Ambasadori Donald Lu, takim me kreun e shtetit Nishani

547
Sigal

Ambasadori amerikan Donald Lu i është drejtuar mesditën e sotme Presidencës, ku po zhvillon një takim me Kreun e Shtetit, Bujar Nishani.

Takimi një ditë pasi Presidenti njoftoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë lidhur me çështjen e kanabisit në vend.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet më 11 nëntor. Burime të Ora News bëjnë të ditur që Këshilli do të mblidhet në orën 18:00.

Nishani deklaroi me 1 nentor: Çështja e kanabisit është realisht një problem. Është një çështje që lidhet me veprimtarinë kriminale. Unë kam vendosur që së shpejti tët thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar në lidhje me problematikën dhe mënyrën se si duhet ta përballojmë këtë sfidë serioze.

Edhe Ambasadori amerikan në një komunikim të hapur që pati dje në fb, deklaroi se qeveria duhet të bëjë më shumë për çështjen e kanabizimit ndërsa pranoi se prodhimi i kanabisit është rritur këtë vit.

Ai  tha se Agjencia amerikane DEA po bashkëpunon me autoritetet shqiptare për të arrestuar ata që i quajti “peshqit e mëdhenj”trafikantët e heroinës dhe kokainës në këtë vend.

Ambasadori Lu:  Ajo  që është e qartë për mua është se puna e Guardia di Finanza-s, shërbimit Italian që ka fluturuar mbi Shqipëri për të hartëzuar prodhimin e drogave të paligjshme ka arritur në përfundimin se kultivimi i drogës është rritur gjatë vitit të kaluar. Ajo që kam thënë më parë dhe dua ta përsëris tani është se e gjithë qeveria e Shqipërisë duhet të bëjë më shumë. Si partnerë të huaj, mendoj se edhe ne duhet të bëjmë më shumë. Më lejoni të përmend disa nga gjërat që Shtetet e Bashkuara i bëjnë tashmë.

Së pari, Agjencia e Anti-Drogës e SHBA – DEA – po punon ngushtë me autoritetet Shqiptare për të arrestuar trafikantët e drogës – peshqit e mëdhenj – dhe jemi veçanërisht të përqendruar tek ata që trafikojnë heroinë dhe kokainë nëpërmjet vendit tuaj. Së dyti, për shtatë vite, kemi punuar me Ministrinë e Arsimit në shkollat e Shqipërisë për të ndihmuar që të rinjve t’iu mësohen rreziqet e drogës.

Në karrierën time kam jetuar në shumë vende ku një brez i tërë është sakrifikuar prej përhapjes së tmerrshme të narkotikëve të paligjshëm; dhe, e treat, me anë të trajnimeve, ekspertizës sonë teknike dhe instalimit të teknologjisë komerciale, teknologji të lartë skanimi, po mbështesim policinë e kufirit dhe doganat për të kapur më shumë droga të paligjshme që hyjnë dhe dalin në kufijtë e Shqipërisë.

Megjithatë, dua vërtet të them për të gjithë ata që janë kritikë e asaj që po ndodh dhe luftojnë në media për problemin e drogës, kërkesa që kam për të gjithë ata është: ndaloni sherret dhe të përpiqemi të gjejmë një mënyrë që edhe të pranojmë problemet serioze që ndodhin në Shqipëri por edhe të punojmë sëbashku për t’i luftuar ato.