Ambasadorja e Shqipërisë takohet me udhëheqësit e rinj të Shtëpisë së Bardhë

429
Shpreh kënaqësi për takimin me Presidentin e Zgjedhur Donald Trump – Fotografitë me zv-Presidentin e Zgjedhur Mike Pence dhe Sekretarin e ri të Shtetit, Rex Tillerson
Në Darkën Globale për Trupin Diplomatik, në Washington DC, të organizuar nga Presidenti i Zgjedhur Donald Trump, në kuadrin e veprimtarive të javës së inaugurimit, mori pjesë edhe Ambasadorja e Shqipërisë, Floreta Faber.
Ambasadorja shqiptare ka shkruar në rrjetin e saj social se ishte një kënaqësi që u takua me Presidentin Donald Trump, zv-Presidentin e Zgjedhur Mike Pence, Sekretarin e ri të Shtetit, Rex Tillerson, “e shumë të tjerë”.
Ajo publikoi mes të tjerash edhe dy fotografi me zv-Presidentin e Zgjedhur Mike Pence dhe Rex Tillerson, dy figura që mendohen se do të jenë kyçe në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare për SHBA në aministratën Trump.
Ndonëse mendohet se do të kalojë pa problem, Tillerson pret ende konfirmimin nga Senati Amerikan për postin e tij të Sekretarit të Shtetit, ashtu si pothuajse të gjithë anëtarët e kabinetit presidencial.
Pak ditë më parë, Ambasadorja Faber u takua edhe me Këshilltarin Kombëtar për Sigurinë, Gjeneralin Michael Flynn.
Sigal