Alfred Moisiu: Perëndimi nuk e do Shqipërinë në BE

593
Sigal

Ish-Presidenti Alfred Moisiu, është ndër të paktët personalitete të Shqipërisë, që sot gëzon reputacion dhe respekt nga të gjithë shqiptarët. Jo vetëm kontributi i Tij mbi 50 vjet në shërbim të Atdheut, por, mbi të gjitha, Alfred Moisiu, me rolin që luajti si President i Shqipërisë,  nga 24 qershori 2002 deri 24 korrik 2007, duke u ngritur mbi palët politike dhe i dha figurës së Presidentit,  mishërimin e unitetit të  popullit. Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, shpreh së pari, keqardhjen e tij ndaj vendimit të BE-së, për të mos dhënë statusin Shqipërisë, duke thënë, qartë e prerë: “Vë në dyshim, standardin e gjykimit të disa vendeve europiane ndaj vendit tonë“. Madje, zoti Moisiu, këtë e shpjegon me atë frymë antishqiptare që kanë disa ekstremistë antishqiptarë, në disa vende të BE-së. Zoti Moisiu, shprehet, se Shqipëria nuk është vetëm gjeografikisht në Europë, por, populli shqiptar, është europian edhe me kulturën e sjelljen e tij. Populli shqiptar, pohon zoti Moisiu, me tolerancën e tij fetare, është shembull edhe për vetë Europën.

– Zoti Moisiu, ç’do të thotë për Ju, mosmarrja edhe për herë të tretë i statusit kandidat i Shqipërisë për në BE?

– Ky refuzim i tretë i statusit nga ana e BE-së më ka befasuar, për faktin, jo vetëm  që është hera e tretë, dhe se ne ishim përgatitur shpirtërisht, falë edhe ndikimit shpresëdhënës, qoftë i Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, apo edhe të Komisionit Europian ( Komisioneri Fyle). Fillimisht na kishin thënë për 12 kushtet, të cilat u plotësuan. Pastaj, sivjet, para zgjedhjeve na vunë edhe 3 të tjera, të cilat, gjithashtu, u realizuan. Zgjedhjet sivjet u realizuan dhe u vlerësuan nga organizmat ndërkombëtare, si të mira, po ashtu kalimi i pushtetit u realizua sipas kërkesave europiane. Pra, nuk e kuptova, cila ishte arsyeja që Shqipërisë ju refuzua statusi edhe këtë radhë. Vendet që refuzuan nuk dhanë asnjë arsye bindëse për këtë refuzim, pa folur, sikurse u përmend më lart, se organet të cilat kanë detyrën dhe përgjegjësinë për të përgatitur vendimmarrjen, ishin plotësisht në favor të dhënies të statusit. Kështu, që unë në radhë të parë si qytetar, nuk e ndjeva veten mirë. Mund t’ju them, që e ndjeva veten, jo vetëm të nënvlerësuar, por edhe padrejtësisht të nëpërkëmbur, sipas meje më shumë nga disa kapriçio sesa nga argumente bindëse.

– Përse?

– Sepse nuk kuptoj sa metra ka Bashkimi Europian për të provuar, apo pranuar anëtarë të rinj, domethënë, sa lloj procedurash ka? Vendi kandidat ende nuk është ndonjë gjë e madhe, pas kësaj mbetet një rrugë shumë e gjatë provash dhe kërkesash të reja, për të arritur finishin. Me thënë të drejtën, nuk jam në gjendje të perceptoj sesi, Serbisë iu hap rruga, dhe Shqipërisë jo. Në një kohë, që ajo është një vend, që për 10 vjet vrau, dogji dhe shkatërroi në Ballkan, ndërsa Shqipëria, që konsiderohet një nga vendet e shquara, përsa i përket stabilitetit dhe frymës paqësore në Rajon, në këtë rast u dënua. Statusi na u shty edhe 6 muaj të tjera. Por, më e keqja, është se, prapë, nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë dhe atëherë, veçanërisht pas zgjedhjeve europiane?!

