Altin Goxhaj: “BB përdor filozofinë e borxhit, për të mbajtur në kontroll sistemin politik

674
Sigal

INTERVISTA/Altin Goxhaj, kryetari i ZMK-së: “Banka Botërore është instruktori i funksionimit mafioz të CEZ-it”

Shumë herë kemi pyetur: Si ka mundësi që CEZ-i vjedh dhe abuzon kaq hapur shqiptarët dhe qeveria shqiptare hesht? Altin Goxhaj, Kryetari i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve, në intervistën për “Telegraf” pohon, në bazë të dokumenteve, se Banka Botërore është ajo që mbron në Shqipëri interesat e CEZ-it, duke ushtruar presion mbi politikën shqiptare, nëpërmjet politikës së borxheve. Zoti Goxhaj, pohon se, BB-ja u përpoq që të blinte oponencën, të drejtën e mbrojtjes së konsumatorëve nga  ZMK-ja kundrejt 40.000 dollarëve, BB-ja shkarkoi edhe ministrin e METE-s, Nasip Naço, ndërsa zv.ministri i METE-s, Eno Bozo, luan mbrojtësin e interesave të CEZ-it në …qeveri!

– Zoti Goxhaj, çfarë roli luan Banka Botërore në problematikën shqetësuese që është krijuar nga CEZ-i në dëm të konsumatorëve të energjisë elektrike në Shqipëri?

– Banka Botërore është një institucion financiar i cili është në konflikt të plotë interesash në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës. BB-ja ka një degë, IKC-në, që është degë investimesh dhe nga ana tjetër bën edhe si rregullator.

-Ç’do të thotë kjo?

– Që investon në treg, por edhe që rregullon tregun, ndaj BB-ja është akuzuar nga ZMK-ja pikërisht për këtë konflikt interesash që ka në Shqipëri. BB-ja ka ndërhyrë në qeverinë shqiptare nëpërmjet presioneve të ndryshme, duke mbajtur anë në raportet CEZ-shteti shqiptar në favor të CEZ-it dhe gjithmonë në dëm të konsumatorëve shqiptarë.

-Cila është akuza kryesore që ZMK-ja ka bërë ndaj BB-së?

– ZMK-ja e akuzon BB-në jo vetëm për presionin që ka ushtruar sistematikisht ndaj qeverisë shqiptare, për të mbrojtur interesat ekonomike të CEZ-it, por edhe për shkatërrimin e sistemit të ankesave të konsumatorëve që nga viti 2010. Disponojmë fakte sesi BB-ja ka ndërhyrë drejtpërdrejt për të dëmtuar, sabotuar, e në fund fare, për të dështuar totalisht sistemi i ankimit të konsumatorëve  në raport me CEZ-in.

-Konkretisht, cili është fakti që ju keni?

– Në Shqipëri ishin projektuar që të ngriheshin Qendra të Këshillimit të Konsumatorëve, me funksion trajtimin e ankesave të të konflikteve të përdorimit të energjisë elektrike. Ky investim ishte 1,2 milionë dollarë dhe do të mbështetej nga qeveria spanjolle, për të ndihmuar konsumatorët shqiptarë për t’u mbrojtur nga problemet e rritjes të çmimit të energjisë elektrike nga CEZ e nga shqetësimet e tjera që krijon CEZ-i në Shqipëri. BB-ja e anuloi këtë fond, duke e dështuar në forma të ndryshme, pjesë-pjesë, muaj pas muaji, duke ndryshuar disa herë temat e referencës, deri sa e anuloi fare. Unë kam dokumente të anulimit të ngritjes të sistemit të ankimimit të konsumatorëve dhe ZMK-ja ka refuzuar bashkëpunimin me BB-në, zyrtarisht, për të  na u hequr e drejta e ankimit të konsumatorëve , ne nivel kombëtar. Për këtë arsye ne nuk pranuam të merrnim edhe një fond prej 40.000 dollarë, që na afroi BB-ja, që ZMK-ja të mos funksiononim si zyrë e mbrojtjes të konsumatorëve kundër CEZ-it.

– Si ka ndikuar BB-ja në qeverinë shqiptare për të mbrojtur interesat ekonomike të CEZ-it, në dëm të konsumatorëve shqiptarë?

– BB-ja në bashkëpunim me ministrin e METE-s dhe me zv/ministrin e Eno Bozo, ka sabotuar disa herë në mënyrë të qëndrueshme, që nga viti 2010 e deri sot. Ne kemi raportin final, ku thotë se është anuluar sistemi i ankimit të konsumatorëve për problemet e energjisë dhe të ujit. ZMK-ja ka akuzuar vazhdimisht ministrin e zv/ministrin e METE-s, si personat që kanë sabotuar këtë proces në mënyrë zyrtare.

– Përse ministri e zv/ministri i METE-s e kanë sabotuar zyrtarisht ngritjen e sistemit të ankimit të konsumatorëve për energjinë dhe ujin?

