Ambasadorët kërkojnë “llogari” për kanabisin, takim me Ramën në Kryeministri

409
Sigal


Kultivimi i kanabisit në vend dhe deklaratat e kreut të Shtetit, Bujar Nishani se do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare pikërisht për këtë çështje, kanë nxitur reagimin e ambasadorëve të vendeve të BE-së, të cilët kanë kërkuar një takim me kryeministrin Edi Rama. Takimi u zhvillua në Kryeministri, ku rreth orës 17:00 është parë të hyjë ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin. Në takim ndodhej edhe ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, si dhe ambasadorë të tjerë të akredituar në vend. Takimi i diplomatëve me Ramën u fokusua tek kanabisi dhe shqetësimi për kultivimin e tij. Kryeministri informoi diplomatët e akredituar në vendin tonë për situatën ku ndodhet vendi. Pas deklaratës së presidentit Bujar Nishani se do të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare për çështjen e kultivimit të kanabisit, kryeministri Rama zgjodhi ta ironizojë duke e ‘këshilluar’ që të mblidhte Këshillin Kombëtar te PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të Shqupit. “Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për kanabisin?! Jo, duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të Shqupit. Bashkëngjitur letra e Komisionerit Europian për Punët e Brendshme, si kontributi ynë dashamirës për mbarëvajtjen e mbledhjes. Suksese”, shkruan Rama.