– Mendoni, zoti President, që në qendrat e vendimmarrjes të BE-së, ka ndonjë lob, le  të themi, antishqiptar?

– Nuk mund të them që ka të tillë  në drejtuesit kryesorë, por që në disa nga këto vende ka elementë antishqiptarë dhe ekstremistë, kjo është e dukshme, për mendimin tim.

– Nga ana tjetër, politikëbërja jonë, a i ka arritur ato standarde demokratike, që ne ta meritojmë statusin, si kandidate për në BE?

– Ato detyrat që na ishin caktuar, 12 kushtet, ne i realizuam. Vetë e pranuan këtë realitet edhe të dërguarit e BE-së, që janë këtu te ne, si përfaqësuesit e tyre. Sigurisht, unë e kuptoj, që për t’u bërë anëtar i BE-së, ka shumë kërkesa, prandaj është edhe ky stad, kandidat i BE-së dhe pastaj, fillojnë negociatat për anëtarësim. Këto marrin goxha zgjatje në kohë. Të mos harrojmë, që Maqedonia e ka marrë, në mos gaboj, statusin  e kandidatit në 2005-n dhe akoma deri sot, aty është. Pra, kjo është një periudhë prove dhe unë e quaj normale, sepse ne ushtarakët themi: “Ushtari e mëson hapin në rresht”. Dhe po nuk hyri në rresht, e ka të vështirë ta mësojë hapin shpejt dhe ashtu si duhet. Kështu që ky objektiv kërkon kohën e vet, por këtu ka edhe diçka tjetër. Mos harrojmë që vendimmarrja në radhë të parë është politike. Mendoj, se kjo vendimmarrje, ashtu si ishte për Bullgarinë dhe Rumaninë, të paktën kështu po thuhet tani, megjithëse nuk ishin gati (atëherë) për t’u anëtarësuar në BE, u anëtarësuan, sepse ishin në Europë dhe, duke qenë në kolektiv, dhe ata po mësohen me zbatimin e ligjit dhe të rregullave demokratike të BE-së. Por, kjo frymë ekstremiste e disa vendeve ndaj Shqipërisë, ose në disa pjesë, ose sektorë të drejtuesve të vendeve perëndimore, mua nuk më duket e arsyeshme. Jo vetëm nuk më duket e arsyeshme, por më duket që i lodh e mërzit popullin (shqiptar), ndaj unë mendoj që duhet parë ( nga udhëheqësit e BE-së) më seriozisht. Më seriozisht, sepse ne i dimë mekanizmat, çfarë, ndodh, përse ndodh. Por, ne shqiptarët, pavarësisht, se nga ana ekonomike, ende jemi më pak të zhvilluar, dhe në masivitet kemi mangësi në zhvillimin kulturor, kemi edhe një gjë pozitive. Ardhja jonë në Bashkimin Europian është një prurje vërtet pozitive, sikurse është toleranca fetare. Asnjë vend tjetër europian nuk e ka këtë tolerancë që kemi ne. Përkundrazi, vende anëtare të BE-së, disa vjet më përpara kishin përplasje të dhunshme midis katolikëve dhe protestantëve, vrisnin njeri- tjetrin. Te ne nuk ndodhnin këto gjëra. Për ne, kjo është një gjë tepër pozitive që i ofrojmë Europës. Çdo popull ka diçka të veçantë që e sjell si “prikë” në Bashkimin Europian.

– Meqë Shqipëria është deklaruar që mbi 60 % e popullsisë së saj është myslimane, mos vallë Europa (e krishterë) heziton që të na pranojë në Familjen e saj të BE-së, pikërisht, për këtë ndasi fetare?

