Ambasadore Yuri Kim, mos shikoni ERTV, por besoni shqiptarët

539
Sigal

Analizë nga Prof. Dr. Ana Leka/ Mirë se erdhët në Shqipëri! Shumë shpejt do kuptoni që vendi ynë ka dy realitete. Virtuali që gjendet tek ERTV, televizioni propagandistik online i kryeministrit Rama,  ndërsa i vërteti ndjehet në jetën e përditshme të shqiptarëve, të cilët nuk kanë shprese për të ardhmen. Presidenca e OSBE-së, votimet moniste, kapja e pushteteve, zyrtarët e inkriminuar, parlamenti ilegjitim, drejtësia e munguar dhe shpopullimi

Prof. Dr. Ana Leka

E nderuar ambasadore Yuri Kim, mirë se erdhët në Shqipëri! Një vend i bukur, me natyrë të mrekullueshme, me pasuri të shumta natyrore, me njerëz paqedashës, pro-perëndimorë, por të ndëshkuar rëndë nga politika. Teksa ju erdhët, zonja ambasadore, shqiptarët po ikin. Po ikin në numra aq të mëdha, sa që ambasadori i ardhshëm amerikan në Shqipëri do e gjejë këtë vend të përgjysmuar. Po largohen znj. Kim, jo vetëm shtresa e ulët, por intelektualët dhe ata me punë të rëndësishme; si mjekët, profesorët, mësuesit, madje edhe ata që janë kthyer nga studimet jashtë, të cilët të zhgënjyer nga pamundësia për ndryshim detyrohen të emigrojnë sërish. Azilantët shqiptarë në vendet e Evropës po shtohen dita-ditës. Vetëm gjatë dhjetë mujorit të 2019-s kanë kërkuar azil 17433 shqiptarë. Ikin zonja ambasadore, lënë pas çdo gjë, familjen dhe atdheun, sepse këtu është shuar shpresa.

Shumë shpejt do kuptoni që vendi ynë ka dy realitete, ai virtuali dhe ai i vërteti. Virtuali gjendet tek ERTV, televizioni propagandistik online i kryeministrit Rama, i cili, sipas tij, është media më profesionale, pasi të tjerat ai i quan kazan, ndërsa i vërteti ndjehet në jetën e përditshme të shqiptarëve, të cilët tashmë nuk kanë më asnjë grimcë shprese për të tashmen dhe të ardhmen. Ndaj mos e shikoni ERTV, por besoni shqiptarët e thjeshtë.

  • Në ERTV Shqipëria po ndërmerr reforma të papara dhe po shënon arritje të mëdha, por dëgjoni nga shqiptarët sesi ata vuajnë në cakun e mbijetesës, sesi të rinjtë janë të papunë pasi qeveria është kujdesur vetëm për një grusht oligarkësh dhe jo për shqiptarët, sesi korrupsioni ushqen pushtetin dhe jo fëmijët e shqiptarëve, sesi mafia ka kapur shtetin dhe kriminelët dalin nga burgu ndërkohë që njerëz të thjeshtë syrgjynosen në burgje për pak gjë. Në ERTV Shqipëria e meriton anëtarësimin në BE, por shqiptarët do të të thonë të vërtetën, që kjo është qeveria më e korruptuar në tridhjetë vitet e fundit, e dëshmuar kjo nga të gjitha raportet ndërkombëtare. Një qeveri e përbërë nga njerëz kriminelë dhe trafikantë, të zgjedhur qëllimisht si kryetarë bashkie, deputetë, e me poste të larta shtetërore, të cilët jo vetëm kanë ndryshuar me dhjetëra herë emrat e tyre, por janë të akuzuar për trafiqe dhe përdhunime.
  • Përpara se të hapej ERTV-ja Shqipëria kryesonte në rajon në procesin e integrimit, ndërsa tani është e fundit. Jemi nga fundi në ‘doing business’. Jemi nga fundi në luftën kundër korrupsionit.
  • Përpara ERTV-së Shqipëria kishte vetëm 5 kushte tani ka 11 dhe një rritje të skajshme të skepticizmit të vendeve anëtare ndaj saj.
  • Në ERTV fajin për këtë e ka Emmanuel Macron, në realitet shqiptarët e dinë, se është vetëm Rama ai, i cili e ka marrë peng këtë vend dhe po pengon integrimin.
  • Në ERTV Shqipëria është një vend ku sundon ligji dhe shteti është vigjilent ndaj krimit, por në të vërtetë, gjatë gjashtë viteve të fundit vendi ynë mori damkën nga të gjitha mediat ndërkombëtare dhe sytë e botës si ‘Kolumbia e Evropës’, pasi çdo rrëzë e truallit shqiptar u mbush me kanabis dhe trafikimi i drogave të rënda u shtua në përmasa të frikshme.

