Aleatët: PS na la në baltë. E ka të garantuar humbjen!

92

 Reforma Zgjedhore/Arrihet konsensusi midis dy partive të mëdha. PS: “Tani kemi garanci”; PD: “Sukses!”

Ajo që ndodhi dje me marrëveshjen midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore është në kufijtë e pabesueshmes. Sepse është më tepër se e bukur. Aq sa duket iluzion. Pas mosmarrëveshjeve të pafundme midis tyre dhe pas shumë shtyrjesh, më në fund dje, më 11 korrik u arrit konsensusi dhe të dyja palët brohoritën të kënaqura që gjetën gjuhën e përbashkët për çështjet kyç të reformës. Por entuziazmi i tyre duket krejt fals. Gjithçka është arritur me një sforcim të jashtëzakonshëm dhe sa për të kaluar lumen për momentin. Duket se presioni i fortë i ndërkombëtarëve e ka bërë punën e vet. Por nisur nga precedentët, nisur nga marrëveshjet e dështuara midis këtyre dy palëve, nuk ke sit ë ndihesh optimist. Janë tri pika që ndryshuan në Kodin zgjedhor, por në të vërtetë ndryshimet janë thjesht arnime që i bëhen kodit të vjetër. Më troç nga të gjithë e tha mbrëmë Nard Ndoka kur tha se me këtë reformë PS e siguroi të qëndrojë në opozitë edhe vitin e ardhshëm. Sepse PS humbi aleatët e vet të majtë, të cilët kanë një numër të konsiderueshëm prej më shumë se 80 mijë votash dhe që mund të përmbysin raportet zgjedhore. Nëqoftëse kreu i demokristianëve dje shpalli ndarjen me PS-në, të njëjtën gjë janë gati ta bëjnë dhe aleatët e tjerë të opozitës. Po të shikohet me vëmendje marrëveshja e djeshme, dukej sikur i vetmi qëllim i Partisë Socialiste ishte largimi i Arben Ristanit nga kreu i KQZ-së. Sikur është ai shkaktari i vetëm i të gjitha humbjeve të PS-së. Në të vërtetë, Ristani është një instrument i komanduar, zbaton vetëm urdhrat që merr nga lart. Marrëveshja e djeshme në të vërtetë pjell Ristanë të pafundmë. Prandaj dhe kanë të drejtë ata që janë skeptikë me marrëveshjen e djeshme.

Marrëveshja

Në limitet e skadimit të afatit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën elektorale, mazhoranca dhe opozita kanë arritur konsensusin për një ndër reformat më të rëndësishme për vendin. Përfaqësuesit e dy partive më të mëdha politike kanë firmosur draftin përfundimtar të Reformës Zgjedhore që do ti kalohet për votim Kuvendit javën tjetër. Mbledhja zgjati rreth 2 orë e 30 minuta dhe në përfundim të saj bashkëkryetari i PS, Damian Gjiknuri dhe eksperti i demokratëve Oert Bylykbashi përveç vlerësimeve për draftin u ndalën dhe te kërkesa e partive te vogla. Sipas tyre në një kohë të mëvonshme mund të ketë mundësi për korrektim kombëtar të sistemit. Palët kanë rënë dakord për disa nga çështjet të cilat mbanin të bllokuar përmbylljen e Reformës Zgjedhore, siç janë riformatimi i KQZ-së, ankimimi dhe teknologjia e numërimit. Për sa i përket çështjes së KQZ-së, duket se mazhoranca ka pranuar kërkesën e PS-së për riformatimin e plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjë që pritet të bëhet në muajin shtator, pas përfundimit të mandatit të komisionit aktual. Palët kanë rënë dakord edhe për zgjedhjen me konkurs të kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe për kontrollin elektronik të kartave të identitetit për Tiranën. Tjetër pikë e rëndësishme është dakordësimi për çështjen e ankimimeve. Palët kanë rënë dakord që 2 anëtarë të KQZ-së të kenë të drejtë të kërkojnë transparencën. 12 korriku ishte përcaktuar si dita e fundit e mandatit të komisionit të posaçëm parlamentar, në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe atyre lokale të vitit 2011.

