Alfred Moisiu/ Ligjet i kemi të mira, por çalon zbatimi i tyre

488
Sigal

Në trupën gjyqësore në asnjë mënyrë nuk duhet të përfshihen njerëz që vinë nga politika ose nga favorizimet e saj

*President i Republikës së Shqipërisë 2002-2007

 Problemi i drejtësisë te ne, tashmë është bërë i njohur dhe i pranuar nga të gjithë si gangrena kryesore e Shqipërisë. Gjatë këtyre 24 viteve të demokracisë tonë të re, që unë do ta quaja ende infantile, drejtësia ka patur ulje ngritjet e saja, por asnjë herë nuk e ka lëshuar kryesimin e vlerësimit si prijëse e sondazheve për kampionin e korrupsionit. Perceptimi i shqiptarëve për gjendjen e saj gjithmonë ka qenë negativ. Edhe sondazhi i paraqitura më poshtë tregojnë po të njëjtën gjë. Po të shohim rezultatet e këtij sondazhi, por edhe të tjera si ai i shpallur këto ditë nga “Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike”, megjithë angazhimet dhe përbetimet e politikanëve se po luftojnë për ta kthyer drejtësinë tonë në binarët e duhur, për çudi ajo vitet e fundit ka bërë më poshtë. Duket paradoksale, por realiteti ky është. Për të arritur që të kemi një drejtësi të standardeve europiane, ku dhe duam të aderojmë, për të cilën të gjithë përbetohen, por deri tani vetëm zhurmë dhe asgjë konkrete, është më se e nevojshme që politika shqiptare në radhë të parë duhet të arrijë në një emërues të përbashkët real se drejtësia urgjentisht duhet rregulluar. Kjo kërkon vullnet politik, por në radhë të parë sinqeritet ndaj shqiptarëve. Nuk kemi më nevojë për zhurmë dhe shou, por për angazhim serioz dhe të vërtetë. Të gjithë flasin për nevojën e një reforme të thellë në drejtësi. Shume tryeza janë bërë dhe po bëhen, shumë angazhime duken nga të gjithë, por deri tani asgjë konkrete. Arsyeja e kësaj gjëndje – ende mungon vullneti i vërtetë politik. Opozita duhet pa tjetër të jetë pjesë e reformës në drejtësi, por këtë nuk ka pse e lidh me problemet e tjera që mund të ketë me maxhorancën. Kjo është një detyrë imediate për gjithë politikën shqiptare. Sigurisht që për të bërë një reformë të vërtetë dhe të plotë duhet ekspertizë, e cila asnjëherë nuk ka munguar. Ligjet dhe rregullat edhe tani nuk është se i kemi të këqija, por kur vimë tek zbatimi, aty fillon dhe çalon puna e jonë. Mekanizmat e duhur për të pastruar ambientin gjyqësor nga mungesat e vërejtura i kemi, por ato nuk po funksionojnë si duhet.

