Ambasada Greke në Tiranë: Ja e vërteta e kthimit të emigrantëve shqiptarë

436
Sigal


Njoftim i
Ambasadës së Greqisë në Tiranë në lidhje me informacionet e pavërteta për sa u
përket kalimeve nga pikat kufitare dhe shërbimeve konsullore që u ofrohen
qytetarëve shqiptarë. Meqenëse gjatë ditëve të fundit, vihet re një fushatë dezinformimi
të qytetarëve shqiptarë, Ambasada e Greqisë në Tiranë dëshiron që të bëjë
sqarimet e mëposhtme: Nuk ka as edhe një ndryshim për sa u përket kushteve të
kalimit në pikat e kalimit në kufijtë Greko – Shqiptarë, të cilat zbatojnë ato
që parashikon Marrëveshja Shengen për qytetarët e të vendeve të treta që dëshirojnë
të vizitojnë zonën Shengen. Kjo gjë iu shpjegua në mënyrë plotësisht të qartë
Ministrit të Brendshëm z. Tahiri nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të
Policisë Greke, gjatë takimit të tyre më 4 Nëntor. Të gjitha vonesat apo edhe
ndalimet e hyrjes që vihen re këto ditë, janë të zakonshme për çdo vit, gjatë
muajve Nëntor dhe Dhjetor. Gjatë kësaj periudhe, kryesisht për shkak të
mbledhjes së ullinjve, shtohet numri i shtetasve shqiptarë që kërkojnë punë
sezonale në Greqi, pa pasur vizë të posaçme për këtë qëllim, rrjedhimisht nuk
plotësojnë kërkesat që parashikon Marrëveshja Shengen, të cilat Autoritetet
Greke i respektojnë dhe i zbatojnë pa asnjë devijim. As edhe një ndryshim nuk
ekziston për sa u përket shërbimeve që autoritetet konsullore greke në Shqipëri
u ofrojnë qytetarëve Shqiptarë. Ato, me përpjekje mbinjerëzore, gjatë muajve të
fundit ia kanë dalë që të shkurtojnë kohën e pritjes, nga 10 ditë në 3 ditë
pune, që nga momenti që çdo dokument dorëzohet nga posta. Kuptohet që
autoritetet greke nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për çdo vonesë të mundshme në
dërgimin e korrespondencës nga ana e Postës Shqiptare. Shkrime të ndryshme që
bëjnë fjalë për gjoja “hakmarrje greke”, janë tërësisht të pavërteta, nuk i
përgjigjen realitetit dhe kanë si qëllim, që të krijojnë armiq imagjinarë.
Ndjenjat e sinqerta të miqësisë dhe të solidaritetit të Greqisë dhe të popullit
grek kundrejt popullit shqiptar, kanë kohështrirje të gjatë dhe nuk mund të
vihen në diskutim. Ata 700 mijë emigrantë shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë
në Greqi dhe të integrohen natyrshëm në shoqërinë greke, përbëjnë një tregues
të gjallë të bashkekzistencës harmonike midis dy popujve.