Bylykbashi: “U arritën të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it”

Bashkëkryetari demokrat në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Oert Bylykbashi, deklaroi pas konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës, se me këtë reformë zgjedhore janë arritur të trajtohen në mënyrë dërmuese të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR gjatë viteve 2009 dhe 2011. “Sot u miratuan të gjitha ato çështje që ishin lënë pezull, që ishin çështje të rëndësishme si përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si do të përzgjidhen anëtarët dhe kryetari i Komisionit, administrimi i provave në procesin ankimor, duke respektuar procedurat që garantojnë jo vetëm rregullsinë e procesit, por edhe transparencën si dhe përfshirjen e teknologjisë elektronike në procesin e numërimit dhe votimit”, tha Bylykbashi. Sipas tij, trajtimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR e çon kodin zgjedhor në një nivel më të lartë si bazë për zhvillimin e zgjedhjeve dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. “Të dyja palët bënë lëshimet e tyre me frymë kompromisi dhe arritën në zgjidhjen më të mirë të mundshme. Nuk është çështje kush u tërhoq, por çfarë arritën sëbashku”, tha eksperti i PD-së. Bylykbashit e cilësoi të suksesshme mbylljen e punimeve të Komisionit për Reformën Zgjedhore

Gjiknuri: “Tani opozita ka garanci të mëdha”

Bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së fundit të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, në një prononcim për gazetarët deklaroi se tashmë opozita ka garanci më të mëdha për mbarëvajtjen dhe transparencën e zgjedhjeve në vend. Sipas Gjiknurit, KQZ ishte pika kyçe që zvarriti punën e komisionit dhe arritjen e konsensusit. “U gjet edhe konsensusi, për të gjitha çështjet. Patjetër se ndryshimet janë garanci shumë më të mëdha seç ka patur opozita shqiptare. Nuk janë marrë në konsideratë të gjitha kërkesat, por një pjesë e mirë e kërkesave janë realizuar. Procesi ka dashur përpjekje nga të dyja palët. KQZ ishte pika nevralgjike e krizës, dhe e rëndësishme”,- deklaroi Gjiknuri. Eksperti i Partisë Socialiste sa i takon kërkesës së parive të vogla tha se pas përfundimit të punimeve të tij,  PS vazhdon të insistojë për nevojën e një korrektimi të sistemit zgjedhor. “Do t’i referohemi Kuvendit që të gjejë mekanizmat e duhur, qoftë edhe me komisione të tjerë vetëm për çështjen e sistemit dhe për të bërë konsultat e nevojshme kushtetuese për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për korrektimin e sistemit”, tha Gjiknuri. Sipas tij, PS e shikon çështjen e korrektimit të sistemit me përparësi dhe ka nevojë për konsultim se deri në çfarë pike mund të prekë Kushtetutën korrektimi i tij.

Ja çfarë parashikon marrëveshja

Mazhoranca dhe opozita kanë arritur dje konsensusin për tre pikat e mbetura të reformës zgjedhore. Sipas marrëveshjes së arritur dje në mbrëmje, kryetari i KQZ-së do të ketë një mandat 4-vjeçar, ndërkohë që anëtarët e tjerë do të kenë një mandat 6-vjeçar. Gjithashtu, palët kanë arritur kompromis edhe mbi projektin pilot për verifikimin e kartave të identitetit të zgjedhësve. Ky projekt pilot do të shtrihet në Qarkun e Tiranës. Maxhoranca dhe opozita kanë arritur konsensusin edhe mbi verifikimin e materialeve zgjedhore. Kështu, sipas konsensusit të arritur, materialet zgjedhore do të mund të verifikohen, pasi dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të paraqesin një kërkesë zyrtare për vijimin e procedurave të verifikimit. Këto kanë qenë pikat e fundit, mbi të cilat përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës kanë rënë dakord, duke shënuar kështu mbylljen e punimeve të Komisionit për Reformën Zgjedhore. Ndryshimet e kryera mbi ligjin zgjedhor do të paraqiten në një seancë plenare për t’iu nënshtruar procedurës së diskutimit dhe votimit.

