ALUIZNI reagon ndaj deklaratave të PD për hotel Diplomat

467
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t sqaron qytetarët dhe koordinatoren e PD-së për median, znj. Silvi Bardhi, mbi akuzat e bëra për rastin e Hotel Diplomatit, sa vijon:

  1. Nëse do të na kishin kërkuar dokumentacionin do j’ua kishim dhënë vetë ne dhe nuk do të kishte qenë nevoja të bënin fotografi fshehuriçkazi.

Meqënëse fotografitë e bëra prej tyre me celuar ishin të turbullta, bashkëlidhur po paraqesim dokumentat origjinale.

  1. Subjekti në fjalë ka bërë vetëdeklarimin më dt. 11.11.2006. (Bashklidhur fotokopje e vetëdeklarimit).
  2. Me VKM nr. 125 datë 17.02.2010, me firmë të kryeministrit Sali Berisha, subjektit i ka kaluar pronësia e truallit (Bashkëlidhur fotokopje e VKM).
  3. Më dt. 25.10.2011, në bazë të kësaj VKM  dhe kualifikimit të dosjes, subjekti ka kryer pagesën e truallit (Bashkëlidhur dokumenti).
  4. Në fund të procesit, në datë 12.12.2011, subjektit i është lidhur kontrata e kalimit të pronësisë për parcelën ndërtimore e firmosur nga ish-Drejtori i Përgjithshëm Shaban Memia.

 Pra, siç e shihni, e gjithë procedura është filluar dhe përfunduar nga administrata paraardhëse. Nga ky moment, për tre vjet rresht, subjektit nuk i është dorëzuar leja e legalizimit. Kjo skemë rezulton për rreth 140 subjekte, përgjithësisht biznese, të cilëve i’u plotësohej e gjithë procedura nga A-ja tek ZH–ja dhe në fund ju kërkohej “gjoba perkatëse” për t’jua dorëzuar leja e legalizmit. Ne i bëmë vetëm dorëzimin e lejës së legalizmit këtij subjekti, pa “gjobën përkatëse”, siç do të bëjmë në ditët në vijim edhe për subjektet e tjera, të cilat kanë nga një deri në katër vjet që presin të marrin thjesht aktit formal të lejes.

 Nëse zoti Berisha do të kishte dashur t’jua merrte gjobën, thjesht duhet të kishte fituar zgjedhjet në qershor 2013 dhe të kishte lënë të njëjtën administratë në fuqi.