– Qëllimet mund të kenë qenë financiare, mund të kenë qenë politike, mund të kenë qenë personale, këtë nuk e di. Di që sistemi është dështuar dhe këtë e dirigjoi drejtpërdrejt BB-ja. Nga 2010-ta, duhet të ishin ngritur 400-500  çështje gjyqësore kundër CEZ-it, por nuk ka asnjë proces gjyqësor të asistuar për këtë qëllim, për arsyen e vetme sepse BB-ja e ka sabotuar.

– Për çfarë interesash, BB-ja luajti rolin e sabotimit të ankesave të konsumatorëve ndaj CEZ-it?

– Elementi më i rëndësishëm është se BB-ja është në konflikt interesi të plotë. BB-ja luan rolin e dyfishtë. Edhe ndërhyn në favor të CEZ-it, edhe bën rolin e rregullatorit, siç është energjia. Dhe ne besojmë se dështimi i CEZ-it  është rasti më i mirë që të marrim në konsideratë rolin e BB-së në Shqipëri.  Përgjegjësia e qeverisë shqiptare është e madhe, por unë ju siguroj që të gjithë politikat, të gjitha taktikat, modeli rregullator është organizuar e dirigjuar nga BB-ja,

– Po zyrat “CEZ, kujdesi ndaj Klientit”, a luan rolin që i atribuon vetvetes?

– Të gjitha këto zyra janë një histori e kungulleshës, e një lojë pingpongu, që nga zyra në zyrë, nga sporteli në sportel, këtu konsumatori shqiptar nuk zgjidh asgjë. Nuk kemi asnjë rast që konsumatori të ketë zgjidhur një ankesë për vjedhje dhe abuzim të CEZ-it në dëm të tij. CEZ-i është një sistem piramide  që vjedh shqiptarët. Në ato zyra të CEZ-it, konsumatorët shqiptarë harxhojnë para e kohë.

– A ka ndikuar BB-ja që PD-ja dhe PS- ja heshtin ndaj abuzimeve të CEZ-it?

– BB-ja ka ndikuar publikisht që PD-PS të të mos përmendin asnjëherë abuzimet e CEZ-it, pasi BB-ja, në një formë apo tjetrën, mban gjithë sistemin e qarkullimit financiar të borxhit në Shqipëri. BB-ja bëhet garant, BB-ja ndërhyn, BB-ja jep investime. BB-ja kryen një armiqësi me shtetin shqiptar dhe shqiptarët janë viktimat në raport financiar, nga borxhet që shteti shqiptar merr. Opozita ka 7 vjet që e ka braktisur konsumatorin sepse është në pazare të pista me CEZ-in. Unë ju kujtoj 2 raste. Në Shqipëri, një deputet ngriti publikisht një akuzë zyrtare ndaj CEZ-it, duke dhënë dokumente të vjedhjes të CEZ-it ndaj konsumatorëve.

-Ishte Ilir Beqja dhe më vonë Ministri i METE-s Nasip Naço?

– Ilir Beqja, që disa muaj më vonë humbi edhe mandatin e deputetit. Tre ditë pas deklaratave të Beqes, drejtori i CEZ-it shkoi te PS-ja, u takua me kryetarin e PS-së, dhe PS-ja ditë më vonë nuk bëri më asnjë denoncim penal, për faktet që kishte për vjedhjet e konsumatorëve shqiptarë nga CEZ-i. Të mos harrojmë që një ministër në Çeki, që  nuk pranoi të bashkëpunonte me CEZ-in, u shkarkua, por edhe në Shqipëri, Ministri i METE-s, Nasip Naço, u hoq, pasi nuk u bë palë me CEZ-in. CEZ-i në funksionin e vet ka filozofinë e mafies, funksionon si mafie, Mekanizmat që ajo përdor janë mekanizma presioni, blerje dhe pikërisht krijon skema tipike mafioze. BB-ja është instruktori i këtyre prapaskenave dhe mban përgjegjësi të plotë.

– BB-ja, që mban anën e CEZ-it, ka të bëjë edhe garancia 60 milionë euro që është depozituar te ajo?

– Unë besoj, se kjo garanci bankare është vetëm një zë, pasi po të shikosh  që  gjithë borxhi sistemi financiar në Shqipëri është një borxh i madh, që varet nga institucionet e mëdha bankare. Në Shqipëri, të gjitha borxhet dhe mënyra sesi bëhet vlerësimi, bëhet nga BB-ja, e cila përdor filozofinë e borxhit për të mbajtur nën kontroll shtetin shqiptar dhe qeverinë shqiptare. Kjo është arsyeja që në Shqipëri ka një heshtje totale politike, kur vjen puna te e vërteta e BB-së.

– Ditët e fundit, drejtoresha e BB-së, Jane Armitage, deklaroi, çuditërisht, që CEZ-i ka dështuar në Shqipëri dhe studion mundësinë e largimit dhe fajin ia vuri qeverisë shqiptare. Përse e bëri këtë?

