Aletatëve të Majtë u soset durimi

525
Sigal

Rama për të amortizuar reagimet e ashpra të aleatëve, u ka premtuar… takim së shpejti

Tashmë, edhe pas emërimeve të rangjeve të dyta e të treta qeveritare, madje edhe të drejtorive rajonale dhe nëpër rrethe e qarqe, ku kryeministri Rama nuk ka emëruar asnjë nga përfaqësuesit e aleatëve të vet, me përjashtim të kryetarit të G 99, Ervin Meta, që emërohet zëvendësministër, si edhe 2 zv/ministra të PBDNJ-it, nuk ka më asnjë iluzion që Kryetari i ASHE-së do të përjashtojë përfundimisht nga bashkëqeverisja aleatët.

Aleatët: Nuk është çështje posti, por shpërfillje e 100.000 votuesve

Sipas burimeve të mirëinformuara të “Telegraf”, para tre ditësh, një tetëshe përfaqësuese e aleatëve tëASHE-së, kuptohet pa koordinatorin e emëruar nga Rama, Gjet Ndoja, u mblodhën dhe diskutuan midis tyre se, cila do të jetë forma dhe reagimi i tyre ndaj shpërfilljes që u bën haptazi Rama, tashmë si Kryeministër. Të njëjtat burime, thonë se tejet i zemëruar dhe i zhgënjyer ishte Gjinushi, i cili haptazi e shprehte revoltën e tij ndaj shpërfilljes që iu bën atij dhe aleatëve Edi Rama. Por, edhe Petro Koçi, thonë këto burime, ndonëse nuk e shprehte me pasion zemërimin e tij, ishte për një reagim të menjëhershëm dhe publik të aleatëve ndaj kryeministrit Rama. Të njëjtat burime shprehen se, Kryetari iPUK-ut, Idajet Beqiri, u shpreh se aleatët duhet të tregohen më të duruar dhe duhet të presin akoma. Sipas Beqirit, aleatët duhet të tregojnë që me qëndrimin e tyre të duruar dhe me maturinë e tyre, t’i japin kohë 100 ditësh qeverisë së re. Nëse Qeveria e re nuk përmbush detyrimet e zotimet deri në 100 ditshin e parë të saj, atëherë aleatët do të kenë edhe të drejtën morale që t’i kërkojnë Ramës që ka emëruar ata që nuk dinë të qeverisin, duke përjashtuar njerëzit me përvojë dhe eksperiencë të gjatë. Me të tillë maturim, aleatët  duhet t’u tregojnë gjithë shqiptarëve, se ata nuk e kanë qëllim në vetvete vetëm marrjen e ndonjë posti qeveritar. Këtij mendimi, për një maturi në reagim e qëndrim të aleatëve, iu bashkua edhe kryetari i PDS-së, Milo. Madje aleatët u shprehën se pjesëmarrja në bashkëqeverisje edhe i aleatëve, nuk duhet identifikuar si marrje posti e privilegj për ndokënd, por si një vlerësim për kontributin e dhënë nga elektorati i 100.000 votave, por edhe për vlerësimin e 40 partive aleate.

Realisht në opozitë është … PS-ja me PD-në

Çështja midis aleatëve u diskutua, se si ka mundësi që kryeministri Rama të ndajë pushtetin  40 % meLSI-në, kurLSI-ja mori 180.000 vota, ndërsa aleatët me 100.000 vota, të shpërfillen tërësisht? Madje, aleatët, edhe pse 100.000 votat e tyre nuk u konvertuan në mandate në Kuvend, për shkak të mekanizmave të marrjes së mandateve që përcakton Kodi Zgjedhor kontribuan drejtpërdrejt për PS-në, që ajo të merrte mandatet e saj. Sikur aleatët të ishin në një grupim më vete dhe jo me ASHE-në, PS-ja, natyrisht, nuk do të kishte shumën e mandateve që ka sot, por edhe aleatët do të kishim mbi 8-9 mandate në Kuvend. Por, përpos këtyre hamendjeve, realisht, me ndarjen që kryeministri Rama i bëri qeverisjes së tij, del seLSI-ja me 18 mandate ka mbi 45 % të Pushtetit Qendror. Realisht, LSI-ja është në pozitë, ndërsa PS-ja dhe PD-ja janë në… opozitë kundrejt LSI-së. Dhe diçka tjetër. LSI-ja me 180.000 votat e saj, më shumë i mori ngaqë ishte në aleancë me PS-në, sepse nëse nuk do të ishte, nuk do të kishte kaq vota, por edhe nuk do të merrte edhe kaq mandate. Sipas burimeve të mirinformuara, aleatët pardje sërish shprehën pakënaqësinë e tyre për votat që u vodhi haptazi PS-ja dhe LSI-ja, në numërimin e votave nëpër qarqe, por deri tani kanë heshtur, sepse nuk donin të hidhnin baltë mbi fitoren e përbashkët, nga e cila LSI-PS morën thelat e lëngun, ndërsa aleatëve u lanë vetëm pjatat e boshatisura.

Rama do takojë së afërmi aleatët, për t’i… ngushëlluar

Sikurse na informojnë burimet e mirinformuara pranë Kryeministrisë, Rama i ka njoftuar aleatët se këto ditë do të takohet me ata, të paktën me tetëshen e aleatëve, për të amortizuar pakënaqësitë, grindjet dhe ndonjë revoltë publike të aleatëve të tij. Natyrisht, Rama do të përpiqet që t’u shpjegojë aleatëve të pashpjegueshmet, përse i la ata pa bashkëqeverisje, ndërsa aleatët do t’i kërkojnë Ramës përse nuk u zbatua nga ai marrëveshja dypalëshe. Aleatët ende nuk i kanë humbur fare shpresat, për një pjesëmarrje në bashkëqeverisje, qoftë edhe simbolikisht tani, me ndonjë post rajonal, apo edhe nga ato poste që do të krijohen nga ndonjë rikompozim i ri i kabinetit qeverisës, që mund të ndodhë pas disa muajve.