  • Në ERTV:
  1. -nuk përmenden dy ish-ministra të brendshëm të lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike,
  2. -as ish-drejtorë policie, të cilët janë ende në kërkim (e as që kanë për t’u kapur, sepse do tregojnë kreun e vërtetë të planit për kanabizimin e vendit),
  3. -as avionë që uleshin e ngriheshin në pista të improvizuara fluturimi vetëm 8 km larg nga kryeqyteti, e me raste rrëzoheshin nga pesha e rëndë e drogës që transportonin.
  4. -Nuk përmendet as vlera prej miliarda eurosh që solli si përfitim kanabizimi i vendit me qëllim që të përdorej për blerjen e votave dhe fitoret zgjedhore.
  5. Në ERTV Shqipëria është e angazhuar të kryesojë me dinjitet OSBE-në për 2020-n, por shqiptarët qeshin hidhur ndaj këtij fakti, sepse:
  6. -Qeveria më e korruptuar e Evropës predikon demokracinë, të cilën e ka dhunuar kaq keq në vitet e fundit.
  7. -Qeveria që miraton ligje kundër lirisë së fjalës dhe shkel të drejtat themeltare të njeriut, i del kundër BE-së, Organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare të medias, e madje edhe vetë OSBE-së, predikon liritë e njeriut?!
  8. -Qeveria e cila është në konflikt me të gjitha institucionet, me të gjitha kategoritë e njerëzve: intelektualët, arsimtarët, mjekët, artistët, gazetarët etj., predikon dialogun për konflikte në shtetet e tjera.
  9. -Kjo qeveri që predikon dialogun nuk është treguar kurrë e gatshme të dialogojë me partitë opozitare, duke rrezikuar përplasje civile ndër shqiptarët, vetëm e vetëm të ruajë pushtetin e saj…

-Kjo qeveri që ka marrë presidencën e OSBE-së për 2020-n, vetëm pak kohë më parë zhvilloi:

  1. Votime të stilit komunist.
    1. Votime me një kandidat të vetëm.
    2. Votime pa kundërshtarë.
    3. Votime në të cilat qeveria vetë i zgjodhi kandidatët, vetë i administroi, vetë i numëroi dhe vetë i shpalli.

E megjithatë, kishte qendra votimi me zero vota, pasi shqiptarët nuk mund ta pranonin këtë poshtërim ndaj tyre, ndaj edhe e bojkotuan atë proces masivisht. Vetëm administrata shtetërore, nën terror dhe kërcënime për shkarkim nga puna, u detyrua të votonte.

Lexojeni Raportin e OSBE/ODIHR, zonja ambasadore, në të thuhet se në 30 nga 61 bashkitë e vendit kandidatët garuan pa kundërshtarë.

…Lexoni edhe përfundimet e tjera të raportit për të kuptuar realitetin e hidhur dhe dëmin dhe kërcënimin e madh që i është bërë demokracisë në Shqipëri.

  • Në ERTV qeveria Rama është progresiste, por shqiptarët do jua thonë të vërtetën, se kjo qeveri po e kthen vendin në diktaturën e tridhjetë viteve më parë. Një njeri i vetëm sot kontrollon qeverinë, ka një parlament ilegjitim me 122 deputetë në dorën e tij, kontrollon të gjitha bashkitë, këshillat bashkiakë, kërkon të shkarkojë Presidentin në mënyrë që ta marrë për vete edhe atë ofiq, dhe synon të kapë plotësisht sistemin gjyqësor.
  • Në ERTV qeveria promovon reformën në drejtësi, një projekt shembullor për mbarë globin sipas KM, por të cilën as Maqedonia dhe Kosova nuk e duan. Askush nuk e do, sepse rezultoi katastrofik. E la vendin dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese. Sepse prodhoi një KLP të kryesuar nga kunati i një ministre socialiste; një KLGj e kryesuar nga mikesha e deputetëve socialist; një ILD të kryesuar nga vëllai i një deputeteje të Ramës; gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që betohen tek Noteri; pa Gjykatë të Lartë dhe 35,000 dosje të shqiptarëve që presin të shqyrtohen për të cilat duhen dekada të tëra.
  • Në ERTV qeveria promovon sundimin e ligjit, por shqiptarët e dinë se në këtë vend ligjin dhe drejtësinë e kontrollon një njeri i vetëm: Kryeministri Rama, i cili në Kushtetutën e ëndrrave të tij ka të shkruar “Ligji jam unë.” Ndaj edhe i duhet Gjykata Kushtetuese, edhe Gjykata e Lartë, edhe çdo organ drejtësie, që të arrijë këtë mision, që ligji të jetë vetëm ai, e në këtë mënyrë, me fuqi të plota e absolute të mbrohet nga skandalet e dosjeve ‘184’ dhe ‘339’, dhe nga koncesionet korruptive prej qindra miliona eurosh. Ta bëjë drejtësinë të tijën, që të mbrohet nga burgu edhe kur të mos jetë më kryeministër.

Znj. Kim! Ju keni përvojë të gjatë në zgjidhjen e sfidave kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Evropën, Azinë dhe Lindjen e Mesme. Detyra juaj e re në Shqipëri do jetë po aq e vështirë sa në vendet me konflikte dhe sfida madhore, pasi në këtë vend të vogël pro-amerikan, kanë ndodhur skandale të mëdha, po instalohet një diktaturë e frikshme dhe shteti shqiptar është në falimentim, ndaj mos besoni propagandën e shëmtuar të ERTV-së, por besoni shqiptarët që po vuajnë më shumë se kurrë, të cilët, uroj që ta dini tashmë, ju kanë pritur me padurim dhe kanë shumë shpresa tek Ju dhe tek vendi që ju përfaqësoni.