Ambasadori i ri i Indisë, Thanglura Darlong, i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta

497
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Indisë në vendin tonë, Sh.T.Z. Thanglura Darlong, me rezidencë në Bukuresht.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Indisë, si dhe lidhjen e fortë që Nënë Tereza krijoi midis dy vendeve.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta nënvizoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe të kontakteve të drejtpërdrejta mes sipërmarrësve dhe qytetarëve të të dy vendeve.

Gjetja e mekanizmave praktike për lehtësimin e regjimit të vizave dhe lëvizjes së sipërmarrësve dhe qytetarëve të të dy vendeve do të ndihmonte shumë në këtë drejtim – theksoi Presidenti Meta.

Ndërsa, duke iu referuar zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Presidenti Meta, nënvizoi se një rishikim i pozicionit të Indisë ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës do të ishte një kontribut i drejtpërdrejtë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon.