Ambasadori i Jordanisë në Shqipëri, fton kreun e parlamentit Meta në Mbretërinë Hashemite

442
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë në Shqipëri, rezident në Athinë, Fawwaz Al-Eitan. Meta pasi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, shprehu mirënjohjen për pjekurinë e politikës konstruktive që Jordania ndjek në rajonin e Lindjes së Mesme, duke theksuar se Jordania luan një rol shumë të rëndësishëm në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kuadër u vlerësua përqasja dhe kontributi i Mbretit të Jordanisë Abdullah II si dhe vëmendja që Madhëria e Tij i kushton forcimit të marrëdhënieve me Shqipërinë.
Ambasadori i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë në Shqipëri, Fawwaz Al-Eitan shprehu mirënjohjen e tij për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rritjen e fluksit të vizitave të nivelit të lartë gjatë viteve të fundit, duke vënë në dukje se Jordania është e gatshme të intensifikojë bashkëpunimin e saj me Shqipërinë në të gjitha fushat me interes reciprok. Duke vlerësuar rëndësinë e diplomacisë parlamentare në cilësinë e bashkëpunimit dypalësh, Ambasadori Al-Eitan i dorëzoi Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë ftesën e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Jordanisë z. Atef Tarawneh për një vizitë zyrtare në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, ftesë të cilën Meta e pranoi me kënaqësi.
Sigal