Aleanca Popullore, thirrje shoqërisë civile: Votoni kundër

81
Aleanca Popullore ju bëi thirrje personaliteteve të politikës, shoqërisë civile, medias, kulturës, artit e sportit t’i bashkohen fushatës për të votuar kundër më 25 qershor 2017. “E vetëdijshme për misionin e partive në jetën publike e institucionale, Aleanca Popullore vlerëson se Shqipëria ndodhet në kushte specifike, të diktuara nga marrëveshjet politike që u janë mbivendosur Kushtetutës e ligjeve. Aleanca Popullore ishte përgatitur për të zhvilluar një fushatë elektorale të bazuar në alternativa dhe ide qeverisëse, por paktet për të marrë peng qeverisjen dhe vullnetin e shqiptarëve krijuan kushtet vetëm për zgjedhje të pandershme”, theksohet në deklaratë. Aleanca Popullore tha se beson që qeverisja duhet të burojë nga vullneti i lirë i zgjedhësve, sipas parimeve bazë të demokracisë, dhe jo të deformohet e kontrollohet nga partitë e vullnetet personale të politikanëve. Për këto arsye, Aleanca Popullore u kërkon, jo vetëm mbështetësve të saj, por të gjithë zgjedhësve, të votojnë kundër më 25 qershor.