 BE përshëndet konsensusin PD-PS

Përfaqësuesit e BE-së përshëndetën dje arritjen e marrëveshjes mes PD-së dhe PS për reformën zgjedhore. Lajmi i arritjes së marrëveshjes së reformës elektorale ka qenë në qendër të vëmendjes të të gjithë përfaqësuesve të institucioneve më të rëndësishme të BE-së që kanë qenë prezent në takim. “Lajmi që po dëgjojmë nga ministrja Bregu dhe nga zoti Beja janë sinjale pozitive që mund të na japin sensin e sigurisë sërish. Do të presim me shumë vëmendje arritjen e konfirmimit përfundimtar lidhur me reformën zgjedhore”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian, Stefano Sanino. “Po bëhen përpjekje të shumta për përmbushjen e rekomandimeve para zgjedhjeve të përgjithshme të viti të ardhshëm. Ne po dëgjojmë një progres shumë të rëndësishëm për reformën elektorale. Ky është vërtet një lajm pozitiv. Është e një rëndësie shumë të madhe dhe Këshilli i Ministrave ka insistuar në këtë pikë më shumë se një herë në konkluzionet e saj. I është përkushtuar një vëmendje politike rekomandimeve të tjera në opinionin e Komisionit të vitit 2010 dhe ne do t’i shohim me vëmendje përmbushjen e tyre”, vlerësoi shefi i EEAS, Johan Johanson. Sipas eurodeputetit Eduart Kukan, BE-ja do t’i bashkëngjitet festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë, por për këtë nevojiten vetëm 3 fjalë nga pala shqiptare. “Ne na nevojitet një mesazh shumë telegrafik nga ju për ftesën: 12 rekomandimet u përmbushën”, vuri në dukje Kukan.

Flasin në “ Telegraf”

Gazmend Oketa, drejtuesi i FRD-së: “Nuk mund të them asgjë”

“Nuk mund të them asgjë. Nuk di më tepër nga sa dëgjova. Kur të shikoj e lexoj se çfarë kanë rënë dakord dhe ku duan të arrijnë me këtë kompromis. Por kompromisi i PD-PS për Reformën Zgjedhore edhe mundet të mos thotë asgjë, derisa ata nuk duan të korrektojnë Kodin Zgjedhor”

 Spartak Ngjela, Kryetari i PLD-së: “Ku të besoj unë se kanë rënë dakord”

Pa i lexuar, ku të besoj unë se çfarë kanë rënë dakord ata. Pa futur teknologjinë elektronike në numërimin e votave, ku ka besim te votat se nuk do të cenohen.

 Nard Ndoka, Kryetar i PDK-së : “PS-ja vendosi që do të jetë në opozitë edhe 4 vjet”

Me atë kompromis që u arrit, PS-ja vendosi që do të jetë në opozitë edhe katër vjet të tjera. Nuk e besoj, që partitë që deri tani ishin në aleancë me PS-në, ta besojnë më, derisa nuk mundi që të bëjë asgjë për korrektimin e Kodit Zgjedhor. Partia DK nuk do të jetë më në aleancë me PS-në. Nuk besojmë se me kompromisin që u arrit për Reformën Zgjedhore do të ketë zgjedhje të besueshme. Absolutisht, zgjedhjet do të jenë të konstetueshme për palën humbëse, PS-në.

 Petro Koçi, Kryetar i PSV ’91: “Me këtë Kod Zgjedhor kriza garantohet me ligj”

Pavarësisht se u arrit kompromisi, unë gjykoj që sezoni i reformave është i dështuar, sepse nuk ka patur ndryshime thelbësore në kuadrin ligjor të zgjedhjeve që të preknin jo vetëm çështjen producionale, por edhe sistemin zgjedhor. Me këtë Kod Zgjedhor kriza garantohet me ligj. Përmirësimet i përshëndes, por janë fare pak për të shpresuar. I bëj thirrje palëve që të shqyrtojnë edhe  çështjen e korrigjimit të Sistemit Zgjedhor. Nuk besoj se do të kemi zgjedhje të ndershme, sepse vullneti politik i PD-së për të vjedhur votat nuk shmanget dot me këtë Kod Zgjedhor.

 Paskal Milo, Kryetar i PDS: “ Do të krijojmë lëvizje të majtë, pa PS-së”

Kur të vijë momenti konkret që mund ta sjellin rrethanat, do të diskutohet për të bërë një pol të atyre partive politike që kanë jo vetëm afërsi programore, por që kanë edhe një besim reciprok për të ndërtuar një subjekt elektoral me peshë dhe që do të merrte një rezultat të ndjeshëm në ballafaqimin e ardhshëm elektoral.

