Altin Toska: Do ta bëjmë Cërrikun qytet europian, qendër e agro-përpunimit shqiptar

948
Në një intervistë për “Telegraf” Kandidati ASHE për Bashkinë e Cerrikut Altin Toska, ka renditur disa prej problematikave që ka sot qyteti dhe rrethinat dhe fshatrat e Cerrikut, si dhe pikat e programit të tij, mundësinë dhe premtimet e tij për një Cerrik ndryshe, me pamje dhe infrastrukturë europiane, dhe fshatrat e tij zona të zhvilluara me drejtim bujqesor dhe agropërpunues. Altin Toska mbetet favoriti kryesor më bindësi dhe më i preferuari nga votuesit e qytetit dhe rrethinave të Cerrikut, falë njohjeve dhe gjetjes së bashkëpunimit edhe me kryetarë bashkishë në shtetin fqinjë Itali. 

Zoti Toska, ju keni jetuar prej vitesh në Itali, ku keni ngritur edhe një biznes. Kush ishte arsyeja që ju shtyu të vinit në vendlindje, pas kaq shume vitesh emigrimi dhe të pranoni kandidimin për kryetar Bashkie në Cerrik?
Po është e vërtetë, që pas shumë vitesh emigrimi po kthehem ne qytetin tim, sepse ndjeva një thirrje, që buron nga papunësia dhe varfëria e tejskajshme sa herë që kthehem në vendlindjen time. Pasi më kontaktoi kreu i LSI-së zoti Ilir Meta , nuk e mendova dy herë, dhe vendosa të vij përsëri me një qëllim, të punoj sëbashku me të gjithë patriotët dhe bashkëqytetarët e mi, me perkushtim, që ta bejme Cërrikun një qendër të zhvilluar, të ndryshojmë jeten tone dhe ta bëjmë më të mirëqenë. Unë vërtetë kam jetuar prej vitesh në Itali, por zemra dhe mendja ime ka qenë tek vendlindja ime, tek qyteti im, tek realizimi i një ëndërre e cila përkon me zhvillimin e qytetit, me transformimin e tij në qendër agropërpunuese pasi Cerriku ka resurse dhe premton progress, rritje të nivelit ekonomik, rritje të biznesit, të sektorit bujqesor e blegtoral, rritjen e mirëqenies së banorëve. Bashkë pa dallime politike, ne duhet ta bëjmë Cerrikun të lakmueshëm, të jetueshëm, me infrastrukturë moderne, me vende të reja pune, me linja prodhimi, me qendra rinore, për ti hequr zymtësinë, për të rritur shpresën për jetën tone dhe të fëmijëve. 

Si mendoni ta realizoni programin tuaj për një Cerrik ndryshe ?
Unë jam i bindur që mund t’ia dal, nga qe i njoh dhe me njohin qytetarët e mi, dhe me vullnet dhe angazhim të përbashkët do ta shndërrojmë Cerrikun në një vend plot gjallëri, projekte dhe besim, për të realizuar një ndryshim të madh dhe të thellë.Cërriku duhet të shndërrohet në një hapësire me mundësi dhe zhvillim. Para se gjithash, duhet të krijojmë “abc-në” e zhvillimit , mundësinë për punësim. Zona e Cerrikut, qyteti dhe fshatrat, kanë mundësi të mëdha për zhvillimin e sektorëve të bujqesisë, agropërpunimit, toka këtu është e begatë, njerëzit këtu janë paqësorë, punëtorë, korrektë, e duan progresin, e duan token dhe pronën e tyre, e duan zhvillimin, dhe e përfafojnë çdo gjë të re. Duke patur mbështetjen e qytetarëve dhe votuesve të kësaj zone, duke patur mbështetjen e qeverisë, duke patur përkushtimin tim maksimal, duke patur programin tim dhe idenë e patundur se, vetëm puna në ekip dhe vetëm angazhimi profesionistëve dhe specialistëve të fushës, do të sjellë suksesin, unë premtoj se Cerriku dhe fshatrat e tij, se Bashkia e madhe e Cerrikut do të jetë shembull i mirëqeverisjes vendore, shembull i zbatimit dhe realizimit të projekteve të zhvillimit të kësaj zone të lënë në harresë për 25 vjet nga të gjitha qeveritë. Jemi në drejtimin e duhur, jemi në kohën e duhur, jemi në rrugën e mbarë, për një Cerrik të zhvilluar dhe europian, ndaj duhet ta bëjmë realitet ëndërrën dhe programin tonë. 
Çfarë politikash do të ndiqni përsa i përket punësimit të qytetarëve, për ta zbutur problemet e tjera sociale ?
Fatkeqësisht Cërriku është zona me papunësinë më të madhe në vend, sepse tek punësimi fillon mirëqenia për cdo individ dhe për familjen e tij.Mirepo punësimi zë fill që tek shkolla dhe tek shkollimi i vërtetë i brezave. Do t’i rikthej shkollën profesionale të Cërrikut me funksionin dhe shkëlqimin e mëparshëm, me ambicien për ta bërë një qendër të mirëfilltë dhe të nivelit kombëtar për teknikët e bujqësisë, për mjeshterinë e agroperpunimit dhe industrisë ushqimore. Kjo do të na ndihmojë që ta bëjmë Cërrikun qytetin e parë dhe të madh bujqësor me përparesi agroperpunimin në vend. Dua të përmendë këtu dhe bashkëpunimet me të investitorë të huaj, si biznesit fason, ku priten të hapen shume vende pune. Cerriku dhe qytetarët e tij meritojnë më shumë, meritojnë më shumë vëmëndje, më shumë vende të reja pune, më shumë shkolla, kopështe, çerdhe, rrugë të reja, kanalizime dhe rrjet të ri ujësjellesi, tregje të reja për prodhimet e tyre bujqesore, qendra rinore për ta larguar rininë nga monotonia dhe rruga e gabuar. Ky zhvillim dhe zbatimi këtyre prioriteteve do të zbusë padyshim papunësinë e cila mbetet burimi i të gjitha problemeve të tjera sociale dhe shoqerore. 
Cërriku është një vend bujqësor, çfarë do ti ofroni fermerëve të kësaj zone?
Po Cerriku dhe zonat e begata rreth tij, fshatrat janë me prirje bujqësore, kanë prodhime të mbara dhe të shumëllojshme, ndaj dhe një prej pikave të programit zhvillimor është edhe sektori bujqesor. Investime të rëndësishme do të ketë në bujqësi ,në sistemin e grumbullimit dhe të përpunimit të bujqesisë e blegtorisë. Fermerët do të kenë mbështetjen maksimale të Bashkisë së re, dhe timin personal pasi ne kemi fatin e mirë që kemi dhe mbështetjen e qeverisë, me dy ministrat tanë të nderuar si ai i Bujqesisë Panariti dhe Transporteve . Zotohem se do të ndihmojmë fermerët dhe bizneset që prodhimi të dalë në tregjet kryesore të vendit dhe të përfitohet kësisoj një vlerë shumë herë më e larte nga puna e djersa e cdo prodhuesi.

