Ambasada Amerikane u bën apel gjyqtarëve të ndershëm të kandidojnë për Këshillin e Lartë Gjyqësor

488
Sigal

Ambasada Amerikane thotë se Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie që i shërben qytetarëve dhe në këtë kuadër u ka bërë thirrje gjyqtarëve të aplikojnë për në Këshillin e Lartë Gjyqësor. “Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie që vërtet i shërben interesave të qytetarëve të saj. Iu bëjmë thirrje gjykatësve të ndershëm, patriotë dhe me integritet nga gjykatat e apelit që të bëjnë përpara dhe t’i shërbejnë vendit të tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor”, shkruan ambasada e SHBA.

Ngritja e organeve të reja të drejtësisë ka hasur vështirësi të mëdha. Gjyqtarët nuk kanë aplikuar për tu bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Kur kanë kaluar afërsisht 4 javë nga thirrja e Gjykatës së Lartë që çeli garën për në KLGJ, askush nga gjyqtarët nuk ka shprehur interes për të konkurruar, duke ditur që do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit. Thirrja e Gjykatës së Lartë erdhi pas shkarkimit të Gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva, i cili nuk kaloi filtrat e Vettingut për shkak të burimeve të pajustifikuara të pasurisë. Besim Trezhnjeva ishte i vetmi kandidat për të qenë pjesë e KLGJ. Këshilli i Lartë Gjyqësor do ketë 11 anëtarë dhe përveç kontrollit në gjyqësor ka kompetenca edhe të vulosë vazhdimin në detyrë edhe të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda që do kalojnë vettingun dhe që më pas do jenë gjyqtarët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është gjykata e re që shpresohet të gjykojë zyrtarët e lartë të korruptuar dhe anëtarët e krimit të organizuar.