Ambasadori Lu takohet me Berishën, diskutuan rreth reformës në drejtësi dhe dekriminalizimit

428
Ish kryeministri Sali Berisha ka pritur sot në një takim ambasadorin e SHBA në vendin tonë, Donald Lu, i cili shoqërohej nga zëvëndësambasadori David Muniz dhe nga kreu i OPDAT, Jon Simbert.
Përfaqësuesi i OPDAT bëri një ekspoze të reformës së drejtësisë, ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që duhen, trajtimit të të gjitha problemeve të sistemit aktual të drejtësisë, punën që është bërë gjatë gjithë këtyre muajve nga ekspertët ndërkombëtarë dhe shqiptarë si dhe Komisioni Venecias.
Në këtë takim Berisha theksoi se, së pari e konsideron reformën në sistemin e drejtësisë si reformën më jetike në këtë vend dhe se vlerëson shumë përpjekjet qeverisë së SHBA dhe komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar në këtë reformë. Sipas tij, është jetike, që kjo reformë të bazohet në rritjen e transparencës, luftës kundër korrupsionit, përgjegjësisë para ligjit dhe mbrojtjen e sistemit nga ndikimi politik, rrugët dhe mënyrat që të mos lejohet që një mazhorancë, cilado qoftë ajo, të ketë në dorë ta bëjë të vetin të gjithë sistemin e drejtësisë. Ai theksoi gjithashtu se e gjykonte të domosdoshme zhvillimin e një debati më të gjerë dhe më konkret me të gjitha grupet e interesit. Berisha u shpreh se ai mbështet fuqimisht një reformë të bazuar në këto principe.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht edhe problemi i dekriminalizimit. Berisha e falënderoi ambasadorin Lu, qeverinë e SHBA për mbështetjen e fuqishme në realizimin e këtij procesi në Shqipëri, edhe ky një kusht tjetër jetik për të ardhmen e vendit. Ish kreu i qeverisë vlerësoi se një progres i pamohueshëm është bërë dhe se shpresonte që paketa t’i paraqitet sa më shpejt Parlamentit, si dëshmi e një vullneti të hekurt për t’u ndarë nga kriminalizimi i shtetit dhe administratës.
Ish kryeministri Berisha në këtë takim i shprehu ambasadorit Lu shqetësimin për rastin e televizionit Agon Channel, i cili është shembulli më i hidhur se si oligarkët kontrollojnë mediat dhe sillen ndaj tyre. Pasi qeveria sekuestroi Agon Channel, në përputhje me ligjin shqiptar por dhe të çdo vendi, ajo është e detyruar që atë, si çdo sipërmarrje ta mbajë në funksion, të paguajë personelin dhe shpenzimet e përditshme të saj nëpërmjet administratorit.
Ai u shpreh se qeveria, për muaj të tërë nuk pagoi asnjë qindarkë për punonjësit dhe kur e pa se ata po e mbanin edhe pa pagesë televizionin, i preu energjinë elektrike me pretendimin se ky TV nuk e ka paguar, në një kohë kur atë duhet ta paguante vet qeveria që kishte marrë në sekuestro televizionin. Ai theksoi gjithashtu se jo më pak tronditëse dhe domethënëse është fakti se mediat e tjera heshtën të detyruara dhe nuk thanë asnjë fjalë për këtë akt të pashembullt të ndodhur në këto 23 vjet. Mësohet gjithashtu se në takim është trajtuar edhe çështja e CEZ-it, ku opozita ka kërkuar hetim ndërkombëtar, ndërsa kryeministri Rama deklaroi të enjten në Kuvend se do të ftohet FBI për hetimin e saj. 
Sigal