 Gjergj Koja, Kryetari i PSM : “Me këto arnime, jemi si në 2009”

Kjo nuk është reformë. Janë arnime të një reforme të pjesshme. Jemi si në situatën para 2009-s. Ky kompromis midis dy palëve, PD-PS do të krijojë probleme në të dy krahët politikë. Unë nuk jam në dijeni për krijimin e një poli të tretë në të majtën. “Lëvizja Nano” është një çështje e brendshme e PS-së. Këto ndryshime që u arritën në të ashtuquajturën Reformë Zgjedhore nuk përmbushin interesat e gjithë shqiptarëve për t’u përfaqësuar me votën e tyre. Hapi më imediat që mbetet për të majtën është që të mblidhen të gjitha forcat politike, të mblidhet koalicioni i majtë, ndryshe, të veçuar nuk do të arrijmë asgjë, pavarësisht nga ato që mendojmë se na ndajnë tani për tani midis nesh.

 FRESSH-i Hasit përgënjeshtron zërat se firmat e tyre janë të falsifikuara

Protestat  e të rinjve të FRESSH-it të Kavajës, Korçës dhe Hasit drejtuar PS-së dhe organeve drejtuese të saj, jo vetëm nuk kanë gjetur përkrahje, jo vetëm nuk u analizuan për të nxjerrë përgjegjësitë, por, përkundrazi, publikisht është mbajtur një heshtje, për t’i anashkaluar dhe, më tej, u bënë edhe përpjekje që të dezinformohej e vërteta, duke thënë se firmat ishin të falsifikuara dhe nuk ekziston shqetësimi. Ndërsa në prapaskenë, bëhen përpjekje që të izolohen zërat e protestës, të përjashtohen përfundimisht të pabindurit. Mirëpo, të rinjtë e FRESSH-it Has , që nuk mund të pajtohen me prapaskenat dhe manipulimet e Erjon Veliajt, sërish kanë reaguar, duke iu drejtuar sërish kryesisë të PS-së dhe sqarojnë që jo vetëm firmat nuk janë të falsifikuara, por Erjon Veliajt me prapaskenat e tij vazhdon të mbetet për ta problemi kryesor. Ja përmbajtja e plotë e letrës të protestës të të rinjve të FRESSH-it Has.

“Të nderuar deputetë dhe drejtues të PS-së, FRESSH Has bashkangjitur ju ka dërguar një letër- sqarim në lidhje me spekulimet që janë bërë sot dt.10.07.2012 në disa media vizive, ku pretendohet se firmat e antarëve të Asamblesë së FRESSH – Has në letrën e dërguar para ca ditësh drejtuesve më të lartë të PS-së janë të falsifikuara. Theksojmë dhe njëherë se qëndrimi ynë në lidhje me ngjarjet që kanë protagonistë Sekretarin për Rininë dhe Emigracionin, z. Erion Veliaj nuk ka ndryshuar. Shqetësimi ynë vazhdon të jetë real ndaj këtyre fenomeneve të cilat po shkatërrojnë frymën e bashkëpunimit në forum.  Duke shpresuar në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, ju ftojmë që ta merrni në konsideratë.

 Me respekt, FRESSH- Has

 PD: Rama bllokon integritetin

 Z. Rama qartësisht është duke u përpjekur të ngadalësojë procesin për të bllokuar integrimin. Komuniteti ndërkombëtar i hartoi këto ligje dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve t’i votojnë ato, por Rama vazhdon të bllokojë procesin në përpjekje për përfitime vetjake, por të gjithë shqiptarët e kuptojnë mirë këtë.  Z. Rama e bën këtë, pasi ka përsëritur vazhdimisht se mbështet heqjen e imunitetit. Por fjalët e kota nuk kanë vlerë, veprimet janë ato që kanë vlerë. Ne e nxisim z.Rama të veprojë tani në mënyrë që integrimi i Shqipërisë të mos vihet në rrezik. Të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit, po Rama cilët po mundohet të mbrojë? Qytetarët e thjeshtë nuk e gëzojnë këtë lloj mbrojtje, dhe për rrjedhojë as klasa politike nuk mund ta gëzojë. Rama po provon përsëri të përfitojë nga procesi në vend që t’i shërbejë interesave të qytetarëve. PD-ja mbështet heqjen e imunitetit për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit. Kjo nuk është çështje politike, thjesht është gjëja e duhur për t’u bërë.