Zoti Toska ju përmendët infrastrukturën dhe si prioritet bujqësinë e zonës, çfarë projekte keni?
Infrastruktura do të pësojë një zhvillim të ndjeshëm , duke filluar me projektin madhor te rrugës Cërrik – Banjë, e më pas më rrugët midis njësive, fshatrave duke i lidhur ato me rrugët nacionale.Do të ndërhyjme shumë energjikisht edhe me sistemet e Ujësjellës- Kanalizimeve duke shmangur të gjitha problematikat me furnizimin me ujë të pijshëm. Investime të rëndësishme dhe të garantuara që tani, do të na mundësojnë të realizojme rrjetin modern vaditës-kullues, në gjithë infrastrukturën e prodhimit. Do të rrisim investimet në sektorin e bujqësisë, duke marrë njëherësh edhe premtimin e Ministrit Bujqesisë zotit Panaritit, për ndihmë konkrete ndaj fermerëve dhe kultivuesve të industrisë së agrokulturës për të rritur gamën e prodhimeve dhe një degë të përpunimit të prodhimeve vendase në Cerrik. Cilësia e shërbimit dhe përkushtimit të Bashkisë së Cërrikut, do të rritet dhe do të ndryshojë rrënjësisht. Do të përmirësojmë ndjeshëm shërbimin shëndetësor, në fushën e parandalimit dhe të mjekimit të sëmundjeve. Do rikthejme projektet urbane në Cërrik, që ta zbukurojmë bashkë qytetin duke rikthyer me gjithë forcën e saj edhe jetën kuturore.Do të investojmë tek sporti, tek stadiumi i qytetit, në ambjente sportive e palestra, që Cërriku, në vijim të traditës së vet, të nxjerrë kampionë të rinj.Do të mbështesim fuqishëm shtresat në nevojë, familjët me një prind, dhe komunitetet romë e egjiptianë, duke synuar dhe arritur integrimin e tyre në jetën në komunitet. 
Si ndiheni para kësaj gare elektorale zoti Toska?
Ndjehem i vullnetshëm, energjik, optimist, realist, dhe mbi të gjitha me besimin tek votuesit e mençur dhe të zgjuar të Cerrikut dhe zonave rreth tij, se bashkë do të ecim në rrugën e mbarë, në rrugën e progresit dhe arritjeve të mëdha. Natyrisht që emocionet janë normale para kësaj gare, por unë gjatë takimeve që kam zhvilluar në zona të ndryshme , kam fituar besimin në vetvete, dhe ndihem i sigurte dhe i vendosur për të qenë kryetari i Bashkisë së re në Cërrik, sepse kam me vete një skuadër të zgjedhur dhe të dhënë pas qytetit të Cerrikut, dhe të ardhmes së saj. Ne i kemi të gjitha potencialet për të realizuar cdo gjë, mjafton të jemi të bashkuar për një qëllim, të gjithë së bashku do të punojme me devotshmeri për një qeverisje vendore të lloji të ri, e aftë dhe e vendosur për të sjellë mirëqenie për cdo qytetar të Cërrikut.Por për të bërë këto gjëra, duhet të kemi besim tek ndryshimi që do të sjellim në 21 qershor. Së bashku do mund të ndërtojmë ate që unë ëndërroj për qytetin tim. Ëndërr për të cilën kam vendosur të bej gjithçka pozitive dhe të dobishme për Cërrikun dhe bashkëqytetaret e mi të dashur!
Sigal