Alibeaj: Tahiri pastroi të shkuarën e Balilit

471
Këto dy ditë, Saimir Tahiri është kthyer në shënjestrën kryesore të Partisë Demokratike. Pas Ristani që e akuzoi për pajisjen e përgjimit, Enkelejd Alibeaj doli nga foltorja mediatike e opozitës për ta akuzuar atë për lidhje me Klement Balilin. Kreu i Departamentit të Sigurisë në PD akuzoi drejtpërdrejtë Tahirin se i ka pastruar kartelën Balilit. 
“Jo vetëm që kishte mbështetjen politike, por shërbimet dhe favoret e Tahirit kanë arritur kulmin me pastrimin e të shkuarës së tij penale. Është zbuluar se janë hequr në kartelën e Balilit krimet dhe precedentët e mëparshëm të tij. I shpalluri në kërkim ndërkombëtar, i quajtur nga CNN si Eskobari i Ballkanit, rezulton sot me një të shkuar të pastër, edhe pse u kap 750 kg drogë në 2006”, tha Alibeaj. Sipas Alibeajt kjo është arsyeja pse DEA nuk kishte besim tek autoritetet shqiptare dhe i përjashtuan ato nga aksioni. “E dinin që Balili kishte lidhje të forta me qeverinë”, thotë Alibeaj.
Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Alibeaj
Klement Balili, i kërkuar për trafik ndërkombëtar droge nga gjysma e Europës dhe nga DEA amerikane, i emëruar drejtor i transportit rajonal të Sarandës nga Edi Rama, jo vetëm kishte mbështetjen e nevojshme politike e qeveritare për biznesin e tij kriminal, por shërbimet dhe favoret e Saimir Tahirit ndaj tij kanë arritur kulmin me pastrimin e të kaluarës së tij kriminale. Eshtë zbuluar se janë hequr në kartelen e Balilit krimet e precedentët e mëparshëm. I shpalluri në kërkim ndërkombëtar, i konsideruar nga CNN si eskobari i Ballkanit, rezulton me një të shkuar të pastër, edhe pse në vitin 2006 u kap me 750 kilogramë drogë, edhe pse Bashkia Sarandë e ka kallëzuar për ndërtim pa leje, edhe pse ka pasur probleme të tjera dhe konflikte për të cilat është denoncuar.
Saimir Tahiri ka futur duart në kartelën e Balilit duke ia fshirë të gjithë precedentët. Eshtë kjo arsyeja pse Policitë e vendeve fqinje dhe DEA amerikane nuk kishin besim tek autoritetet shqiptare dhe i përjashtuan nga aksioni ndërkombëtar, pasi e dinin se Balili kishte lidhje të forta me qeverinë.
Saimir Tahiri ka dalë kështu zbulur në lidhje të gjithanshme me krimin me trafikun e drogës. Duke ofruar jo vetëm imunitet, paprekshmëri, vënie në dispozicion të pikave kyçe të policisë e të kufirit, e duke ndihmuar në arratisjen e Balilit, por duke e nxjerrë eskobarin e Ballklanit edhe të pastër, pa asnjë krim të mëparshëm. Ky inkriminim i ministrit të brendshëm është një rekord i zi në shkallë botërore, dhe Tahiri është sot në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve i provuar me lidhje të thella e të çdo lloji me krimin e trafikun e drogës. Nuk mjafton më largimi i tij një orë e më parë nga detyra.
Ai duhet të hetohet e të shkojë para drejtësisë për të gjitha rastet e shërbimit që ka kryer ndaj bandave, ndaj Balilit, Habilajve, Shullazit.
Sigal