–  Unë nuk e di që ta kenë europianët këtë mendim. Publikisht nuk është thënë. Është një hipotezë më shumë. Mund të ketë edhe baza, por unë u them europianëve, apo atyre që e kanë këtë hezitim apo hipotezë, që janë shumë të gabuar. Sepse, tolerancën  fetare që kemi treguar ne shqiptarët, ne dallohemi (për të mirë) nga të gjithë. Më thoni, në cilin vend apo popull tjetër është parë kjo tolerancë fetare? Në këtë aspekt, ne vërtet kemi një qasje tjetër, shumë përparimtare dhe bashkëkohore. Besimin fetar secili e ka për veten e tij, por në kolektiv, në masën e njerëzve, që të gjithë përgëzojmë, njeri-tjetrin, në raste festash fetare. Dhe këtë nuk e kemi sot. Kjo sjellje e tolerancës fetare ka qenë e hershme. Mua më kujtohet në fëmijërinë time, në Kavajë, kur binte topi i ramazanit, ne shkonim pranë shokëve tanë myslimanë e hanim pitet me mjaltë e pekmez, që bëheshin në ato kohëra. Ndërsa, kur ishin Pashkët, shokët vinin te ne për  vezët e kuqe dhe bashkërisht provonim “fortësinë”, sikurse është zakoni ortodoks. Kjo është një gjë e thellë, nuk është një gjë e lindur tani. Është e trashëguar dhe kjo ka shpjegimin e saj historik. Njëherë në Oksford,  duke folur për problemin e tolerancës fetare të popullit tonë, kam thënë, që, po të gërvishten shqiptarët nën lëkurë, menjëherë dalin të krishterë, sepse Shqipëria dikur ka qenë vërtet e krishterë. Më vonë, në saj të zhvillimeve, ndodhi ajo që dihet e që është sot realitet. Dua të them këtë. Pavarësisht se janë ato shifra, 60 % e myslimanëve këtu te ne, por besimtarë të thekur ka shumë pak. Qoftë myslimanë, qoftë ortodoksë, kështu që nga europianët, kjo nuk mund të merret për bazën e tyre të vendimmarrjes së pranimit të Shqipërisë në BE. Nuk është e arsyeshme, kjo është një hipotezë, e një frike e  sajuar te disa europianë. Unë mund të them këtë: Familje të përziera, myslimanë me të krishterë, këtu në Shqipëri ke me shumicë. Unë marr familjen time. Ime motër ka qenë e martuar me mysliman, vajza ime e martuar me mysliman, mbesa ime gjithashtu e martuar  me një mysliman. Nipërit e mbesat, që dalin nga këto çifte, t’i pyesësh çfarë janë, të thonë: Nuk e dimë! Dhe nuk duhet t’i pyesësh, sepse ata janë shqiptarë. Këtë realitet e gjen në mjaft familje shqiptare, sidomos në qytete. Ne besimin e kemi shpirtëror, diçka të veçantë e nuk e përziejmë në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin.

Pavarësisht, se BE-ja nuk vuri kushte të tjera dhe domethënia që i tha BE-ja Shqipërisë: “Vazhdoni reformat”, mos vallë  do të thotë që ata janë “ngopur” nga hartimi i ligjeve të bukura, por të zhgënjyer nga zbatimi praktik i këtyre ligjeve?

– Unë jam dakord me këtë konstatimin tuaj, në dukje. Ligjet i kemi dhe i kemi patur me kohë dhe ligje shumë të mira, sepse i kemi bërë me konsultën dhe me mbështetjen e ekspertëve perëndimorë. Dhe, mund të pohoj që këto ligje shpesh i kemi të një cilësie më të mirë, se sa i kanë edhe ata, sepse është marrë përvoja më pozitive europiane. Përsa i përket zbatimit të ligjeve, këtu çalojmë, kjo është e vërtetë. Dhe gjykoj, që kjo maxhorancë e re, po vë theksin e punës së saj në këtë drejtim. Që ligjet të mos bëhen për t’ja treguar Europës, por të bëhen për t’i zbatuar, sepse është në interesin tonë, në interes të popullit shqiptar. Dhe unë gjykoj, të paktën nga ato që kam parë deri tani, që kjo maxhorancë e re po bën të pamundurën, që vërtet të zbatohen ligjet. Po të shikojmë, ka shumë kallëzime në prokurori, përsa i përket mosrealizimit të taksave, megjithëse ekziston ligji, por nuk është zbatuar. Ose, për problemet e tenderave të ndryshëm, të pabarazisë në tendera, e shumë fenomene të tjera, të cilat, me sa duket, shikohen me këmbëngulje,. Tani i mbetet  radha drejtësisë, që këto që qeveria e re i dërgon për shqyrtim, ajo të bëjë punën e saj. Sepse, drejtësia ka punën kryesore. Ju mund t’i dërgoni, por drejtësia mund të gjejë një klauzolë e të thotë, që kjo nuk qëndron, pavarësisht se shkelja qëndron. Dhe kjo, është diskredituese për ne. Megjithëse, drejtësia është një problem më vete, për të cilin ja vlen të flitet veçantë.

