Ambasadorja greke, Surani viziton MHK-në: Të ndërtojmë ura bashkëpunimi

432
Sigal

Gazeta Telegraf/


Ambasadorja greke në Tiranë, Eleni Surani vizitoi Muzeun
Historik Kombëtar, një takim që synon që të 
hidhen urat e projekteve dhe bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve. Ambasadorja
Surani u tregua e gatshme të vendosë ura bashkëpunimi me Muzeun Historik
Kombëtar. Për këtë shërbeu dhe kjo vizitë e saj në pavijonet e këtij Muzeu, por
dhe një takim me drejtorin e institucionit Melsi Labi. Në përfundim të vizitës,
drejtori Labi konfirmoi edhe një herë se në takimin me diplomaten e vendit
fqinj u fol për mundësitë e bashkëpunimit mes ambasadës greke dhe Muzeut
Historik Kombëtar. Një trajtim të veçantë gjatë takimit do të zinte dhe biseda
rreth binjakëzimit të Muzeut Historik Kombëtar me muzetë greke si në rastin e
Muzeun Kombëtar të Athinës apo muzeun bizantin me qendër në Selanik. Për t’i
paraprirë bashkëpunimit të ardhshëm ambasadorja Surani e shoqëruar nga drejtori
Labi, bëri dhe një vizitë në muze për të qartësuar nga afër të gjitha ato pika
të cilat u vlerësuan se kërkojnë ndërhyrje, ndihmë dhe një bashkëpunim
reciprok. Po ashtu, gjatë vizitës në pavijone u fol për realizimin e projekteve
të përbashkëta, për restaurimin e objekteve ikonografike, por dhe të objekteve
të tjera të cilat janë pjesë e Muzeut Historik Kombëtar.