Ambasadori Lu: Lufta e korrupsionit në nivele të larta, nis nga vettingu

410
Sigal

 Ambasadori i SHBA në vendin tonë, Donald Lu rithekson edhe njëherë rëndësinë e zbatimit sa më parë të reformës në drejtësi, e kryesisht të ligjit të Vettingut. Në ditën e tretë të simpoziumit kundër korrupsionit, ambasadori Lu ka zgjedhur në mënyrë diplomatike për t’iu përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha sa i takon opinionit të Komisionit të Venecias.

Duke u shprehur se është dakord me ato që Berisha thotë lidhur me vlerësimet e bëra nga Komisioni, Lu i kujton ish-kryeministrit një deklaratë që ky i fundit ka bërë më herët lidhur me rëndësinë e opinionit të shprehur nga “Venecia”.

“Jam dakord me Berishën i cili ka thënë para disa kohësh se, opinioni i Komisionit të Venecias ofron një bazë solide për t’i dhënë vendit një reformë të drejtësisë në nivelin e duhur. Të gjitha forcat politike duhet të mbështesin këshillën e urtë të Presidentit të Komisionit të Venecias”, tha ambasadori Lu.

Më tej, kreu i delegacionit amerikan në vendin tonë, u ndal tek institucionet kyçe të cilët do të mundësojnë realizimin e kësaj reforme. Sakaq, ambasadori Lu theksoi se është populli shqiptar ai i cili duhet të ndjekë me vëmendje ecurinë e realizimit të kësaj reforme.

“Gjatë këtyre tre ditëve kemi dëgjuar sesi është luftuar korrupsioni në tre vende të rajonit, dhe kjo nuk u arrit as nga të huajt dhe as nga politikanët. Edhe në Shqipëri duhet të gjendet rruga sesi duhet të luftohet korrupsioni lartë. Kjo nis nga vettingu, me realizimin e saj. Dhe ky proces duhet të nisë me fillimin e 2017.

KLP duhet të zgjedhjet prokurorët e SPAK. Prokurorët e SPAK do të zgjedhin drejtorin e PKH. Është bërë shumë kujdes për të ndërtuar një sistem që është i pavarur, dhe i izoluar nga trysnitë politike. Kjo do të kërkojë që populli shqiptar ta ndjekë me shumë kujdes këtë proces, në mënyrë që asnjë prokuror dhe asnjë gjyqtar i vetëm dhe mos mundë të manipulojë realizimin e këtij procesi. Shpreh vlerësimet ndaj Komisionit të Venecias për mbështetjen e ofruar, dhe angazhimin për realizimin e kësaj reforme.

Jam dakord me Berishën i cili ka thënë para disa kohësh së opinioni i Komisionit të Venecias ofron një bazë solide për t’i dhënë vendit një reformë të drejtësisë. Të gjitha forcat politike duhet të mbështesin këshillën e urtë të Presidentit të Komisionit të Venecias.

Përgjegjësia për të luftuar korrupsionin i takon popullit shqiptar, shoqërisë civile dhe gazetarëve. Kam besim në zgjuarsinë e popullit shqiptar, ai është i lodhur nga korrupsioni”, u shpreh ambasadori Lu.

Ndërsa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, tha se me dëshirën e duhur, korrupsioni mund të luftohet me eficencë. 
“Të gjithë i dimë problemet me korrupsionin. E di qytetari i thjeshtë, e di fermeri, e di studenti e kështu me radhë. Nuk kam ëndrra të tilla si zhdukja e korrupsionit, pasi është i lidhur me natyrën njerëzore, por korrupsioni mund të luftohet me eficencë. Duhet dëshirë për ta luftuar atë”, u shpreh kreu i shtetit.