Ambasadorë të Evropës në Tiranë, që i bëjnë “fresk” qeverisë

447
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca dje, në mënyrë tipike kortezie, (përtej hipokrizisë) pohoi se vendet evropiane presin nga Shqipëria rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk iu drejtua askujt, me emër, me mbiemër, nuk përmendi asnjë zyrtar shqiptar, asnjë institucion shtetëror në Shqipëri, që korruptojnë, nuk përmendi asnjë krim që ende në Shqipëri nuk është luftuar. Ndoshta, me gjuhën diplomatike, ambasadori i BE në Tiranë u dha mesazh qeverisë, që, me pretekstin e luftës kundër korrupsionit, kërkon të “lajë” llogaritë me kundërshtarët e vet politikë. Ambasadori i BE në Tiranë, Soreca, ka shumë muaj që është me detyrë në Tiranë, por asnjëherë nuk ka folur haptas shqiptarëve, se cilët, sipas gjykimit të tij, janë zyrtarët e lartë që korruptojnë, cilat janë krimet që ende nuk po luftohet, pse nuk luftohet, nga cilët zyrtarë dhe politikanë kriminelët kanë mbështetje etj. Shqipëria mbahet ende jashtë BE-së për shkak të korrupsionit dhe pa dënueshmërisë së krimit. Shqiptarët janë ata që e pësojnë, derisa u mohohen shumë të drejta politike, qytetare, sociale, të jenë të barabartë me qytetarët e Bashkimit Evropian. Mirëpo, korrupsionin në Shqipëri nuk e bëjnë qytetarët, por zyrtarët që qeverisin, politikanët ligjbërës. Pse ambasadori i BE në Tiranë nuk u flet shteteve të BE-së, të cilët e kanë dërguar misionar diplomatik në Tiranë dhe shqiptarëve konkretisht, me emra, cilët janë ata që korruptojnë dhe cilët janë krimet dhe kriminelët e pandëshkuar? Pse ambasadori i Evropës nuk mbështet protestën e studentëve? Apo me heshtje, është kundër? Pse ambasadori i Evropës nuk flet për protestën e banorëve që u prishen shtëpitë dhe dhunohen nga policia sepse protestojnë? A nuk merren nëpër këmbë nga institucionet shtetërore të drejtat demokratike dhe të drejtat e Njeriut? Ambasadori i Evropës në Tiranë ka mision që të thotë të vërtetën publikisht dhe të dënohen ata zyrtarë që korruptojnë, të ndëshkohen kriminelët dhe ata politikanë që i mbështetin dhe jo të bëjë “fresk” qeverisë, duke e mjegulluar të vërtetën me sofizma retorike.