Ambasadori i BE në Tiranë: Duhet të miratohet sa më shpejt Reforma Zgjedhore

544
Sigal

 Jakup B. GJOÇA

PD-ja akuzon PS, se kërkon të kapë edhe KQZ-së, duke propozuar 2 vendet vakante të mazhorancës

Javën e ardhshme delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë pret që parlamenti të finalizojë punën për reformën zgjedhore. Këtë deklaratë e bëri ambasadori, Luigi Soreca, i cili kërkoi gjithashtu nga qeveria të vijojë luftën ndaj krimit si kusht për negociatat qershorin e ardhshëm.

Luigi Soreca: Javën tjetër të mbarojë Reforma Zgjedhore

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca është optimist se javën e ardhshme Komisioni parlamentar do të përfundojë punën për reformën zgjedhore dhe ta votojë në Kuvend. Kjo do të thotë se opozita, sipas Sorekës, duhet të kthehet në Kuvend dhe të përfundojë këtë proces.

Soreca: Ne jemi shumë të kënaqur nga puna e bërë nga komisioni i reformës zgjedhore, me asistencë nga ekspertët ndërkombëtarë me një dialog ndërpartiak shumë pozitiv. Kjo duhet të finalizohet në parlament, me punën e përbashkët të të dy krahëve. Në jemi shpresëplotë se gjatë javës tjetër, komisioni i reformës zgjedhore do të rinisë punën dhe të votojë këtë reformë. Në konferencën për transparencën e përfituesve në kuadër të pronarëve të fshehur pas palëve të treta, Soreca përshëndeti aksionin e policisë për goditjen e krimit dhe korrupsionit, por kërkoi më shumë veprim si kusht që negociatat vitin e ardhshëm të hapen.

PS paraqet kandidatët për vendet vakante në KQZ. PD: Është kapje e KQZ nga PS-ja

Mazhoranca prezantoi zyrtarisht në Komisionin e Ligjeve Bledar Skënderin dhe Rezarta Bitrin, si kandidaturat e saj për 2 prej 4 posteve që pritet të mbeten vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkak të përfundimit të mandateve të disa prej anëtarëve. Taulant Balla, theksoi se Kodi Zgjedhor i lejon socialistëve të zëvendësojnë mandatet që deri më tani mbaheshin nga demokratët Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj. Demokratët deri më tani nuk i janë përgjigjur thirrjeve për të dorëzuar në Kuvend propozimet e veta, por Lulzim Basha mendon se shumica po i merr postet në KQZ: “Aprovimi i dy kandidaturave nga PS-ja përbën një shkelje të ligjit. PS-ja nuk ka të drejtë në kuadrin aktual ligjor që të propozojë dy kandidatura, por ka uzurpuar një kandidaturë të opozitës. Është kapje e paligjshme e KQZ-së dhe natyrisht që opozita nuk mund dhe nuk do të bëhet pjesë e kësaj”. Bledar Skënderi kërkon një tjetër mandat, këtë herë si përfaqësues i mazhorancës, nga e cila gjithsesi nuk i munguan thumbat. Fino tha: “Si ka mundësi që regjistruat subjektin politik PD jashtë afatit për zgjedhjet e vitit 2017?” Skënderi u përgjigj: “Keni pasur të drejtë ankimi kundër vendimit tonë dhe nuk është bërë asnjë ankim”. Ndërkohë që këto dy propozime do t’i kalojnë seancës plenare për miratim, pritet që opozita të sjellë në Kuvend propozimet e saj për dy vendet e tjera vakante që i takojnë pakicës.

Ambasadori i BE flet për ngjarjen në Bularat dhe ministrin e ri

Gjatë një aktiviteti në Fier, ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca ka folur për ngjarjen në Bularat si dhe për emërimin e ministrit të ri Sandër Lleshi duke zëvendësuar në këtë detyrë Fatmir Xhafajn. Luigi Soreca tha se Shqipëria duhet të mbrojë komunitetet minoritare dhe të gjendet një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull duke përfshirë edhe çështjen e detit. Sa i përket emërimit të ministrit të ri në krye të Ministrisë së Brendshme, ambasadori u shpreh se duhet të vijojë lufta kundër krimit. “Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Greqisë është një çështje dypalëshe. Është e rëndësishme për ne si BE që të dy vendet të gjejnë një marrëveshje për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Po ashtu është e rëndësishme që minoritet dhe pakicat në Shqipëri të mbrohen. Gjatë muajve të fundit Ministria e Brendshme ka ndërmarrë disa veprime shumë të rëndësishme dhe në krye të tyre ka qenë ministri Fatmir Xhafaj, prandaj edhe vlerësimi ynë për ministrin është i qartë. Ne shpresojmë që ministri i ardhshëm dhe qeveria do vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë vendin. Në fakt ne presim që kjo gjë të ndodhë pasi është në të interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ata që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin do të kenë në krah BE-në”- tha ambasadori i BE në Tiranë.