Alizoti dorëhiqet nga PD

570
Tomor Alizoti, drejtues i Departamentit të ish të Përndjekurve në PD dhe njëkohësisht anëtar i Kryesisë ka dhënë dorëheqjen nga të dyja këto funksione.
Alizoti ishte një ndër emrat brenda Partisë Demokratike që kërkuan dorëheqjen e Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të 25 qershorit.
Në një postim në Facebook, ai njofton dorëheqjen e tij.
“Në përfundim të votimit të anëtarësisë së PD-së për kryetarin e saj, jap sot dorëheqjen time nga detyra e Drejtorit të Departamentit të ish të Përndjekurve dhe nga ajo e anëtarit të Kryesisë. Unë, pas humbjes dramatike të PD-së mbrojta qëndrimin se z Lulzim Basha ishte përgjegjësi kryesor për këtë humbje dhe duhej të dorëhiqej në mënyrë që partia të niste një proces reflektimi dhe ringritjeje”, shkruan ai.
Sipas Alizotit, dorëheqja e Bashës do të ishte një akt demokratik i nevojshëm dhe një pranim i vërtetë i përgjegjësive. 
“Vetëm kështu ne do të kishim mundësinë e ndërtimit të një fryme dhe force të vërtetë opozitare. Z Basha zgjodhi një qasje tjeter duke iu imponuar normave perëndimore dhe duke u rizgjedhur, kësisoj unë, si akt qytetar dhe fisnik po zgjedh të dorëhiqem”, vijon Alizoti. 
Ai thotë se mbetet një mbështetës i paepur i PD dhe i të djathtës dhe shpreson që ajo shumë shpejt të zerë vendin që meriton.
Sigal