Ambasadori Karpushin: Financimet ruse? Kremlini shkolloi babain e Ramës

566
Sigal

Ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, Karpushin, i pyetur nëse ka financuar Rusia Partinë Demokratike, kryetarin Lulzim Basha, figura të tjera politike apo media shqiptare, Karpushin u shpreh se këto janë vetëm hamendje. “Kryesorja është që nuk shpjegojnë motivet apo, të paktën, ndonjë arsye të financimit të PD-së nga burimet ruse. Madje, unë dyshoj se biznesmenët rusë kanë dëgjuar ndonjëherë për ekzistencën e saj. Përse duhet t’i japin para PD-së? Mos vallë është më proruse sesa PS-ja? Jo, aspak. Sot ne shohim se njësoj si mazhoranca, ashtu edhe opozita nuk janë të prirura për të bashkëpunuar me Rusinë dhe janë futur në garë me njëra-tjetrën se kush bën më shumë deklarata antiruse.

Në të njëjtën kohë, aleatët e demokratëve në parlament organizojnë aktivitete rusofobike në Uashington me mbështetjen e kongresmenëve amerikanë. Nga të gjitha këto, çfarë mund ta shtyjë Rusinë, të paktën teorikisht, për të mbështetur opozitën shqiptare?”, tha ambasadori rus. Ka edhe një moment tjetër interesant që dua ta përmend. Pak kohë më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tashmë një politikan me përvojë, e paraqiti lajmin e rremë për financimin e Partisë Demokratike si një fakt të vërtetuar. Ai deklaroi haptazi se kandidatët për postin e Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit shqiptar caktohen dhe madje paguhen nga Moska. Kjo deklaratë më duket një gabim”, shtoi Karpushin.

Por a jep Rusia financime publike për shqiptarët?

Ambasadori rus tregoi se kjo është një gjë e natyrshme, duke filluar nga bursat për studentë shqiptarë që studiojnë në universitetet ruse. “Në Rusi ekziston një program i posaçëm shtetëror, sipas të cilit qeveria u ofron çdo vit maturantëve të huaj bursa falas për të studiuar në universitete ruse. Dhe ky program realizohet edhe sot”, tha Karpushin. “Universitetet ruse janë prestigjioze dhe tërheqëse për studentë nga e gjithë bota.

Në vitin 2018 në kuadër të këtij programi më shumë se 15 mijë aplikantë nga e gjithë bota morën bursa studimi, duke përfshirë edhe 53 studentë nga Shqipëria. Këtë vit do të fillojnë studimet e tyre në Rusi edhe 51 studentë të tjerë shqiptarë. Gjithsej, në Rusi janë diplomuar disa qindra shqiptarë, përfshirë këtu ambasadorë aktivë dhe drejtorë të drejtorive në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Të mos përmendim mijëra shqiptarë që studiuan në universitetet e Bashkimit Sovjetik, si për shembull shkrimtari Ismail Kadare i cili ka mbaruar në Moskë, apo babai i Kryeministrit aktual të Shqipërisë që është diplomuar në Akademinë e Arteve në Shën Petërburg”.