Sigal

Gjermania kontribuon për përmirësimin e kushteve të jetesës në Shqipëri. Së fundmi ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz bëri të ditur, se Gjermania do të japë një shumë rekord ndihme për Shqipërinë në nëntor, raporton Deutsche Welle.

Kjo ndodhi në festimet me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman në Tiranë. Në fjalën e saj përshëndetëse, Schütz tha se “në nëntor të këtij viti Qeveria Federale, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, do t’i japë një shumë rekord Shqipërisë  për të realizuar projekte të mëtejshme”.

Sivjet, në 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, rezultatet e bashkëpunimit ekonomik për zhvillimin Gjermani-Shqipëri janë të prekshme.

“Një gjë është e qartë: E gjithë mbështetja gjermane kontribuon në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së njerëzve në Shqipëri, për t’u dhënë atyre një perspektivë në atdheun e tyre dhe për ta bërë Shqipërinë të gatshme për integrimin në BE”, tha ambasadorja Schütz.