Ambasadori austriak: Arrestimet e ‘të fortëve’ hapa pozitive. Duhet vetting i politikanëve

517
Sigal

Shqipëria është një faktor me rëndësi për rolin që ajo luan në rajonin e Ballkanit. Kështu e vlerësoi ambasadori austriak, Johan Sattler gjatë festës së Austrisë, event që mblodhi personalitete dhe figura të pushtetit vendor në Shkodër. Sattler tha se muajt në vijim të përdoren për të përparuar në çështjet kryesore për integrimin në BE, që janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. “Shpresoj shumë që ata mund te përdorin këto tetë muajt e ardhshëm për të bërë përparim të vërtetë në çështjet kryesore që janë në tryezë që është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.” Për sa i përket procesit të Vettingut, ambasadori tha se, jo gjithçka ka shkuar aq shpejt sa është dashur, por gjithsesi mbetet proces me shumë rëndësi ku domosdoshmëri është krijimi KLP dhe SPAK, të cilat, sipas tij, vitin e ardhshëm do jenë krijuar. “Në këto 2 vite të ndryshimeve kushtetuese në parlament, vettingu ka nisur dhe 60 njerëzit e parë janë verifikuar. Jo gjithçka ka shkuar aq shpejt sa kemi dashur ne. Vettingu i politikanëve është shumë i domosdoshëm dhe do të ndodhë pasi të kemi institucionet që kërkojnë pak durim, KLP dhe SPAK. Vitin e ardhshëm t’i kemi të krijuara këto institucione.” Në fund ambasadori Sattler shtoi se ajo që është parë muajt e fundit në Shqipëri janë hapat pozitivë, për të dërguar pas hekurave të “fortët”. “Ka një përqendrim të madh këtë periudhë për të dërguar pas hekurave të “fortët”. Ka pasur një përpjekje të vërtetë dhe kjo është ajo që duam të shohim edhe në vazhdimësi, pasi arrestimi është vetëm një gjë.”