“Më ka befasuar, për të keq, refuzimi i BE-së për mosdhënien e statusit”

 – Të jemi realistë me vetveten: A mund të pranojë  BE-ja, Shqipërinë kandidate për anëtare të saj, me këtë shkallë të lartë të korrupsionit e të krimit të organizuar?

Po të flasësh për korrupsion, natyrisht, nuk mund të themi që s’ka, jo vetëm kaq, por  është problem i madh, dhe këtë ne e dimë. E di Europa, por e dimë edhe vetë ne. Sigurisht, lufta kundër korrupsionit kërkon vazhdimësi dhe kjo maxhorancë e re, me sa e kemi vënë re, të paktën deri tani, është e angazhuar seriozisht, në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa po të flasim për krimin, sigurisht, që ka, nuk është se lindi tani ky krim, por lufta po bëhet. Krim ka gjithë Europa, nuk është se kemi vetëm neve. Madje, Europa e ka krimin të organizuar, ndërsa ne e kemi jo të organizuar në atë shkallë, sikurse është, p.sh. mafia në Itali, apo vendet të tjera. Pra, personalisht, e them edhe një herë, jam i pakënaqur dhe e vë në dyshim, standardin e gjykimit të disa vendeve europiane ndaj vendit tonë. Mund të mos jenë qeveritë, mund të ketë grupe të ndryshme, ose ekstremistë të ndryshëm, që nuk duan, për një arsye, ose për një tjetër, të na japin edhe neve dritën jeshile të integrimit në Europë. Të na thonë, cili është rasti? Pse?  Sepse, u  tha nuk pranohet kandidat, por u lavdërua qeveria ( e re), për punën që ka bërë, por nuk u tha gjë tjetër, fare! Cilat ishin arsyet e “Jo”-së? U thanë gjëra të përgjithshme. Krimi dhe korrupsioni! Por, më thoni, ju lutem, ku nuk ka krim dhe korrupsion? Problemi është nëse qeveria e njeh dhe e lufton, gjë që sikurse e thashë, deri tani perspektiva (me qeverinë e re) nuk duket e keqe.

 Shqipëria është vend europian, jo vetëm nga ana gjeografike

– Për ne, shqiptarët, a ka vend për t’u dekurajuar?

– Jo, jo, kurrsesi, ne nuk duhet të dekurajohemi nga kjo. Ne duhet të vazhdojmë punën, pavarësisht nga vendimi jo i përshtatshëm, i pakuptueshëm, dhe i paargumentuar për mua që u mor. Ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara, për arritjen e qëllimit tonë. Shqipëria është një vend europian, kjo nuk diskutohet, jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe nga natyra dhe jetesa e popullit shqiptar dhe kultura jonë europiane, gjatë gjithë kohërave. Edhe në kohën kur ne ishim të pushtuar nga Perandoria Osmane, po të shikosh gjithë familjet e mëdha shqiptare, të asaj kohe, krahas turqishtes, që ishin të detyruar ta mësonin, dinin edhe frëngjishten, anglishten, italishten, ose gjermanishten dhe frekuentonin shkollat në këto vende. Dhe po ju them që në Kavajë, p.sh, të gjitha familjet e njohura, djemtë e tyre i kishin dërguar për studime në Austri, Gjermani dhe Angli. Pra, kishin marrë kulturë perëndimore. Dua të them, që kjo frymë properëndimore, ka qënë,  është në vendin tonë dhe, natyrisht, do të vazhdojë të zhvillohet. Jemi vendi i vetëm në Ballkan që kemi përdorur alfabetin latin, që në fillimet e shekullit XX-të.