– KLD, që me të drejtë konsiderohet si qeveria e gjyqësorit, luan rol shumë të rëndësishëm në të gjitha qasjet ndaj tij. Gjykoj se ka shumë rëndësi sesi zgjidhet përbërja e KLD-së.  Varet shumë nga se nisemi kur zgjidhen anëtarët e saj. Nëse kjo bëhet duke u nisur nga pikësynimi për të përmirësuar gjyqësorin apo për ta sunduar atë. Pikërisht ky mendoj se është guri themeltar në krijimin e një atmosfere serioze në drejtim të përsosjes së gjyqësorit, që mund të na çojë në ndryshimin e fytyrës dhe funksionimit të kësaj strukture. Nuk mund të kuptohet dhe të pranohet që KLD të mbrojë apo të favorizojë gjyqtarë që akuzohen për lirim trafikantësh ndërkombëtarë ose të njerëzve që janë akuzuar për krime të ndryshme. Nga përvoja ime mund t’u them se fillimisht anëtarët e KLD-së, shpesh kishin tendencë t’i siguronin vetes një mundësi më të mirë promovimi, nëpërmjet krijimit dhe shfrytëzimit të lobeve mbështetëse reciproke, për të arritur nominime në strukturat e mëtejshme të gjyqësorit. Pra që të kemi një KLD të saktë, e cila të jetë në gjendje t’i përgjigjet detyrave reale të saj, është e nevojshme që zgjedhja e anëtarëve të kësaj strukture të bëhet jo mbi baza klientelizmi politik apo favorizues. Dihet se nëse për të emëruar një gjyqtar do të futej në veprim ryshfeti, me këtë veprim atij i ligjërohet vazhdimi i kryerjes së detyrës po nëpërmjet ryshfetit, si për të larë atë që ka paguar ashtu edhe për t’u pasuruar sipas shembullit të eprorëve të tij. Ky është një shkaktar i rëndësishëm i gjendjes reale në gjyqësor. Është tepër e rëndësishme që politika të vendosë përfundimisht të heqë dorë nga tentativa për të sunduar gjyqësorin. Pa këtë çdo përpjekje është e vështirë që të ketë sukses. Rrjedhimisht kjo kërkon domosdoshmërisht një vullnet të sinqertë dhe të  përbashkët të forcave politike. Në trupën gjyqësore në asnjë mënyrë nuk duhet të përfshihen njerëz që vinë nga politika ose nga favorizimet e saj. Kjo mënyrë zgjedhje që në fillim nënkupton që ata do t’i shërbejnë atyre që i zgjodhën. Atëherë si mund të eliminohet ky rrezik, e vetmja mënyrë do të ishte zgjedhja strikte në bazë të plotësimit të kritereve morale dhe profesionale. E theksoj në radhë të parë morale, pasi profesionistë në kushtet e sotme mund të gjesh, por është pak më e vështirë të përzgjidhen me cilësitë e duhura morale.  Më kujtohet tregimi i gjyqtarit Pol Magnuson, i cili ishte jurist në një shtet në SHBA, sesi u zgjodh për të bërë pjesë në trupin e gjyqtarëve. Një ditë e merr e ëma në telefon shumë e shqetësuar, duke i thënë çfarë ke bërë or bir? Pyetjes së tij pse, ajo i përgjigjet duke i thënë:” se në qytetin tonë ka tre ditë që kanë ardhur rreth 50 agjentë të FBI dhe po gërmojnë për ty nga të gjitha anët”. Magnuson tregon edhe unë u habita, por më vonë e mësova se e gjithë kjo kishte qëllimin e emërimit tim si gjyqtar. Pra për t’i përfshirë juristët në trupin gjyqësor duhet të kemi kërkesa strikte të përshkruara në ligj. Duhet të studiohen jo vetëm cilësitë individuale dhe aftësitë profesionale, kritere këto që duhet të jenë të parashikuara në ligj, por edhe prejardhja e tyre, rrethi që i shoqëron dhe sjellja në shoqëri. Sigurisht problemi më serioz dhe që duhet shtruar për zgjidhje është seleksionimi i gjyqtarëve ekzistues. Nuk mund të themi dhe nuk është e vërtetë që të gjithë gjyqtarët janë të korruptuar, por që ka të tillë dhe jo të paktë kjo dihet dhe pranohet nga të gjithë. Mendoj se një rrugë mund të ishte zgjedhja e një komisioni të përbërë prej njerëzish të njohur për ndershmëri dhe objektivitet, të cilët mund të merreshin me këtë detyrë. Në një ligj që gjykoj se duhet hartuar për këtë qëllim, është e nevojshme që të përcaktohen kriteret që duhet të plotësojnë gjyqtarët që duhet të qëndrojnë më tej në gjyqësor. Një nga kriteret kryesore, që mendoj se është nga më të rëndësishmet do të ishte seleksionimi pasuror. D.m.th çdo gjyqtar duhet të mbrojë pasurinë e tij. Por të dhënat e burimit të pasurisë duhen verifikuar me të gjitha mundësitë që ka shteti, përfshi këtu edhe shërbimet sekrete. Këto ishin disa mendime që mendova t’i parashtroj si Forum Civil si shqetësime serioze të shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Mendoj se ka ardhur koha të jemi të gjithë të angazhuar seriozisht për të krijuar klimën e duhur në luftën për të nxjerrë gjyqësorin nga gjendja në të cilën ndodhet. Këtu duhet të përfshihen në radhë të parë vetë gjyqtarët, për t’u vetëshplarë nga gjendja e krijuar.