Ambasadori Arvizu takon Gjiknurin për t’u interesuar për strukturën e re të qeverisë

450
Sigal

Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu është takuar dje  në selinë e PS-së me Damian Gjiknurin, i zgjedhur nga Rama si ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës në qeverinë e re. Në këtë takim, që zgjati rreth 1 orë ambasadori shoqërohej nga stafi i tij i ngushtë, i përbërë nga këshilltarët si edhe nga zv.ambasadori i SHBA-ve. Gjiknuri është nga njerëzit më të besuar i Kryeministrit Rama dhe është përgjegjës për formatimin e plotë të qeverisë së re. Ndaj edhe ambasadori Arvizu, u interesua të mësojë nga Gjiknuri pikërisht, për formatimin e qeverisë së re dhe pak fare u prekën temat që kishin të bënin me ministrinë, të cilën do ta drejtojë Gjiknuri. Interesimi i ambasadorit Arvizu ishte të mësonte diçka më shumë, lidhur me emërimet e tjera  të qeverisë, sikurse zëvendësministrat, që priten të bëhen zyrtare.

Reagon Vasili i LSI-së

Menjëherë, pas këtij takimi, ka reaguar edhe LSI-ja, nëpërmjet nënkryetarit të saj, Petrit Vasili. Dihet që emërimet e zëvendësministrave po vonohen, pikërisht sepse midis PS-LSI nuk është arritur  ende një marrëveshje, ndaj edhe Rama akoma nuk po fillon bisedimet me aleatët. Nënkryetari i LSI-së,  Petrit Vasili, publikisht deklaroi se emërimi i zëvendësministrave do të bëhet pasi të votëbesohet qeveria në Kuvend, duke i çuar mesazhe  të anasjelltë PS-së.  Sipas tij, ndarja e këtyre posteve do të bëhet po me atë frymë bashkëpunimi dhe proporcionaliteti, siç u bë edhe ndarja e posteve të ministrave.