 Duhet të çojmë para drejtësisë kryesorët, kushdo qofshin ata, sado lart në piramidën politike e qeveritare

Perceptimi i shumë shqiptarëve është se tani Europa e kushtëzon dhënien e statusit Shqipërisë me arrestimin e (ish)ministrave të korruptuar, duke patur parasysh edhe mesazhin që dha para pak kohe  raportuesi për Shqipërinë, Vuljaniç. Sa e  vërtetë është ky perceptim?

– Unë nuk merrem me perceptimin e të huajve, por merrem me perceptimin tim personal. Unë e kam thënë me kohë, se neve duhet patjetër, të çojmë para drejtësisë, kryet e këtyre gjërave dhe jo bishtat. Mirë, mund të çosh ( te drejtësia) policin, mjekun, por puna është që kjo frymë ( e korrupsionit) vjen nga lart. Populli thotë: Peshku qelbet nga koka. Dhe nëse lart shtrëngohet kërkesa, ata poshtë nuk lëvizin dot. Mund të ketë gjëra të shkëputura. Pra, jam dakort me këtë interpretim që bëhet nga BE-ja, që në vërtet duhet të çojmë para drejtësisë kryesorët, kushdo qofshin ata, sado lart në piramidën politike e qeveritare qofshin këta. Nuk është puna që të fusim njerëzit në burg, nuk jam për atë. Unë jam për të çuar atë që ka faj dhe jo për të çuar në burg njerëz për fushatë. Kjo duhet bërë me çdo kusht, me çdo çmim politik. Drejtësia, pastaj, le të vendosë, nëse është për burg, apo i pafajshëm. Është shumë e rëndësishme, që njerëzit, për gabimet dhe për fajet e tyre të përgjigjen para ligjit.

Duke parë, që çdo reformë ligjore, edhe pse është ndërmarrë çdo herë, nuk ka sjellë asnjë rezultat ndaj korrupsionit, pyetja është: Si mund ta shkulim korrupsionin?

– Korrupsioni luftohet në radhë të parë, duke vendosur në administratë njerëzit që janë të vendosur të bëjnë luftën kundër korrupsionit, por edhe për zbatimin e ligjeve. Njerëz të aftë e të përgatitur dhe njerëz që e njohin dhe e duan shtetin. Sepse, po të marrësh një militant e ta dërgosh, në një vend të caktuar, ai duke mos njohur rregullat, ligjet e shtetit, duke mos patur nocionin e duhur të qëndrimit e respektimit të shtetit, ai sigurisht, edhe pa dashur, mund të bjerë në gabime të tilla, që cenojnë ligjet dhe korruptohet. Pra, korrupsioni, nëse duam, shkulet vetëm në këtë mënyrë. Në radhë të parë, njerëzit duhet të mësojnë që me ligjet nuk luhet. Që Kushtetuta dhe ligjet janë të shenjta. E dyta, është e domosdoshme që ne drejtësinë, ta vëmë në binarët e duhur. Që ajo, vërtet të bëjë drejtësi, jo të kërkojë për t’i shmangur njerëzit nga përgjegjësia ligjore, sipas marrëdhënieve që krijohen, qoftë fetare, politike, të njohjes apo ekonomike, por të respektohet ligji, njësoj për të gjithë. Dhe kjo krijon një frymë të përgjithshme antikorrupsion, të domosdoshmërisë së respektimit të ligjit, krijon një ambient mbytës për ata që duan të shkelin ligjin, apo për ata që duan të vazhdojnë korrupsionin.

(vijon nesër)