Alibeaj uron Subashin për fitoren në Fier: Shpresojmë që qyteti të ndryshojë

122
Në mbyllje të procesit të numërimit të votave në Bashkinë e re të Fierit, kandidati i APPD-së Enkelejd Alibeaj, nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, i ka uruar fitoren fituesit të këtyre zgjedhjeve lokale, Armando Subashi. Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane fitoi kreun e Bashkisë së Fierit me 36. 317 vota, ndaj Alibeajt i cili mori 25.759 vota. E përkthyer në përqindje, Subashi mori 54.82 % të votave, ndërsa Alibeaj 38.88 %. Ndërsa kandidati i PSD, Albert Çaçi mori 4.173 vota, pra 6.3 %.
“Të dashur miq! Bashkëqytetarë fierakë! Për gjatë dy muajve pata kënaqësinë te isha më pranë secilit prej jush, në çdo fshat dhe lagje të Fierit. Kjo fushatë më dha mundësinë të bisedonim dhe të ndanim së bashku realitetin në të cilin jeton çdo qytetar i Fierit. Ofrova për ju vizionin tim për Fierin, integritetin dhe përkushtimin tim dhe gjeta tek ju dëshirën dhe shpresën për ta ndryshuar këtë realitet.
Falenderoj secilin prej jush, demokrat e socialist, me apo pa parti, për qetësinë, maturinë dhe qytetarinë e treguar gjatë fushatës dhe ditën e votimit. Njëkohësisht respektoj dhe çmoj vullnetin e çdo qytetari të shprehur nëpërmjet votës. I uroj suksese kryebashkiakut të ri të Fierit me shpresën që Fieri të ndryshojë, që e sotmja dhe e nesërmja e çdo qytetari fierak, e çdo familjeje fierake të jetë më e mirë”, shkruan Alibeaj.