Ambasadorët e BE në konsultë, Vlahutin ende “gojëkyçur”

551
Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian janë mbledhur dje për një konsultë të përbashkët lidhur me zhvillimet në Shqipëri. Në takimin e zakonshëm, të udhëhequr nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, mësohet se janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit politike dhe tensioni i rritur mes palëve pas hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm. Megjithatë, mungojnë detaje të mëtejshme për takimin e diplomatëve të vendeve të BE-së, ndërsa përfaqësuesja e Brukselit në Tiranë ende nuk ka dhënë një koment publik për rastin “Tahiri”. Ndonëse prej rreth 10 ditësh, Tirana zyrtare zien nga akuzat dhe zhvillimet e lidhur me trafikun e drogës drejt Italisë në përmasa të mëdha, ambasadorja Vlahutin vazhdon të heshtë. Nga ana e saj, politika amerikane shfaqet më aktive, pasi prej dy ditësh kanë mbërritur nga diplomatët e Uashingtonit dy deklarata të rëndësishme për zhvillimet politike dhe hetimet e organeve të drejtësisë në Shqipëri.
Sigal