Aleanca Popullore: Shpresojmë në paanësinë dhe integritetin e KQZ

67
Aleanca Popullore përshëndet thirrjen e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përshpejtuar çdo hetim administrativ apo penal të institucioneve të ngarkuara nga ligji me shqyrtimin e problemeve të konstatuara në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Aleanca Popullore shpreh besimin se vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe më tej Kolegji Zgjedhor do të tregojnë paanësi dhe integritet profesional në shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. Aleanca Popullore është e shqetësuar nga raportimet publike, se ndaj KQZ-së po ushtrohet presion, jo vetëm politik, për të ndryshuar rezultatin e shpallur të zgjedhjeve parlamentare. Tendenca apo përpjekjet për të siguruar mandate në Kuvendin e ardhshëm, nëpërmjet presionit të parasë apo korrupsionit, do ta shkelmonin përfundimisht besimin e publikut te zgjedhjet e lira e të ndershme. Aleanca Popullore i bën thirrje prokurorisë dhe organeve ligjzbatuese të mbikëqyrin dhe të reagojnë ndaj çdo tentative të klaneve kriminale, të lidhura me segmente të politikës, për të blerë mandate deputetësh në tavolina të errëta, me bashkëpunimin e qarqeve që synojnë të mbysin demokracinë dhe forcën e ligjit. Edhe një herë, Aleanca Popullore u bën thirrje të gjitha partive politike të angazhohen publikisht për realizimin e një reforme të plotë e efikase zgjedhore, që do të jetë fundi i përhershëm i trafikantëve të votës. Një votë e trafikuar është një votë që shkon për interesa të errëta, aspak në përputhje me aspiratat e shqiptarëve.