeriun e gjorë drejt guaskës së tij. Të rinjtë shqiptarë, ashtu si dhe e kemi të trashëguar nga shekujt, vdesin të duken e të jenë Sinkron me “trendyn”. Ndaj pëlqejnë dhe mendojnë vetëm për veten, duke dashur t’i përshtaten “kohës”.

Nëse do t’i kuptojmë seriozisht të gjitha këto, nëse secili prej nesh do të bëjë detyrën e tij ndaj të ardhmes, nëse do të kuptojmë se çfarë dhe pse duhet ndryshuar politika, atëherë të rinjtë shqiptar do bredhin botën për t’u rikthyer këtu me dinjitet!