– Kjo drejtoreshë tha që BB-ja ka garancinë e 60 milionë eurove, e kjo çështje do të zgjidhet në gjykata ndërkombëtare. Në fakt, në rastin konkret, për të dhënë vlerësimin se kush është fajtor, kush nuk ka kryer investimet, kush nuk e ka kryer detyrimet dhe kujt do t’i kthehet garancia, do t’i gjykojë Gjykata e Arbitraritetit Ndërkombëtar. BB-ja bën një gabim, lidhur me garancinë CEZ-shteti shqiptar. Ju jap një detaj që BB-ja ka bërë presion ndaj qeverisë shqiptare. Një vit më parë u bë një mbledhje e paligjshme dhe u vendos që investimet e pakryera nga CEZ-i të shtyheshin edhe për dy vjet të tjera. Dhe kjo është në dëm të konsumatorëve shqiptarë. BB-ja ka bërë gjithmonë garantin e CEZ-it në Shqipëri e fsheh pisllëqet e CEZ-it. BB-ja bën presione të përvitshme qeverisë shqiptare që të rrisë çmimin e shitjes ndaj konsumatorëve dhe të ulë çmimin  e energjisë që CEZ-i blen nga KESH-i.

– Sa qëndron pretendimi i CEZ-it se i vidhet energjia elektrike dhe shqiptarët nuk paguajnë e shteti shqiptar nuk bën asgjë?

– Pretendimet  e CEZ-it që shqiptarët paguajnë, nuk qëndron. Vërtet ka njerëz që nuk paguajnë, por problemi qëndron se CEZ-i është i paaftë që të mirëmenaxhojë. Dhe pushtimet nga njerëzit e irrituar të stacioneve elektrike, janë fenomene të 2012-s, që janë pasojë e arbitraritetit të CEZ-it ndaj konsumatorëve shqiptarë. Në 2008, 2009, 2010, 2011 nuk kishim të tilla pushtime, por në 2012 gjendja ka dalë jashtë kontrollit për përgjegjësinë e plotë të CEZ-it, sepse CEZ-i bën lojën e vet, duke ndërprerë arbitrarisht energjinë elektrike dhe këto pushtime të stacioneve, që i regjizon vetë CEZ-i, i përligj kundër shqiptarëve se i vjedhin energjinë elektrike. CEZ-i thotë se kam humbje se e vjedhin, por e vërteta nuk është kështu. CEZ-i nuk bëri asnjë investim, Çështja e CEZ-i është të mbushë, që ditët e para që erdhi në Shqipëri, thasët me lekë dhe i transferoi në Çeki. CEZ-i e dinte që në fillim që nuk do të qëndronte shumë në Shqipëri, ndaj nuk i interesonte të investonte asgjë dhe inskenoi “prova” të vjedhjes të energjisë elektrike , për të justifikuar mosinvestimet e saj.

– Problemi kryesor i CEZ-it, a nuk është se shkatërroi strukturën e ndihmesës emergjence në shpërndarjen e energjisë elektrike?

– CEZ-i, në kuadrin e reformës të burimeve njerëzore, shkurtoi nga puna ekspertë, specialistë që mirëmbanin rrjetin në gjithë Shqipërinë, edhe në komunat më të largëta, për të dhënë imazhin e një reforme të suksesshme të tijin reduktoi stafin dhe këtë duke eliminuar pjesën e mirëmbajtjes në periferi e krijoi struktura qendrore, në disa pika të vendit me këto do të mbulonin gjithë skajet e largëta. Më parë çdo fshat kishte një njeri që kujdesej për mirëmbajtjen, e pas reformës së CEZ-it, shkalla e ndërhyrjes së emergjencës do shumë kohë.

– Qytetarët ankohen për vjedhjet që bën CEZ-i me matësit e energjisë elektrike. Përse askush nuk ndërhyn?

– CEZ-i dështoi në reformën e aparateve matës, pasi nuk solli asnjë matës. Ato që kemi, janë të paligjshëm, sepse nuk janë certifikuar, sepse ligji i energjisë përcakton drejtuesit e Matjeologjisë që të koalidojë matësit e energjisë elektrike, ndërkohë që, CEZ-i duhet të sillte matës me parapagim, matës dixhitalë, etj..

– Po kamatëvonesa, a nuk është një penalizim që CEZ-i u bën konsumatorëve?

Një element tjetër në kundërshtim në  me ligjin është blerja e borxhit e shitja  e borxhit nga CEZ-i, i cili në këtë rast luan rolin e institucioni financiar. Mbi çfarë ligji vepron kreditimi i borxhit të vet nga CEZ-i, që u vendos kamatëvonesa dhe terma financiarë bankarë? Dhe kjo bëhet nën hundën e METE-s dhe në miratimin e tyre.  CEZ-i ka bërë edhe një manipulim. Ka blerë me çmime të ulëta investimet e bëra nga qeveria shqiptare, i ka blerë me çmime të ulëta, si ndihma të buta, dhe i konsideron si investime me çmime të larta. CEZ-ia është gjobitur edhe për evazion fiskal. Ka vjedhur popullin shqiptar,

– Faleminderit!