Alizoti: E trishtueshme, Rama nuk ndaloi në burgun e Spaçit

568
Tomor Alizoti, ish-drejtor i Departamentit të ish-të Përndjekurve në Partinë Demokratike, u shpreh se kryeministri Rama duhet të vizitonte edhe burgun e Spaçit gjatë vizitës së tij në Mirditë. “Kryeministri paska qenë në minierën e Spaçit. Në rrugën, të cilën shumë nëna me zemër të thyer e lanë me lot, kryeministri me makina luksoze nuk denjoi të kthejë as kokën e jo më të ndalojë në kampin e shfarosjes, të ndërtuar nga partia i tij Nënë! E trishtueshme…”, shprehet Alizoti në rrjetet sociale, duke publikuar edhe pamjet e kalimit të eskortës së kryeministrit në Spaç. Tomor Alizoti drejtoi Departamentin e ish-të Përndjekurve Politikë në Partinë Demokratike, por ai dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Alizoti kritikoi edhe disa nga qëndrimet e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, i cili u rizgjodh në drejtim të Partisë Demokratike verën e shkuar. Dy ditë më parë, kryeministri Rama vizitoi fabrikën e pasurimit të bakrit në minierën e Spaçit në Mirditë, një investim i kompanisë “Tete Albania” prej 25 milionë dollarësh. Rama tha se fabrika është gati të nisë procesin e pasurimit të mineralit të bakrit, çka i rrit vlerën mineralit. Ngritja e kësaj fabrike, vlerësoi Kryeministri, rrit kapacitetet e industrisë minerare në vend, ku po kryhen investime të munguara prej më se dy dekadash. “Ne kemi një zhvillim të rëndësishëm në tërësi në këtë fushë, me investime që s’janë bërë në 20 vjet. Edhe ky investim 25 milionë euro është goxha i rëndësishëm”, u shpreh kryeministri Rama.
Sigal